E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi, ligji ynë, jo si francezi

Franca ka miratuar këtë vit ligjin e ri për arsimin e lartë, madje thuajse në kohë të përafërt me Shqipërinë. Në debatin për mandatet e rektorëve dhe dekanëve të zhvilluar në vendin tonë gjatë muajve nëntor-dhjetor, ndër të tjera u hodh hipoteza që ligji ynë mbështetej në ligjin francez të arsimit të lartë. Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-dekani i Inxhinierisë Elektrike, Gëzim Karapici, ndër të tjera ka deklaruar se "ligji ynë ka për model ligjin francez".

Deklarata është bërë gjatë diskutimit të fundit të ligjit të arsimit të lartë në Parlament, kur mazhorancës iu desh të mbronte ndryshimet që konsistonin në uljen e kohës së qeverisjes së drejtuesve universitarë. Por në ligjin francez të miratuar këtë vit, nuk ka asnjë ngjashmëri me ligjin tonë. Sipas konstatimeve të gazetës "Shqip", në nenin 6 të ligjit francez thuhet se "Presidenti i Universitetit zgjidhet për një mandat katërvjeçar, me të drejtë përsëritje njëherë". Ndërsa në ligjin shqiptar, rektori dhe dekani kanë mandat katërvjeçar dhe mund të kandidojnë vetëm njëherë. Pra, nuk mund të kandidojnë sërish për të njëjtin post.

Ky ndryshim në ligj u bë në muajin nëntor. Ndërkohë, në maj, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e arsimit të lartë, i cili parashikonte që një drejtues të kishte mandat 4-vjeçar me të drejtë kandidimi për herë të dytë, por me kusht që herën e dytë të merrte 60 për qind të votave. Ky nen që mbante atëherë numrin 64, u kontestua nga rektorët dhe dekanët. Ndërsa çështja ishte për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, e paditur nga rektorët, Ministria e Arsimit e ndryshon ligjin. U heq të drejtën e rikandidimit, me pretendimin se po zhbllokon situatën zgjedhore.

Universitetet dhe Ministria e Arsimit kanë kaluar një kalvar të gjatë deri në miratimin e ligjit. Në fakt, ky i fundit është kundërshtuar edhe nga anëtarët e komisionit parlamentar gjatë diskutimeve, para se të mbërrinte në seancë. Sugjerimet e deputetëve të majtë si Valentina Leskaj, apo Marko Bello, nuk janë marrë parasysh. Ai i hap rrugë Ministrisë së Arsimit për të çelur fushatën zgjedhore që u bllokua për shkak të denoncimit që rektorët bënë në Kushtetuese.

Në fillim zgjedhjet u parashikuan të mbaheshin më datë 10 tetor, por meqenëse ligji ishte në Kushtetuese, u pezulluan nga ministri Pollo dhe u nis shqyrtimi i nenit 23 të ligjit, i cili parashikonte që të gjithë ata që rikandidiojnë duhet të marrin 60 për qind të votave për të fituar sërish. Ndërsa ata që kandidojnë për herë të parë shpallen fitues nëse marrin 50+1 për qind të votave. Ky nen, bashkë edhe me vendimin e Kushtetueses, del jashtë loje, pasi Ministria e Arsimit e ndryshoi ligjin. Tashmë, të gjithë ata që kanë një mandat nuk lejohet të marrin pjesë në garë. Ky ndryshim në nenin 23 u ndërmor më datë 1 nëntor nga Kuvendi i Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›