Fier, shifra alarmante, në një vit janë vetëflijuar 104 persona
Shifra alarmante të vetëflijimeve në Rrethin e Fierit gjatë vitit që lamë pas. Ndërsa mjekët tregojnë gjunjëzimin e tyre ndaj numrit në rritje të të vetëhelmuarve, akuzojnë mungesën e një bashkëpunimin ndërinstitucional për parandalimin e rasteve. Ndryshe nga një vit më parë ku Rrethi i Lushnjës zinte vendin e parë për raste të shumta të të vetëhelmuarve, gjatë vitit 2007 ka qenë Rrethi i Fierit ai që ka shënuar një numër me 30 raste më shumë se vitin e kaluar. Gjithçka është komentuar nga mjekët e Fierit si dhe ata të statistikave në Drejtorinë e Shëndetit Publik si një fenomen shqetësues që pikënisjen e ka te mungesa e sensibilizimit dhe më pas te gjendja e rëndë ekonomike. 104 raste vetëhelmimesh janë regjistruar në repartin e intoksikimit të Spitalit Rajonal Fier, gjatë gjithë periudhës 12-mujore. Ndërkohë që prej Drejtorisë së Shëndetit Publik në Fier dhe pikërisht prej zyrës së statistikave deklarohet për gazetën "Shqip" se numri i të vetëhelmuarve është edhe më i lartë, pasi në regjistrat e spitalit janë shënuar vetëm ata që i janë drejtuar mjekimit edhe pse nuk kanë shpëtuar, kurse 30 të tjerë kanë vdekur. I vetmi toksikolog në Rrethin e Fierit, Kilo Stoja, në një prononcim për gazetën "Shqip" ka pohuar shtimin e numrit të rasteve të të vetëhelmuarve dhe ka detajuar se "Rrethi i Fierit, gjatë vitit 2007, shënon raste vetëhelmimi më shumë se tre vitet e shkuara, kur ky fenomen ishte alarmant". "Kemi një numër mjaft të lartë të vetësakrifikuarve. Vetëm zonat rurale të Rrethit të Fierit numërojnë për këtë vit 72 raste, kurse pjesa tjetër i përket qendrës së qytetit. Nga të gjitha grupmoshat është parë fenomeni i vetëhelmimit dhe për 2007-ën duhet theksuar se ka pasur dhe mjaft të moshuar, çka tregon se kjo shtresë është më e kërcënuar nga kushtet ku jeton. Shtrirja gjeografike dhe ajo e moshës është e gjithëpërfshirë në këtë fenomen të rëndë për shoqërinë e sotme të Fierit", është shprehur për "Shqip" Kilo Stoja. Gjithashtu ai ka theksuar se gjatë vitit të kaluar rastet e vetëhelmimit, si medikament toksikimi kanë përdorur jo vetëm lëndë kimike bujqësore, por edhe medikamente mjekësore. "Me medikamente mjekësore kemi më shumë se 30 raste, e që shumica e tyre janë regjistruar gjatë tre muajve të fundit të vitit që u mbyll". Por, me shifra më të ulëta paraqitet Rrethi i Lushnjës. Ndërsa për vitin e kaluar, ky rreth numëronte më shumë se 184 raste për vitin që lamë, ka shkuar në 100 raste. Për Rrethin e Lushnjës mbetet i njëjtë jo vetëm pozicionimi gjeografik, por dhe grupmosha që prek këtë fenomen, që është ajo e moshës së re që vjen nga zonat e thella rurale. Zyrtarisht në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Fier pranohet se nuk ka pasur asnjë spot apo forum të hapur për këtë fenomen. Ajo çka i është kushtuar rëndësi prej këtij institucioni ka qenë vetëm mbështetja mjekësore, e cila në pothuaj të gjitha rastet ka qenë e kotë, pasi i vetëhelmuari ka gjetur vdekjen.
Rasti i fundit i vetëflijimit, më 31 dhjetor
Në spitalin e Fierit, mjeku toksikolog Kilo Stoja pranon se mungesa e psikologëve në institucione si dhe niveli i ulët ekonomik dhe mentaliteti i dobët ka çuar në një fund tragjik. Mjeku thekson gjithashtu në mbështetje edhe të specialistëve të tjerë të Shëndetit Publik se rënia e nivelit ekonomik gjatë vitit të kaluar, si dhe rritja e papunësisë, ka shtuar rastet. Për vitin që u mbyll, në Fier ka qenë në shifra të larta edhe vetësakrifikimi, duke u hedhur nga lartësitë. Si 12 mujor, vetëm Fieri numëron 25 raste vdekjesh, që si shkak kanë pasur hedhjen nga pallatet shumëkatësh. Jo vetëm seksi femër, por edhe meshkujt kanë zgjedhur këtë si mjet, për t‘i dhënë lamtumirën e fundit jetës së tyre. Mjekët janë të pafuqishëm të ndërhyjnë, por theksojnë se ky fenomen zbutet nëse me të vërtetë do të ekzistojë psikologu. Rasti më i fundit i vetëhelmimit me medikamente mjekësore ka qenë më datën 31 dhjetor, ku një 24-vjeçare i dha fund jetës, duke gëlltitur një grusht me medikamente si paracetamol e klorofenikol. Kurse në total rastet e vetëvrasjeve me mënyra të tjera, për të gjithë Qarkun e Fierit paraqiten në shifra shumë herë më të larta. Përballë gjithë këtyre rasteve, qëndron indiferentizmi i instancave shtetërore, që duhet të kishte dalë nga përgjumja e viteve të tërë në pritje për një ndryshim të madh.