E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjahtari është vrarë më tri saçme derri

Njëri nga katër gjahtarët është vrarë me tri saçme derri. Ky ka qenë përfundimi i grupit të ekspertizës, pas këqyrjes së kufomës së Teki Albrahimit, i vrarë dy net më parë në pyjet e fshatit Neshtë të Rrethit të Librazhdit. Ngjarja e hidhur ka ndodhur rreth orës 18:00 të së shtunës, teksa katër gjahtarë kishin dalë për të gjuajtur në pyjet e fshatit. Vetëm pas mbylljes së ditës, tre të tjerët, vëllezërit Bilali, Skëndër dhe Xhevahir Alcani, kanë vënë re se mungonte shoku i tyre i katërt. Për shkak të largësisë, policia bashkë me grupin hetimor, kanë mundur të shkojnë rreth orës 02:00 të kësaj nate në vendin e ngjarjes ku janë kë qyrur rrethanat, ndërsa është kryer ekspertiza mjekoligjore. Sipas mjekut të ekspertizës në spitalin e Librazhdit, Liman Mnalla, Albrahimi është vrarë me tri saçme derri në kokë. Versionet e para të policisë lokale mbeten vrasje pa dashje, por ende nuk janë përcaktuar se cili nga tre gjahtarët e tjerë ka vrarë shokun e tyre të katërt. Po natën e së shtunës, Policia e Librazhdit ka shoqëruar tre vëllezërit Alcani, por vetëm njëri prej tyre mund të konsiderohet si vrasës pa dashje. Kësisoj, pasioni dhe loja e rrezikshme për të vrarë kafshë të egra, ka përfunduar me vdekje mes gjahtarësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›