E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Legalizimet, PS kundër ligjit

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste deklarohet kundër projektligjit të fundit për legalizimet. Kryetarja e grupit, Valentina Leskaj, argumentoi pas mbledhjes së djeshme se projekti është një dështim i radhës i qeverisë. Duke e paralelizuar me dështimin që pati projekti fillestar i qeverisë për legalizimin dhe më pas urbanizimin e ndërtimeve dhe zonave informale. Leskaj vuri në dukje edhe shkeljen ligjore sa i takon rritjes së kompetencave të Agjencisë së Legalizimeve përtej asaj çka lejon logjika juridike. Një tjetër temë e diskutuar në grupin parlamentar kishte të bënte me raportin që pritet të kalojë në Kuvend për Entin Rregullator të Telekomunikacioneve. Leskaj këmbënguli se forca e saj politike nuk mbështet asnjë individ konkret, por është në të drejtën e mbrojtjes së institucioneve. Në rastin konkret, socialistët e cilësojnë si jashtë normales shkarkimin e bordit të ERT-së të realizuar pak ditë më parë me vendim të qeverisë "Berisha". Për këto dy çështje, deputetët kanë marrë vendimin që të votojnë kundër projekteve të paraqitura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›