Elbasani barazon me Teutën, alarm dëmtimesh
Elbasani po kalon periudhën më të vështirë të këtij sezoni. Skuadra nuk po arrin rezultatet e dëshiruara, por mbi të gjitha është në alarm total dëmtimesh. Përveç Ahmatajt, Xhafës e Lakos, infermierisë i janë shtuar edhe Bokotola, Sheta, Tetova e Nenaj, të dëmtuar në sfidën e Kupës së Shqipërisë me Teutën. Takimi ka përfunduar në barazim 1-1, ku vendasit kanë kaluar të parët në avantazh me Nenajn. Vlonjati shënoi mes protestave të durrsakëve, që pretendonin se në momentin e pasimit nga Nuhiu topi e kishte kaluar vijën fundore të fushës. Rezultati është barazuar në të 72-ën nga Gega, që i ka dhënë shpresa Teutës për t‘u kualifikuar në gjysmëfinale. Verdheblutë nuk kanë arritur të reagojnë, edhe sepse e kanë mbyllur takimin me dy lojtarë të dëmtuar (Nenaj e Tetova), të cilët kanë qëndruar sa për numër në fushë, pasi Krenar Alimehmeti i kishte përfunduar të tre zëvendësimet (dy prej të cilave të detyruara pas dëmtimeve të Bokotolës e Shetës).