Interneti në shkolla, vetëm premtime false
"Shqipëria në moshën e internetit apo Shqipëria në moshën tuaj është programi që qeveria me përkushtim do të zbatojë, pavarësisht nga çmimi". Ky ishte një nga premtimet e shumta të Kryeministrit Sali Berisha. Sot, as në kryeqytetin e Shqipërisë nuk gjen internet në shkollat e mesme të përgjithshme, sepse në ato 9-vjeçare dhe nëpër rrethe as që bëhet fjalë. Vetëm nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme "Sami Frashëri" në Tiranë kanë mundësi të përdorin internetin në shkollë. Ata e kanë këtë "luks" sot, për arsye se bordi i shkollës, në mënyrë vullnetare u lidh me një kompani që u ka mundësuar internetin në shkollë. Kontrata është që për dy vjet përdorimi i internetit nga nxënësit në ambientet e shkollës do të jetë falas. Në asnjë shkollë tjetër nuk gjen internet. Kabinetet me kompjuterë ekzistojnë, por nxënësit mësojnë vetëm mënyrën e përdorimit të tij. Çdo informacion tjetër që ata kërkojnë nëpërmjet internetit duhet ta gjejnë në internet kafetë, që ndodhen rreth e rrotull shkollave, por me pagesë. Mësuesit e shkollës së mesme të përgjithshme "Partizani" në Tiranë, kur i pyet se a kanë linjë interneti në shkollë ngrenë supet dhe përgjigjen: "Linjë interneti nuk kemi. Nuk e kemi të lidhur internetin, sepse nuk kemi antenë. Punohet, gjithçka bëhet, por internet nuk kemi". Në shkollën e mesme "Andon Zako Çajupi" nxënësit tregojnë se nuk u është mundësuar interneti. Ndërsa, mësuesit presin nga Ministria dhe Drejtoria Arsimore, që t‘u lidhet interneti që mungon në laboratorin e informatikës. Mësuesit e shkollës së mesme të përgjithshme "Petro Nini Luarasi", kur i pyet për internetin në shkollë të përgjigjen me krenari se 100% e nxënësve të kësaj shkolle kanë kompjuter dhe internet në familjet e tyre. "Koha këtu është shumë e kufizuar saqë ata janë shumë të përqendruar në procesin mësimor dhe nuk kanë kohë të lirë. Internet nuk ka", thotë njëra nga mësueset.
Në shkollën e mesme të përgjithshme "Ismail Qemali" mësuesit tregojnë se nxënësit mund të navigojnë në internet kafetë, që ndodhen pranë shkollës, në rastet kur u duhen materiale për orët mësimore. Në këtë shkollë akoma nuk është lidhur interneti.
Nxënësit e shkollës "Qemal Stafa" tregojnë se kanë paguar nga 500 lekë të reja në fillim të vitit për të bërë të mundur lidhjen e internetit në shkollë, por sot e kësaj dite ata nuk mund ta përdorin, sepse internet nuk ka.
Me këtë shqetësim, gazetarët e "Fiks Fare" shkuan në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, ku specialistja e informatikës dhe formimit shkencor në sektorin e trajnim-kualifikimit, Suela Bala, na thotë që me internetin nuk merret Drejtoria Arsimore, por drejtpërdrejtë Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
"Lidhja me internet nga shkollat e Tiranës bëhet direkt nga MASH, ajo është përgjegjëse për kontraktimin e kompanive të ndryshme, që bëjnë të mundur lidhjen me internet. Vetëm shkolla "Sami Frashëri" ka internet, sepse bordi i saj doli vullnetar, lidhën kontratë me një kompani që siguroi internetin dhe e përdorin falas për dy vjet", tregon specialistja Suela Bala.
Pas kësaj përgjigjeje, gazetarët e "Fiks Fare" shkuan urgjent në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ermelinda Muho, zëdhënësja e kësaj ministrie tregon se e gjithë puna çalon se Ministria e Arsimit nuk ka nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, ndërkohë që është e bindur që në pjesën më të madhe të shkollave ka internet. Siç duket, punonjësit e Ministrisë së Arsimit nuk kanë dalë jashtë derës së ministrisë, që të shohin se as shkollat e Tiranës nuk kanë internet.