Grabisnin me armë, pranga 8 shqiptarëve
Policia e Athinës ka vënë në pranga tetë shqiptarë, të cilët akuzohen për vjedhje me armë dhe grabitje. Bëhet fjalë për një prej organizatave më të rrezikshme të shqiptarëve të goditur kohët e fundit. Sipas Policisë së Athinës, të arrestuarit janë vëllezërit Luftim dhe Gentjan Topalli, vëllezërit Lulzim, Gazmir, dhe Ibrahim Tema, Muharrem Patori dhe dy shokët e tyre, Rexi Qendro dhe Indrit Kadiu. Burimet policore thanë se personat e arrestuar ishin kthyer në tmerrin e periferisë së Athinës. Ata silleshin shumë ashpër me viktimat e tyre, duke i qëlluar dhe kërcënuar me armë. Gjatë pesë muajve të fundit, ata kishin kryer me tepër se nëntë grabitje me armë dhe një seri vjedhjesh spektakolare. Në një konferencë për shtyp, drejtori i antikrimit në Drejtorinë e Policisë së Atikës, Fotis Jorgopulos, tha se të arrestuarit vepronin pothuajse gjithmonë në të njëjtën mënyrë për të grabitur karburante, dyqane, por edhe banesa. Krimi më i rëndë, që tashmë të ndaluarit e kanë pranuar, ka ndodhur pak ditë më parë, kur shqiptarët e armatosur, kanë hyrë në banesën e një gruaje të moshuar. Pasi e kanë lidhur, e kanë torturuar deri sa viktima iu ka dorëzuar paratë e pensionit.