Ministrat i kërkojnë para të tjera Berishës për vitin 2008
Ministrat kërkojnë para nga shefi i qeverisë, Sali Berisha, për të përballuar shpenzimet e administratës. 14 anëtarët e kabinetit qeveritar i kanë kërkuar Kryeministrit Berisha fonde për blerjen e makinave, karburanteve, kompjuterëve, mallrave dhe produkteve të kancelarisë. Përveç këtyre shërbimeve, të cilat janë të domosdoshme për institucionet shtetërore, administrata publike në kërkesën e saj ka përfshirë edhe blerjen e mallrave ushqimore, me përjashtim të mallrave që prishen, si fruta-zarzavate të freskëta apo artikuj të tjerë të ngjashëm. Ministrat kanë paraqitur kërkesën e tyre me shkrim në Ministrinë e Brendshme, e cila është duke hartuar regjistrin për prokurimet publike për të mbuluar kërkesat e të gjitha ministrive dhe institucioneve në varësi të tyre. Të gjithë ministrat e qeverisë "Berisha" kanë hartuar në një kohë rekord listën e shërbimeve, e cila fillon me shumën totale të karburanteve, riparimin e makinave të vjetra dhe blerjen e automjeteve të reja dhe përfundon me blerjen e mallrave ushqimore. Sipas një vendimi të fundit të Këshillit të Ministrave, Ministria e Brendshme ngarkohet për të kryer procedurat e prokurimit publik për mallrat dhe shërbimet që u nevojiten ministrave dhe administratës publike. Fillimviti i 2008-ës ka lënë administratën shtetërore pa furnizime dhe për këtë arsye Kryeministri Berisha ka vendosur që këto shpenzime të mos jenë më në varësi të Këshillit të Ministrave, por të jetë Agjencia e Prokurimeve Publike ajo që të administrojë këtë proces, në mënyrë që gjithçka të bëhet sa më transparente.
Procedura
Për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit, të gjithë ministrat brenda muajit shkurt duhet të dorëzojnë në Ministrinë e Brendshme
listën me shërbimet që u nevojiten gjatë këtij viti. Për të dorëzuar listën, ministrat kanë pasur kohë deri më 20 shkurt, megjithatë Ministria e Brendshme konfirmon se ka lënë afat deri në fund të muajit për dorëzimin e kërkesës së secilit ministër.
Deri tani në Ministrinë e Brendshme më shumë se gjysma e ministrave kanë dorëzuar listën e gjatë të shërbimeve që u nevojitet për institucionin që përfaqësojnë dhe institucionet e tjera në varësi të tyre.
Lista e shpenzimeve
Kryesisht lista do të mbulojë shpenzimet e administratës, si shërbimet e komunikimit me internet dhe e-mail, blerjen e kompjuterëve dhe makinave të shumëfishimit, blerjen e autoveturave për zyrtarët e lartë të shtetit, blerjen e autoveturave të reja, riparimin e automjeteve të vjetra dhe riparimin e pajisjeve elektrike dhe elektronike. Brenda datës 15 mars, Ministria e Brendshme ka për detyrë të prokurojë fondin limit, të llogaritur si shumë e fondeve buxhetore, të miratuara për çdo institucion.
Dieta e qeverisë
Qeveria ka treguar për të disatën herë që dieta e kabinetit qeveritar ka marrë fund. Në njëvjetorin e qeverisjes Berisha, Kryeministri u shpreh se "qeveria u vendos në dietë dhe kjo duke mos penguar punën e saj. Standardet e reja që u vendosën në përdorimin e parave publike nga administrata nuk lejonin përdorimin e tyre për qëllime private dhe personale", është shprehur Berisha në fjalimin e mbajtur me rastin e njëvjetorit të qeverisë së tij. Sipas Berishës, u shkarkuan 40% të shpenzimeve operative, duke kursyer 46 milionë euro nga taksat e qytetarëve. Sipas një vendimi të vitit 2006-ës nga Këshilli i Ministrave, pjesë e shkurtimeve operative ishte heqja e një numri të madh makinash, ulja e shpenzimeve për gomat dhe shërbimet e tjera. Vendimi i ri për të caktuar nga e para shpenzimet në administratën publike prek vetëm ministrat dhe administratën e tyre dhe jo deputetët. Deputetët do të vazhdojnë të kenë më pak dieta dhe luksi i tyre do të vazhdojë të jetë në nivele të ulëta.