Ina Rama, 5 "detyra shtëpie" për prokurorët
Largimi i Kryeprokurores Ina Rama në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një periudhë trejavore, ka pasuar një femër tjetër në krye të organit të akuzës. Krahas drejtuesve të drejtorive kryesore, shefja e kabinetit Miranda Bushi "drejton" burrat e akuzës qendrore, ndërsa ka dhënë edhe urdhrat e parë, nën rekomandimin e Ramës. Burime pranë akuzës qendrore thanë se në tryezën e punës të çdo punonjësi gjenden katër urdhra: Përkushtim, disiplinim, forcim dhe ristrukturim. Edhe në tryezën e prokurorëve të rretheve janë katër urdhra: Forcim, përqendrim, orientim dhe pavarësi.
Në akuzën qendrore
Kryeprokurorja Ina Rama ka firmosur disa urdhra për vartësit e saj në akuzën qendrore. Urdhri i parë ka të bëjë me përkushtimin e drejtueseve të prokurorive në kohë të plotë të këtyre hallkave dhe angazhimin e tyre në proceset gjyqësore në çështje të veçanta. Në lidhje me disiplinimin e marrëdhënieve me shtypin, Rama ka vë në theksin në ruajtjen e sekretit hetimor dhe duke dhënë ato të dhëna që nuk dëmtojnë hetimin në rrugë institucionale nëpërmjet zëdhënësve respektivë të prokurorive të rretheve dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. "Forcimi i kontrollit të brendshëm nëpërmjet kontrolleve të ushtruara nga prokurorë më të lartë te prokurorë më të ulët dhe nga inspektimet në bazë të ligjit për prokurorinë", është një urdhër tjetër i Kryeprokurores, ndërsa ristrukturimi ka të bëjë me reformën që është ndërmarrë së fundi në akuzën qendrore. "Reforma në Prokurorinë e Përgjithshme, nëpërmjet ristrukturimit të kësaj hallke dhe përcaktimi në mënyrë të detajuar i detyrave të çdo drejtorie dhe sektori që do të funksionojë pranë Zyrës së Prokurores së Përgjithshme", është urdhri i fundit i kreut të akuzës për vartësit e saj.
Prokurorive të rrethit
Për sa i përket prokurorive të rretheve, Prokurorja e Përgjithshme ka vënë theksin në forcimin e bashkëpunimit të punës me të gjitha hallkat e prokurorisë. Urdhri i dytë ka të bëjë me përqendrimin e forcave në hetimin e çështjeve që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik, korrupsionin, lëndë t narkotike etj. "Hetimi i këtyre çështjeve duhet të bëhet pa abuzuar me zgjatjen e hetimeve", urdhëron ajo, duke shtuar se duhet një orientim për një prezencë më të madhe të prokurorëve ku ndodhin krime të rënda si dhe veprime procedurale të një procesi hetimor. Krerët e prokurorive të rrethe, sipas Ramës, duhet të forcojnë rolin dhe pavarësinë e prokurorit në hetimin paraprak në raport me drejtuesit e prokurorisë. Një tjetër "kërkesë" nga Rama është vëmendja në lidhje me forcimin e disiplinës në punë të prokurorëve si pjesë e performancës dhe etikës së prokurorit.