E Diel, 1 Nëntor 2026

Për nota më të mira, maturantët "shtegtojnë" drejt shkollave private

Konkursi për shkollë të lartë i bën maturantët të gjejnë zgjidhje të ndryshme për të fituar pikë. Një nga "manovrat" është transferimi nga një shkollë publike në një tjetër private për të rritur notat. Sipas Drejtorisë Arsimore të Tiranës, dhjetëra nxënës kërkojnë të transferohen gjatë semestrit të dytë. "Vëmë re dy lloj lëvizjesh", thonë specialistët. "E para, në fund të shkollës së mesme, të rinjtë kërkojnë të ikin nga shtetëroret dhe në nisje të saj rendin nga privatet te publiket".

"Unë kam bërë kërkesën për transferim, sepse dua të kem mesatare më të lartë", thotë Vjola nga shkolla e mesme "Petro Nini Luarasi". Sipas saj, mësueset e kanë notën më të shtrenjtë te "Petro Nini" ndaj do të largohet këtë semestër. Nota mesatare e shkollës së mesme përbën 20 për qind të pikëve në provimet e maturës.

Një arsye tjetër e transferimeve janë edhe profilet që kanë zgjedhur shkollat e larta. Kështu, nëse një nxënëse është në shkollë të mesme të përgjithshme të profilit shoqëror në degën e Mjekësisë koeficientin e shkollës e ka 0. Nëse merr dëftesën në një shkollë të mesme me profil të përgjithshëm, koeficienti është 1.2. Ky është rasti i një nxënëseje në shkollën e mesme "Ismail Qemali", që tashmë është transferuar në një shkollë private. "Sapo u mbyll semestri më mbërriti kërkesa për transferimin e një nxënëseje maturante", shpjegon drejtoresha, Lumturi Çela. Sipas saj, nxënësja dëshironte të rriste pikët përmes koeficienteve, që është një nga rregullat e maturës shtetërore.

Fenomeni i transferimit të nxënësve nga një shkollë në tjetrën në prag të provimeve shihet si negativ nga specialistë të Drejtorisë Arsimore. Sipas tyre, nxënësit që janë studentët e ardhshëm duhet të diplomohen në shkollën, ku kanë mësuar dhe jo në një tjetër.

Shkollat private dhe ato shtetërore tashmë janë në konkurrencë të fortë në kryeqytet. Publiciteti i privatëve është ambienti dhe siguria e fëmijëve. Dy komponentë këta që joshin prindërit, që kanë fëmijët në arsimin 9-vjeçar. Ndërsa, shkollat shtetërore i mëshojnë traditës. Ky është marketingu i tyre më i mirë, duke punësuar mësuesit e shkëlqyer dhe nxënësit që tashmë janë "VIP" dhe kanë dalë pikërisht nga këto shkolla publike të kryeqytetit. Nisur nga të dhënat rezulton se "nxënësit e shkollave 9-vjeçare, kryesisht arsimi fillor janë të prirur të transferohen nga shtetërori te privati".

E kundërta ndodh në shkollë të mesme ku nxënësit preferojnë të studiojnë në shkolla shtetërore dhe kërkojnë transferim nga privatet kryesisht gjatë semestrit të dytë. Një kategori tjetër janë nxënësit problematikë, që nuk arrijnë të kalojnë klasën dhe transferohen nga publiku te privati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›