Firma piramidë në Korçë, tatimorët mbyllin fabrikën
Shtrihet përtej Korçës, në Tiranë e Sarandë rrethi i personave që pretendojnë se u kanë dhënë para dy biznesmenëve korçarë me interes fitimi më të lartë se banka. Persona të dëmtuar nga kryeqyteti dhe nga rrethe të tjera të vendit janë interesuar në policinë e Korçës lidhur me dy biznesmenët, duke konfirmuar që kanë dhënë shuma të konsiderueshme parash, të cilat janë në pritje t‘i marrin, por afati i të cilave u është shtyrë nga ana e dy pronarëve të rrobaqepësisë. Zyrtarë të policisë së Korçës konfirmojnë se shumë shpejt persona të dëmtuar nga dhënia e parave do të denoncojnë zyrtarisht pas ankesave paraprake. Drejtori i policisë së Korçës, Emri Vata, nga ana e tij ka bërë të ditur se me marrjen qoftë edhe të një kallëzimi, do të verë në lëvizje strukturat e antikrimit ekonomik për të hetuar për këtë rast. "Deri më tani nuk ka pasur asnjë denoncim zyrtar, por me marrjen qoftë edhe të një prej këtyre kallëzimeve nga personat e dëmtuar do të nisim hetimet me zyrën e antikrimit ekonomik financiar" ka thënë Emri Vata. Dy ditë pas publikimit të ekzistencën të një firme që funksionon si firmë piramidale dhe merr para duke premtuar interes prej 12% fitim në muaj për shumat e grumbulluara edhe pse në formë borxhi për një aktivitet privat, qytetarë të shumtë kanë reaguar, duke dhënë edhe shifra konkrete sipas rasteve. Nga lista e gjatë e kreditorëve vetëm një ka mundur të mbyllë një proces gjyqësor me vendim gjykate për shumën e dhënë prej 11.400 dollarësh. Arqile Ruco, pas seancave të shumta gjyqësore ka fituar tashmë ndërsa kishte paditur dy personat Jani Lluka dhe Ilia Nikolla, por edhe pse me një vendim gjykate që i njeh të drejtën për krijimin e shumës së parave, nuk ka mundur t‘i marrë ende. Ndërsa në gjykatë rezultojnë shumë persona që kanë ngritur padi civile dhe kanë ende çështje në proces, një ditë pas publikimit të këtij skandali në media, Vasillaq Cerveni i është drejtuar policisë së Korçës. Ai pretendon se ka marrë një mesazh kërcënimi nga Jani Lluka në telefonin e tij, ku thuhej "largohu urgjentisht nga Shqipëria" Cerveni që e ka marrë këtë si një kërcënim të hapur ndaj tij i është drejtuar policisë së Korçës ku ka denoncuar për kanosje një nga pronarët të cilëve ju ka dhënë më parë një shumë të përafërt në total me 140 mijë dollarë. Ndërsa në Gjykatën e Korçës rezultojnë emra të shumtë të personave që kanë ngritur tashmë ligjërisht pretendimet për marrjen e parave me kontrata noteriale, mësohet se ka shumë persona të tjerë që kanë dhënë para në mirëbesim, por nuk disponojnë asnjë dokument që të vërtetojë dorëzimin e lekëve. Por siç pretendon Jani Lluka, një nga të akuzuarit nga qytetarët korçarë, ai në asnjë rast nuk ka funksionuar si firmë piramidale. Në linjë telefonike ai ka thënë se persona të interesuar për t‘i dëmtuar biznesin e tij privat, po shpifin kundër tij. "Nuk bëhet fjalë fare për një firmë piramidale siç më akuzojnë persona të interesuar për të njollosur imazhin tim dhe të aktivitetit që kam. Këto janë shpifje dhe në rast se do të kishte një skemë piramidale siç pretendohet shteti do të na kishte kapur dhe nuk do të na linte. Shteti nuk mund të lejojë që mafia të dalë mbi të. Unë punoj rregullisht madje kam qenë i rregullt edhe me bankat nga ku kam marrë kredi", ka thënë Jani Lluka. Edhe pse ndaj tij ka një sërë procesesh gjyqësore ai i ka quajtur të gjithë qytetarët që e kanë paditur mashtrues, me të njëjtën fjalë që në fakt të dëmtuarit i drejtohen atij dhe pronarit tjetër, Ilia Nikolla. Por dy pronarët e rrobaqepësisë "Interkonfeksion" duket se nuk kanë qenë aspak të rregullt as me shtetin. Nga dega e tatim-taksave u vendos bllokimi i aktivitetit të tyre. Kjo konfirmohet nga drejtori Ilir Frashëri, sipas të cilit, për muaj me radhë dy bashkëpronarët nuk shlyenin detyrimet tatimore dhe financiare derisa u vendos masa e bllokimit të aktivitetit të tyre. Madje, siç deklaron Frashëri as sot e kësaj dite ata nuk janë paraqitur për të shlyer detyrimet. Por ndërsa Jani Lluka pretendon se është i pastër dhe nuk e ka kthyer biznesin në firmë piramidale, kundër tij dhe bashkëpronarit po vijnë ankesa edhe jashtë territorit të Korçës, të cilat do të ndiqen këtë herë nga ana e policisë, kur rrjeti i veprimtarisë së tyre me marrjen e lekëve me fitim 12% në muaj, ka tejkaluar kufijtë e Korçës.
Në proces
1. Vasillaq Cerveni
2. Isuf Salice
3. Arqile Ruco, (me vendim gjykate për kthimin e shumës 11.400 dollarë)
4. Arjan Terolli
5. Vladimir Andoni
6. Iljaz Floqi
7. Sotiraq Cipi
8. Thimaq Cerveni
9. Vangjush Dishnica
10. Pandush Andoni
Me ankesë
11. Gjergji Caca
12. Refat Bardhi
13. Dylber Hoxha
14. Përparim Hyseni
15. Sotiraq Xhambazi
16. Pirro Bimbli