E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i Arsimit të Lartë, Kushtetuesja rrëzon Pollon

Nëse ligjin për arsimin e lartë nuk do të ndryshohej në muajin nëntor, dekanët dhe rektorët do të kishin të drejtë të rikandidonin për postin drejtues. Por përpos kësaj, universitetet do të ishin më autonome. Gjykata Kushtetuese vendosi në dhjetor të shfuqizojë nenin 64 të ligjit të arsimit të miratuar në maj. Pra gjykata deklaron se "ministri i arsimit nuk ka të drejtë të shfuqizojë vendimet e organeve kolegjiale të universiteteve". Çka do të thotë që nëse qeveria do të merrte parasysh vendimin e organit më të lartë të drejtësisë, universitetet do të ishin më të pavarura. Po kështu, Kushtetuesja ka shfuqizuar edhe nenin 23 i cili parashikonte që ata që rikandidojnë për një post drejtues duhet të marrin 60 për qind të votave, ndërsa ata që kandidojnë për herë të parë fitojnë me 50-1 për qind. Ky është një tjetër vendim pro universitetit i dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Nëse ky ligj do të ishte në fuqi, të gjithë kandidatët për dekanë e rektorë me një mandat ato me dy do të ishin të barabartë në garë. Por ka edhe një vendim që shkon pro ligjit, pra pro Ministrisë së Arsimit. Në ligj thuhet se "ministri ka të drejtë të propozojë shkarkimin e rektorit kur shkel ligjin dhe shkarkimin e bën Presidenti". Ky nen është lënë në fuqi si ligj që nuk bie ndesh me Kushtetutën nga gjykata me të njëjtin emër.

Por edhe pse janë dhënë këto vendime, universitetet nuk do të përfitojnë asgjë, tashmë ligji ka ndryshuar. Teksa rektorët paditën ligjin dhe procesi zgjedhor nuk po vonohej, Ministria e Arsimit e ndryshoi ligjin e arsimit të lartë. Edhe pse ligji i ri u votua në Parlament në muajin maj të vitit 2007, në nëntor u bënë edhe amendimet. Kështu nga dy mandate drejtuese u kufizuan në një, ndaj edhe s‘ka më vlerë vendimi i Kushtetueses për heqjen e 60 përqindëshit.

Ende juristët nuk janë deklaruar nëse është e drejtë që të ndryshojë një ligj që është në Kushtetuese, gjithsesi qeveria e bëri atë fakt të kryer. Zgjedhjet në universitete po zhvillohen në bazë të neneve të reja, ku asnjë dekan dhe rektor nuk kandidon për postin që ka pasur. Pra kemi emra të rinj në krye të institucioneve. Por nuk është hequr e drejta e kandidimit të një ish-drejtuesi për një pozicion të ri. Kjo ka bërë që dy ish-dekanë Lukan Puka dhe Dhori Kule të jenë kandidatë për postin e rektorit. Po kështu, edhe në universitetet e rretheve profesorë që kanë qenë shefa departamentesh kandidojnë për dekanë dhe këta të fundit për rektorë.

Ministri i Arsimit, Genc Pollo, deklaroi ditën e fundit të vitit 2007 se "zgjedhjet për rektorë e dekanë po zhvillohen normalisht dhe pa kontestime në universitete, në bazë të ligjit për arsimin e lartë". Ai rrëzoi pretendimet, që i cilësoi zhurmatore të disa politikanëve e dy-tre ish-menaxhereve poltroniste në shkollat e larta. "Për herë të parë në historinë e universiteteve shqiptare voton i gjithë personeli akademik dhe e gjithë trupa studentore", tha Pollo, dukë përmendur arritjet, por nuk u shpreh aspak për vendimet e Kushtetueses, që rrëzuan ligjin e hartuar prej stafit të tij.

Që në maj kur u miratua ligji e deri në nëntor, kur u bënë mendimet, dekanët dhe rektorët nuk kanë reshtur së kundërshtuari ligjin për arsimin e lartë. Përpjekjet e tyre kanë konsistuar edhe promemorie për Kryeministrin apo letra për Presidentin Topi dhe ish-presidentin Moisiu. Për hir të së vërtetës, asnjë prej autoriteteve shtetërore nuk i ka mbrojtur, që do të thotë nuk ka marrë parasysh kërkesat e tyre. Nisur nga ky problem ato iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, sapo ligji hyri në fuqi në maj. Kjo e fundit vendosi të pezullojë një pikë të nenit 64 dhe nenit 23. Pra iu dha të drejtë. Por kjo e drejtë iu mohua sërish nga Parlamenti. Me votat e shumicës, ligji për arsimin e lartë ndryshoi pa u dhënë ende vendimi i Kushtetueses. ri.de.

mandati

Kushtetuesja ka shfuqizuar edhe nenin 23, i cili parashikonte që ata që rikandidojnë për një post drejtues duhet të marrin 60% të votave

vendimi

Pra gjykata deklaron se "ministri i Arsimit nuk ka të drejtë të shfuqizojë vendimet e organeve kolegjiale të universiteteve"

Çfarë kanë ndryshuar rektorët në ligj

Ata kanë arritur të heqin gjatë diskutimeve në komision vetëm nenin 95, që i jepte ligjit fuqi prapavepruese, ndërsa mbeti në fuqi neni 23. Bëhet fjalë për diskutimet e pranverës së vitit 2007. Në pikën 1 të tij thuhet se "Organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë zgjidhen për një mandat 4-vjeçar. Autoritetet drejtuese zgjidhen deri në dy herë radhazi në të njëjtin funksion. Autoriteti drejtues i një institucioni publik të arsimit të lartë, që konkurron në mandatin e dytë për të njëjtin funksion, duhet të sigurojë 60 për qind të numrit të vlefshëm të votave për t‘u shpallur fitues". Ky nen tashmë nuk është më në fuqi, jo sepse ishte antikushtetues me vendim gjykate, por se ligji ndryshoi sërish duke e hequr fare të drejtën e rikandidimit. Një ligj ky që hodhi në erë jo vetëm debatet, por edhe vendimin e gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›