"Ethet e arit", banorët shkatërrojnë varrin antik
Zbulimi i një varri antik gjatë punimeve për Rrugën e Arbrit ka zgjuar "ethet e arit" te banorët e një zone në veri të vendit, të cilët thuajse e kanë shkatërruar një varr antik të sapozbuluar. Situata e krijuar pikërisht në fshatin Sofraçan, ka bërë që policia të marrë përsipër mbrojtjen e këtij varri, i cili mund të bëhet objekt shkatërrimi ose vjedhjeje, duke sjellë kështu zhdukjen e disa vlerave kombëtare. E gjithë kjo ka filluar para pak ditësh. Një firmë ndërtimi, e cila ka fituar tenderin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, po punonte në zonën e fshatit Sofraçan. Makineritë, duke gërmuar për shtrimin e rrugës, kanë pikasur disa pllaka varri, që punëtorët e i kanë larguar tutje, për të parë se çfarë kishte brenda tyre. Pikërisht në atë vend, një nga punëtorët e firmës ka gjetur dy përkrenare bronzi, të mbajtura në kushte mjaft të mira. Fillimisht, pas heqjes së pllakës, punëtorët kanë gjetur një përkrenare, të cilën e ka marrë një punëtor krahu, që quhet Florenc Hatija. Më vonë aty janë afruar edhe punëtorët e tjerë, të cilët kanë nisur të gërmojnë në varrin arkeologjik. Një tjetër punëtor, Ruzhdi Bitri, ka gjetur një tjetër përkrenare, duke e mbajtur nën kujdes, pasi sipas tij ajo përbën një vlerë kombëtare. Por, e gjithë kjo histori ka sjellë interes te të gjithë punëtorët, të cilët kanë filluar të gërmojnë me shpresën se brenda do të gjenin flori. Madje, një fjalë e tillë është përhapur edhe në fshat, ku banorët kanë dëgjuar se aty ka qypa me flori që kanë mbetur që në kohën e ilirëve. Kaq është dashur që ata të tentojnë të hyjnë në zonën e zbuluar dhe të kontrollojnë për floririn e ëndërruar. Megjithatë, ata nuk ishin të vetmit që kanë shfaqur interes për varrin arkeologjik. Interesi është rritur edhe te punëtorët, ku njëri prej tyre është larguar natën bashkë me përkrenaren. Ai nuk ka pranuar ta dorëzojë, duke pretenduar se ajo ishte vetëm një teneqe për t‘u hedhur. Ndërsa banorët që të nesërmen janë sulur duke kërkuar gjëra me vlerë dhe duke dëmtuar rëndë varrin antik. Kjo situatë kritike ka alarmuar edhe arkeologët, ku sipas të dhënave kanë kërkuar ndihmën e policisë. Këta të fundit bënë të ditur se pas dëmtimit të parë të varrit antik, tashmë ai është marrë nën mbrojtje. Megjithatë, ende nuk dihet nëse janë shpëtuar gjithë sendet me vlerë të këtij varri, apo janë bërë objekt vjedhjeje. Autoritetet policore kanë ngritur dyshimet se bashkë me përkrenaret mund të ketë pasur edhe shtiza luftëtarësh, për të cilat mendohet se mund të jenë vjedhur. Megjithatë, kjo mbetet në kuadrin e dyshimeve, derisa të dalin në një konkluzion ekspertët e arkeologjisë. Nga ana e saj, policia bëri të ditur se ka nisur një hetim në lidhje me "vjedhjen" e njërës përkrenare, pasi tjetra është gjetur dhe mbahet nga një punëtor. Sipas arkeologëve, të kontaktuar menjëherë pas lajmit, theksohet se në këtë zonë është kalaja historike e Sofraçanit, e cila i përket periudhës ilire dhe kohës antike të vonë. Ndërsa për dy përkrenaret e gjetura aty, arkeologët mendojnë se janë të shek. V-IV para Krishtit. Në lidhje me këtë rast, uniformat blu kanë nisur punën për identifikimin e personave që mund të kenë ndërhyrë në varrin antik, duke e shkatërruar atë, që për arkeologët ka vlera me shumë rëndësi. Madje, grupi hetimor ka marrë në pyetje disa persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen flagrante. Por, deri dje nuk ka pasur ndonjë emër konkret për policinë, kështu që kjo e fundit është e detyruar të mbajë nën vëzhgim këtë zonë, derisa ajo të merret plotësisht në mbrojtje nga autoritetet e arkeologjisë, që do të kryejnë kërkime të tjera.
Dëshmia
"Përkrenare?! Ajo
teneqe u shit për skrap"
Punëtori që gjeti përkrenaren e parë në vendin e quajtur "Qafa e varreve", është nga Fieri dhe quhet Florenc Hatija. Në një bisedë telefonike me të, ai pranoi që e ka marrë objektin me vete. Por për Florencin, ajo nuk ishte përkrenare, por një tip teneqeje, apo një send prej hekuri, që ai siç tha, e kishte hedhur. Por këmbënguljes me pyetje për ta ditur se ku e kish hedhur (që të mundet të shkojnë ta marrin specialistët e arkeologjisë), ai iu përgjigj se "ishte hedhur në plehra, por fëmijët e kishin marrë dhe e kishin shitur për skrap. Siç rrëfeu dhe Bitri, Hatija (identiteti i tij përmendet nga ne, sepse kolegu i tij dibran nuk pranonte t`ia bënte të ditur), u largua drejt shtëpisë natën, disa orë pasi u gjet përkrenarja, të cilën ai e mori me vete. Dhe sipas fjalëve të vetë Hatisë, i bie që ai të ketë udhëtuar nga Bulqiza drejt Fierit me një teneqe me vete, që më pas është shitur për skrap. Gjithsesi, nga Instituti i Arkeologjisë thuhet se nuk është kompetencë e tyre të merren me precedentin e personit në fjalë.
Sipas gjykimit të arkeologut Adem Bunguri
"Përkrenaret, një vlerë e madhe për arkeologjinë"
Zbulimi i ndodhur në fshatin Sofraçan, në vendin e quajtur "Qafa e varreve", sipas specialistit në Institutin e Arkeologjisë, Dr. Adem Bunguri, i cili ka shkuar në vendngjarje, ka vlera të mëdha për fushën. Sidomos për faktin se numri i përkrenareve të gjetura deri më tani në të gjithë territorin shqiptar është vetëm 18, çka tregon për një zbulim jo të zakontë arkeologjik. Ai thotë se zbulimi i këtyre përkrenareve ka një rëndësi të veçantë historiko-kulturore. "Ato plotësojnë njohuritë tona mbi armët mbrojtëse të përdorura nga ilirët, në fazën e vonë të periudhës së hekurit dhe fillimet e periudhës qytetare në Iliri dhe dëshmojnë për nivelin e lartë të kulturës ilire në përgjithësi", shprehet kështu arkeologu Bunguri. Sipas tij, të dyja përkrenaret janë të njëjta, ose të një tipi. Sipas përshkrimit të tij, përkrenaret përbëhen prej një petë monolite bronzi, veshur me një patinë jeshile nga koha e qëndrimit në tokë. Ato kanë hapësen e fytyrës trapezoidale, ndërsa mbrojtëset e faqeve ndahen nga mbrojtësja e mbizverkut në zonën e mbiveshëve me kënd të mprehtë. Kalota është e rrumbullakët dhe përshkohet për së gjati nga dy kreshta simetrike ose shirita plastikë, madje njëra prej tyre ruan deri edhe vrimat për montimin e aplikave zbukuruese si pendë, pubëz, brirë etj. Buzët e hapjes së përkrenares, si dhe të mbrojtësve të faqeve, janë zbukuruar nga një shirit dekorativ i puçërruar.
Flet Ruzhdi Bitri, një nga poseduesit e vlerave të zbuluara
Punëtori: Përkrenaren do t‘ia dorëzoj shtetit me ceremoni
Ruzhdi Bitri kishte fatin të ishte i dyti person të cilit i ra në dorë përkrenarja e dytë e gjetur në trasenë e rrugës në ndërtim, atë të "Arbrit". I mbajtur si një dibran tipik, me nder e besë e njëfarë "intelektuali malesh" për shkak të profesionit prej mësuesi letërsie e me një afeksion të veçantë për shkencat filologjike, ai premton se do ia kthejë shtetit, më saktë Institutit të Arkeologjisë, atë çka gjeti pasditen e 21 shkurtit. "Do ia kthej me ceremoni, m‘u aty ku u zbuluan, por dua që të më njihet autorësia e aktit të ruajtjes dhe kthimit të tyre", shprehet Bitri, të cilit këto ditë i bie telefoni më shumë se zakonisht nga persona që interesohen për vlerat që ai posedon. "Nuk më ka shkuar në mendje të bëj trafik me përkrenaren. Unë e di vlerën e tyre. E di që ato i përkasin trashëgimisë dhe kulturës kombëtare. Arsimimi dhe formimi që kam nuk më lejon të bëjë pazare me vlera të tilla", shprehet Bitri, që gjithsesi nuk ka dëshirë t‘i përmendë emrin kolegut, i cili është larguar në mënyrë klandestine nga puna së bashku me përkrenaren e gjetur. Zbulimi i parë, thotë Bitri, ndodhi aty nga ora 16:00 e pasdites së datës 21. Unë nuk isha në vendngjarje, por më thirrën dhe erdha. Objektin e gjetur e kishte marrë një prej punëtorëve që kish qëlluar afër tij. Ne u përpoqëm shumë ta bindnim që objekti duhej t‘i kthehej shtetit, përkatësisht arkeologëve, por ai e mbajti si pronë të tijën. Por, aty nga mesnata, kur ne u ngritëm e dolëm në front për shkak të një avarie, ai nuk gjendej në shtrat. E telefonova dhe më tha se ishte nisur për në shtëpi për një hall familjar. Në fakt, nuk kam të drejtë ta paragjykoj se vërtet kishte hall. Sa për fatin e objektit që ka marrë me vete, flisni vetë me të, nëse e njihni", thotë Bitri. Veç përkrenares, ai posedon si gjetje edhe ca qeramika, ndërkohë që te gjetjet përfshihen dhe ca eshtra e një kafkë. Si i pasionuar pas historisë, Bitri rreket të përcaktojë dhe ai një datim të përafërt të zbulimeve, me aq njohuri sa zotëron nga fusha. Por i bindur është që ato janë ilire. Tashmë, pasi është "ngopur" duke i poseduar personalisht ato vlera të rralla, ai po projekton në mendje ceremoninë e dorëzimit të tyre, që do shërbejë dhe si një apel për të gjithë ata ndërtues rrugësh, të cilët hasin në gjetje të tilla e që përveç faktit që nuk lajmërojnë specialistët sipas ligjit, edhe molepsen për t‘i trafikuar.