Pujol: Mediat, fajtore për dëmtimin e Mesit
Kualifikimi në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve ka kaluar disi në hije, pasi në radhët e Barcelonës të gjithë janë të shqetësuar për Lionel Mesin. 20-vjeçari është dëmtuar në muskujt e këmbës së majtë në sfidën me Sëlltik (dëmtimi i katërt i këtij lloji në tre sezonet e fundit) dhe rrezikon deri në një muaj "stop". Për të njëjtin dëmtim, në fillim të këtij sezoni, Mesi ka qëndruar jashtë fushave për pesë javë, ndërkohë që mediat kanë kritikuar ashpër trajnerin Rajkard për mosaktivizimin e rregullt të lojtarit. Kjo situatë ka sjellë edhe reagimin e kapitenit Çarles Pujol, i cili ka akuzuar mediat se ishin pjesërisht fajtore për dëmtimin e Mesit. "Dëmtimi i tij është një mësim për të gjithë", tha mbrojtësi. "Ju bëtë presion që ai të luante kundër Sëlltik dhe shikoni se çfarë ndodhi. Duhet të tregoni më shumë respekt për vendimet e trajnerit dhe të stafit mjekësor".