Çfarë është policimi në komunitet
Ngjarjet më të fundit tragjike që sollën sërish në vëmendjen e opinionit publik problemin e dhunës në familje, rikthyen edhe një herë diskutimin e efektshmërisë së strukturave të policisë në parandalimin e këtij fenomeni. Specialistët që prej vitesh janë duke studiuar përvojat më të përparuara moderne të punës së policisë i mëshojnë fort konceptit të policimit në komunitet, ndërsa partnerët e huaj kanë investuar jo pak për futjen e kësaj metode pune në policinë shqiptare. Po ç‘përfaqëson në vetvete ky sistem pune? "Policimi i bazuar në komunitet është një filozofi, (mënyrë të menduari) si dhe një strategji organizative (rrugë për të zbatuar filozofinë) që i lejon policisë dhe komunitetit, për të punuar bashkë me mënyra të reja për të zgjidhur problemet e krimit, rendit dhe çështjet e sigurisë".
Ekspertët thonë se kjo filozofi është ndërtuar mbi besimin se njerëzit meritojnë dhe kanë të drejtën për të pasur një mendim për policinë në shkëmbim të pjesëmarrjes dhe mbështetjes së tyre. Zgjidhjet për problemet e komunitetit kërkojnë që policia dhe publiku të gjejnë rrugë të reja për t‘iu adresuar problemeve të tij dhe jo vetëm në rastet e incidenteve apo ngjarjeve kriminale. Policimi në komunitet prek punën që duhet bërë për zgjidhjen e problemeve specifike si përdorimi i drogës, grumbullimi i armëve dhe trafiku i qenieve njerëzore dhe në tërësi për krimin që prek më shumë komunitetin. Ai duhet të zhvillohet drejt një shërbimi profesional policor dhe një komuniteti të përgjegjshëm, në një partneritet të hapur dhe të besueshëm.