Sporti kërkon mbështetjen e shtetit
Sportistët më cilësorë janë mbledhur dje në një konferencë për shtyp, duke i bërë thirrje publike shtetit shqiptar të mendojë më shumë për sportin. Emra të njohur të shumësportshit, si Klodiana Shala, Romela Begaj, Erkand Qerimaj, Gerti Trasha dhe Sait Prizreni, kanë kërkuar më shumë mbështetje nga institucionet shtetërore, duke pretenduar zbatimin e plotë të "Ligjit për Sportin". Ata kanë bërë të ditur problemet që i shqetësojnë më shumë, si vazhdimi i punës "në të zezë", apo edhe moskokëçarja e institucioneve në rast dëmtimesh, pavarësisht faktit se këta sportistë përfaqësohen në të gjithë botën me flamurin shqiptar.
Sportistët shqiptarë kanë bërë të qartë se tashmë nuk mund të durojnë më nëpërkëmbjen e tyre, duke kërkuar respektimin e të drejtave minimale që u garanton "Ligji për Sportin", i cili ndonëse ka hyrë në fuqi, nuk po respektohet thuajse nga askush. Në legjislacionin shqiptar, ndonëse është e përcaktuar që sportistët shqiptarë paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ata vazhdojnë ta ushtrojnë "profesionin" e tyre "në të zezë", pa asnjë lloj garancie për të ardhmen, kur të mbyllin karrierën sportive. Atletja Klodiana Shala ka kërkuar që shteti shqiptar të jetë më kërkues ndaj federatave sportive, të cilat janë përgjegjëse të një situate të tillë. "Duhet që ministria përgjegjëse të kërkojë më shumë llogari për respektimin e ‘ligjit për sportin‘ nga ana e federatave", ishte apeli që Shala u bëri institucioneve shtetërore.
Sportistët mendojnë se gjithçka do të ishte shumë më funksionale nëse ata vetë do të përfaqësoheshin në kryesitë e federatave sportive. "Nëse sportistët do të kishin një përfaqësueses në kryesitë e federatave, atëherë do të kishin më shumë mundësi të mbronin respektimin e të drejtave të tyre", u shpreh mundësi Sait Prizreni, një nga sportistët shqiptarë që ka siguruar të drejtën e pjesëmarrjes në lojërat olimpike, "Pekin 2008". Ndërsa peshëngritësi Erkand Qerimaj ka theksuar se mbështetja financiare aktuale është shumë e vogël në krahasim me nevojat që ka çdo ditë ushtrimi i sportit. "Duhet më shumë mbështetje financiare nga instancat shtetërore dhe federatat për sportistët elitarë, pasi përfaqësimi në nivele të larta ka kërkesë më të madhe", u shpreh peshëngritësi shqiptar. "Përfaqësia sportive" bëri të qartë se trajtimi aktual lë shumë për të dëshiruar, pasi nuk garanton as kushtet minimale që kërkon sporti në vendin tonë, gjithmonë nëse kërkohet përfaqësimi dinjitoz në arenën ndërkombëtare, ku ata përfaqësojnë shtetin shqiptar. Sportistët kanë kërkuar vëmendje më të lartë ndaj problemeve të tyre nga ana shtetërore në raste të veçanta, sidomos në rastet e dëmtimeve. Ata kanë treguar se pavarësisht faktit që garojnë për Shqipërinë, në rast dëmtimesh mbulojnë vetë çdo shpenzim për t‘u kthyer në formë dhe për të nderuar përsëri flamurin kuqezi, ndërsa deri tani ka munguar thuajse çdo ndihmë "e jashtme" nga pala shtetërore apo federatat që mbyllin dyert para rasteve të tilla.