E Diel, 1 Nëntor 2026

FBI kërkon shqiptarin për një dëshmi

FBI-ja ka shpallur në kërkim një shqiptar, i cili mendohet se mund të ndihmojë në zbardhjen e një vrasjeje të ndodhur rreth një muaj më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Policia amerikane e shikon shumë të domosdoshme dëshminë e 23-vjeçarit, vendndodhja e të cilit nuk dihet prej më shumë se dy muajsh. Elis Kërtusha quhet shqiptari, i cili mendohet se ka ardhur në Shqipëri që në muajin dhjetor të vitit 2007 dhe që mund të ketë dijeni për vrasjen e italianit me nënshtetësi amerikane, Gennaro Fato. Dy ditë më parë, mediat amerikane raportuan se një 23-vjeçar shqiptar kërkohet nga SHBA-ja për t‘u marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e 74-vjeçarit Fato. Lajmi u publikua nga gazeta "Uashington-Post", në edicionin e së shtunës. Për gjetjen e Kërtushës, autoritetet amerikane kanë kontaktuar Interpolin dhe autoritetet e policisë shqiptare. Në fakt, Elis Kërtusha është nipi i gruas së dytë të viktimës. Gazeta shkruan se sipas policisë së atjeshme, 23-vjeçari shqiptar është larguar nga Uashingtoni në muajin dhjetor drejt Shqipërisë. Më tej, policia ka shpjeguar se Kërtusha nuk konsiderohet i dyshuar për vrasjen, por gjithsesi marrja e tij në pyetje është e domosdoshme për grupin hetimor. Por, deri tani si Interpoli dhe autoritetet shqiptare kanë rezultuar të pasuksesshëm në lokalizimin e 23-vjeçarit. Sipas të dhënave nga policia shqiptare, informacioni për kërkimin e shqiptarit ka ardhur nga Interpol-Tirana pak ditë më parë dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e këtij personi. Por, nga adresa e marrë nëpërmjet bashkëpunimit me policinë amerikane, ka rezultuar se nuk kanë mundur të gjejnë një person i tillë. Kërkimet kanë vijuar sërish nga policia shqiptare për këtë person dhe në një kohë të shkurtër pritet që të mundësohet edhe gjetja e tij. Më tej, ai mund të merret në pyetje edhe nga policia shqiptare për llogari të homologëve të SHBA-së, ose i kërkuari do të dërgohet atje për seanca pyetjesh. Policia amerikane ka këmbëngulur se dëshmia e tij është e domosdoshme për hetimet në lidhje me identifikimin e autorëve që vranë 74-vjeçarin. Sipas të dhënave, ai mund të jetë në dijeni të emrave të personave që kanë ekzekutuar viktimën. Sipas policisë amerikane, thjeshtri i viktimës do të pyetet për të njohurit e tij dhe se cilët prej tyre dinin shtëpinë. Gjithashtu, policia tha se ka pyetur disa nga miqtë e Kërtushës, por jo të gjithë. Policia amerikane ka bërë të ditur se viktima Gennaro Fato është qëlluar me thikë më 23 janar të këtij viti nga dy persona të maskuar, teksa ai dhe gruaja e tij mbërritën para shtëpisë së tyre në Martins Deiri Sirkëll të Meriland. Pasi ka hetuar të gjitha pistat e mundshme, policia kërkon të pyesë edhe shqiptarin Kërtusha, veçanërisht për disa shokë të tij, të cilët mund të jenë të dyshuar. Por nga ana tjetër, familja e viktimës ka kërkuar medoemos gjetjen e autorëve. Madje, ata kanë ofruar 25 mijë dollarë për gjetjen e fajtorit. Këtë ofertë, familja e ka bërë nëpërmjet mediave vendase. Një natë më parë, Paolina Pellegrino, 44 vjeçe, e cila është vajza e gruas së parë të Fato-s, ka ndezur qiri në kujtim të tij, duke rrëfyer për të se ai ishte një njeri i ndershëm që kishte lindur në Itali. Më pas, ai ka nisur tregtinë e tapicerive me Venezuelën dhe ka emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte ndërtuar një biznes të suksesshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›