Lika kërkohet nga Slavia e Sofjes
Mesfushori i talentuar i Vllaznisë, Gilman Lika, mund të largohet nga Vllaznia gjatë merkatos së janarit. Sipas një prononcimi të menaxherit Rudi Vata në faqen e internetit "albania-sport.com", futbollisti i përfaqësueses Shpresa kërkohet nga ekipi bullgar i Slavias së Sofjes. "Aktualisht po menaxhoj mesfushorin Gilman Lika dhe sulmuesin Xhevahir Sukaj. Për Likën ka disa oferta mjaft të mira, ku njëra nga këto është Slavia e Sofjes, që e kërkon me këmbëngulje që në janar. Një ofertë tjetër për të ka ardhur nga Legia e Varshavës në Poloni, një tjetër skuadër e njohur. Të dyja skuadrat kanë shfaqur interes përmes menaxherëve të tyre, ndërsa aktualisht po diskutojmë detaje të mundshme të transferimit të futbollistit. Lika është një djalë me të ardhme dhe për më tepër është një lojtar shumë punëtor. Një tjetër mundësi është edhe kampionati belg, pasi u kam dorëzuar disa skuadrave atje të dhënat e tij", deklaroi Vata. Ndërkohë, nuk është bërë ende i ditur destinacioni i mundshëm i sulmuesit Xhevahir Sukaj.