E Diel, 1 Nëntor 2026

Të vegjlit, "puç politik" dy partive të mëdha. Mbledhin të vetëm komisionin

Hendeku politik mes partive të vogla dhe dy partive të mëdha sa vjen dhe thellohet. Duke u shkëputur nga debatet e ndërsjella nëpërmjet shtypit, ku lihet të kuptohet qartë që urat e bashkëpunimit janë ndërprerë mes tyre dhe shkak për këtë është reforma zgjedhore, tashmë debati ka kaluar në hapa më konkretë. Hapin e parë e kanë hedhur dje partitë e vogla, të cilat kanë mbledhur Komisionin e Reformës Zgjedhore pa praninë e dy bashkëkryetarëve, Ilir Rusmalin e PD-së dhe Kastriot Islamin e PS-së. Të vegjlit janë munduar të bëjnë një "puç politik" ndaj të mëdhenjve, duke theksuar para mediave se nuk janë ata shkaktarët e pezullimit të punës në Komisionin e Reformës, por janë dy partitë e mëdha, të cilat duan të bëjnë një reformë zgjedhore sipas preferencave të tyre për të lënë të lira shtigjet e manipulimit në zgjedhjet e ardhshme. Kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, i cili ka drejtuar edhe mbledhjen e djeshme të Komisionit të Reformës Zgjedhore, ka riformuar edhe një herë kërkesën e firmosur nga 10 parti, ku kërkohet sistemi proporcional i personalizuar, pa prekjen e pragut dhe lista të hapura. Kryetari i PAD-së është munduar të shprehet sa më bindës para mediave, duke theksuar se kjo lëvizje e partive politike vjen si një detyrim para shqiptarëve për t‘u krijuar atyre një sistem zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. "Ne, tha Ceka, i kemi refuzuar ofertat e të mëdhenjve për të qenë pjesë e listave të tyre. Të mos preket pragu dhe listat të jenë të hapura. Secili nga ne ka marrë nga një premtim nga politika e re, që në Parlament duhet të jemi me praninë e politikës së re. Por emërime që vijnë nga Partia e Punës kanë vdekur njëherë e mirë", ka theksuar Ceka. Qëndrimi i Cekës është mbështetur edhe nga kryetarët e tjerë të partive politike, të cilët kanë shkuar më tej me akuzat ndaj dy të mëdhenjve. Kreu i grupit parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, ka akuzuar dy forcat e mëdha, se duke pasur minorancën në popull po kërkojnë një reformë të njëanshme për të shkatërruar partitë e vogla. Sipas Madhit, dy partitë e mëdha po sillen si persona që kanë monopolin e gjithë procesit zgjedhor. Ndërsa, përfaqësuesi i LSI-së, Spartak Braho, ka kërkuar shkarkimin e dy bashkëkryetarëve, Ilir Rusmali i PD-së e Kastriot Islami i PS-së. Dy bashkëkryetarët janë shprehur se nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Reformës, pasi nuk ka pasur një kërkesë zyrtare për mbledhjen e tij. Komisioni i Reformës Zgjedhore, megjithëse mblidhet pa praninë e dy të mëdhenjve, të vegjlit nuk do të mund të arrijnë të marrin asnjë vendim konkret. Pasi që në krijimin e këtij komisioni është vendosur që çdo vendim merret me unanimitet dhe nëse një anëtar i vetëm kundërshton vendimin e shumicës, vendimi nuk pranohet, sepse anëtarët e komisionit kanë të drejtë të përdorin veton e tyre. Afati i komisionit përfundon në mes të muajit mars, pra kanë mbetur edhe fare pak ditë dhe partitë politike nuk kanë unifikuar një qëndrim për realizimin e një reforme zgjedhore të pranuar nga të gjithë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›