E Diel, 1 Nëntor 2026

Triumfon Dinamo, Partizani "K.O." në raundin e parë

Dinamo fiton raundin e parë në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë përballë Partizanit. Blutë triumfuan me rezultatin 3-1, në një sfidë shumë të tensionuar, duke bërë një hap mjaft të rëndësishëm drejt gjysmëfinaleve. Trajnerit Ilir Daja i kanë mjaftuar vetëm pak ditë për t‘i rikthyer skuadrës identitetin, lojën dhe golat e humbur, me blutë që konfirmojnë se në këtë sezon do të luftojnë për të fituar të dyja trofetë e rëndësishme në vend. Në anën tjetër, Partizani duket se është dëmtuar nga euforia pas dy fitoreve në kampionat me dinamovitët dhe me Tiranën. Të besuarit e Likës e fillojnë sfidën në disavantazh, sepse vetëm pas 6 minutave lojë, Igli Allmuça ka përshëndetur rrjetën. Ish-mesfushori i Partizanit shënon, por për respekt të skuadrës ku ka luajtur për shumë vite, nuk feston. Pas 16 minutave tentativash, në skenë dalin portierët. Fillimisht është Shehi që pret me një hedhje spektakolare goditjen e dënimit të Pishës, ndërkohë që edhe Kotorri replikon në të njëjtën mënyrë pas ekzekutimit të Muzakës. "Gardiani" dinamovit tregon se është thelbësor edhe në tentativën e Bakajt, duke shpëtuar portën nga një gol thuajse i sigurt. Në të 31-ën, Pejiç fillon të tërheqë skuadrën përpara dhe fillimisht shikon t‘i mohohet nga gjyqtari Jareci një penallti e pastër (pas ndërhyrjes së parregullt të Hallaçit), e më pas bën gjithçka mirë, duke depërtuar në zonë, por pa gjetur dot portën. Gjithsesi, festa e golit për kroatin është shtyrë pak minuta më vonë, pasi në kohën shtesë të pjesës së parë ai ka finalizuar një kundërsulm të shpejtë të bluve. Pjesa e dytë fillon me nervozizëm dhe ndërrime nga të dyja krahët, e duhej të kalonin 72 minuta për të parë një tjetër gol. Ishka ekzekuton një goditje dënimi nga distancë e largët, Shehit i shpëton topi nga duart dhe përfundon në rrjetë. Dinamo feston duke "falënderuar" portierin kundërshtar, por nuk arrin të mbajë të paprekur portën, pasi në sekondat e fundit është Devolli që shkurton shifrat në 3-1, gol që u lë disa shanse "të kuqve" për t‘u kualifikuar.

Kupa e Shqipërisë

Çerekfinalet

Dinamo-Partizani 3-1

Allmuça 6‘, Pejiç 45‘+3‘, Ishka 72‘ / Devolli 89‘

Besa-Vllaznia 2-2

Xhihani 40‘, Lila 67‘ / Sinani 51‘, Ramadani 90‘ (ag)

Elbasani-Teuta 1-1

Nenaj 36‘ / Gega 72‘

Kastrioti-Tirana 0-3

Duro 45‘, D.Xhafaj 55‘, Arapi 71‘

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›