Ndihma ekonomike, tkurret numri i përfituesve
Fillimi i vitit të ri ul numrin e familjeve nevojtare që marrin ndihmë sociale në Durrës. Ndërsa çdo ditë që shkon regjistron çmime të larta dhe shifra të reja që ndikojnë në rritjen e kostos së jetesës, zyrat shtetërore krenohen me numrin në rënie të familjeve që përfitojnë ndihmë sociale në Durrës. Të përfitosh ndihmë sociale, ndër kriteret kryesore që duhet të plotësojë një familje për ta marrë atë, është të ketë të ardhura nën 7 mijë lekë të reja, pavarësisht nga numri i frymëve. Me një kriter thuajse arbitrar, larg jetës reale, numri i përfituesve nga skema e ndihmës ka qenë çdo vit në ulje në qytetin bregdetar. Nga zyrtarët kjo është trajtuar shpesh si një tregues i rritjes së mirëqenies të familjeve durrsake. Në Durrës është zhvilluar dje analiza e punës vjetore e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve Sociale, gjatë së cilës janë fiksuar arritjet dhe dobësitë e punës së këtij shërbimi. Nga 680 familje që kanë qenë në skemën e ndihmës sociale gjatë vitit të kaluar janë nxjerrë jashtë saj 114 prej tyre. Dalja nga skema e një pjese të familjeve, sipas drejtuesve të shërbimit është bërë pasi kanë rezultuar përfituese të padrejta të ndihmës së marrë. Ndërkohë, pranohet prej tyre se shumë familje të tjera, qoftë dhe nga mosdija, mospasja e informacionit të duhur, nuk e përfitojnë këtë ndihmë sociale ndonëse e meritojnë atë. Inspektorët e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve Sociale kanë bërë verifikimet e duhura për familjet e përfshira në skemë nga pushteti vendor dhe kanë ndërhyrë në rastet e vlerësuara si abuzive prej tyre. Aktualisht, qyteti që ka trefishuar popullsinë e vet si pasojë e lëvizjes së lirë demografike, sipas organizatave jofitimprurëse që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të, numëron mijëra familje të varfra që marrin ushqim veresie dhe nuk arrijnë dot të përballojnë një jetesë minimale. Mungesa e një informacioni zyrtar për gjendjen reale të familjeve, zhvillimit ekonomiko-social dhe varfërisë në Durrës ka bërë që shumë familje të vuajnë pamundësinë e përfitimit të kësaj ndihme minimale nga shteti. Shumë prej tyre nuk e dinë sesi mund ta përfitojnë atë dhe ku të drejtohen, ndërsa të tjera e shohin të pamundur plotësimin e kritereve. Në bashkinë e qytetit-port trajtohen me ndihmë sociale 559 familje me një fond prej 2,3 milionë lekë nga buxheti i shtetit, ndërsa nga buxheti i pushtetit vendor trajtohen 80 familje të tjera. Përfituesve të kësaj skeme, kryesisht gjatë stinës së verës, do t‘u jepet mundësia e punësimit sezonal që do të konsistojë në mirëmbajtjen, pastrimin e zonës së plazhit. Ndërkaq i njëjti problem që cenon realitetin e personave në nevojë është dhe në zyrën e punësimit, ku shifra e të papunëve është një nga më të ulëtat në shkallë vendi.