E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca, shoferët në protestë

Shoferë të autobusëve ndërqytetës Sarandë-Delvinë e anasjelltas, të mbështetur edhe nga ata të furgonave, që shërbejnë në këtë linjë, kanë "kapur" dje sërish Urën e Gajdarit. Në vendgrumbullimin e protestuesve u është vënë flaka disa gomave dhe në mënyrë të përsëritur u është zënë pritë shoferëve të autobusëve të firmës "Ferlut", të cilët prej disa ditësh ofrojnë të njëjtin shërbim me ta në të njëjtin itinerar me vendasit. Administratori i shoqërisë së autobusëve "Dea Transport", Mëllez Myrtaj, e ka quajtur veprim banditesk atë që janë duke e bërë drejtuesit dhe njerëzit e "Ferlut" në Sarandë e Delvinë. Sipas tij, ata nuk mund të punojnë kur ende thonë se janë në procedura licencimi, përveç që ata janë autobusë urbanë dhe jo për shërbim transporti udhëtarësh në linja ndërqytetëse. Minibusët e kompanisë "Ferlut", që i kemi parë të shërbejnë në unazën e Tiranës, janë shfaqur ditët e fundit në qytetet më jugorë të vendit, në Delvinë e Sarandë. Nga kontaktimi me shoferët e tyre, mësuam se janë gjashtë minibusë që në këtë javë të dytë të dhjetorit 2007 kanë marrë përsipër të mbulojnë shërbimin e transportit publik të udhëtarëve në linjën ndërqytetëse Delvinë-Sarandë e anasjelltas. Minibusët janë penguar të punojnë në këtë linjë qysh në ditën e dytë të tyre, ndërsa dje janë grisur edhe posterët nga fasadat e tyre, që tregonin destinacionin e lëvizjes. Ndalimi i tyre në urën e Gajdarit dje është bërë nga shoferët e autobusëve dhe furgonave, të cilat thanë se janë ndjerë padrejtësisht të cenuar në të drejtën e tyre për të mbuluar shërbimin e transportit të udhëtarëve në linjën Sarandë-Delvinë. Bedri Isufi, drejtues i një prej autobusëve që kanë mbuluar prej 5 vjetësh transportin e udhëtarëve në këtë linjë, tha për "Shqip" se nuk ka arsye që këtu të vijnë autobusët e "Ferlut". Argumenti kryesor i tij ka qenë mungesa e elementëve konkurrues në këtë shërbim, përderisa udhëtarit i kushton njëlloj. Përveç kësaj, në punë kanë qenë dhjetë autobusë të shoqërisë "Bistrica" të Delvinës dhe 4 të "Dea-Transport". Pjesëmarrës dhe mbështetës të protestës kanë qenë edhe dhjetëra shoferë të automjeteve të llojit furgonë ose 8 plus 1, të cilat thanë se kanë themeluar shoqërinë e transportit urban "Milea" dhe se janë në pritje të licencimit të premtuar nga Bashkia e Sarandës, në kompensim të largimit të tyre nga shërbimi që kanë ofruar deri sot me furgonat e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›