"Ethet", mbrëmë "lamtumira" për Marjeta Billon
Marjeta Billo ishte konkurrentja që mbrëmë u tha lamtumirë "Etheve". Sakaq,
nata e mbrëmshme e "Etheve" përkoi dhe me një festë mbarëkombëtare, atë të shpalljes së Kosovës shtet të pavarur. Për këtë arsye madje, "Ethet" u shfaqën si një zgjatim i entuziazmit madhështor në të gjithë hapësirën shqipfolëse shqiptare edhe për faktin se mbrëmja e 7-të e fazës finale u zhvillua disa hapa larg festës së madhe në sheshin "Skënderbej". Fillimi i tyre nga prezentatori Adi Krasta, natyrshëm pati si kryefjalë Kosovën. Dy herë, salla e tejmbushur e Teatrit të Operës dhe Baletit shpërtheu në duartrokitje të zjarrta, sapo Krasta përmendi çastin historik të shpalljes së pavarësisë. Më pas, gjithçka u përqendrua te "Ethet", te konkurrentët, por që dhe ata duke nisur që nga gjakovarja Dorina Xërxa, i thanë dy fjalë për Kosovën.
Me ritme latine, të katër konkurrentet nisën garën e tyre, duke interpretuar hite të famshme të kësaj rryme. Po ashtu, ato interpretuan dhe në rryma të tjera, si dhe duet me nga një prej etheisteve të eliminuara në edicionet e kaluara. Po ashtu, një përballje me arkitektin, piktorin dhe publicistin Maks Velo, ishte pjesë e konkurrimit. Katërshja e vajzave, iu përgjigj pyetjeve të variantit test-inteligjence formuluar nga Velo, duke ia shtuar në këtë mënyrë larminë mbrëmjes së parafundit të "Etheve". Një moment mbresëlënës i kësaj mbrëmjeje ishte dhe një performancë e rrallë e grupit të baletit të "Top Channel", me flamurin kombëtar, që për nga përmasat gjigante shndërroi në kuq e zi të gjithë skenën e "Etheve", duke përçuar emocione dhe përjetime të veçanta të krenarisë kombëtare, si te spektatori në sallë ashtu dhe tek ai që po e ndiqte nëpërmjet ekranit. Pra, si fillimi ashtu dhe fundi i natës së mbrëmshme të "Etheve", kishte Kosovën të pranishme.
"Etheve" po u vjen fundi. Të dielën e ardhshme do të jetë nata e madhe finale, ku tre konkurrente do të futen në një garë të nxehtë dhe të fortë për të mos qenë në fund të nominuara ta lënë skenën, sigurisht nga votat e publikut. Gjithë gara është për të mbetur e vetme në skenë, por jo e vetmuar. E vetme, si triumfatore e një maratone që ka nisur muaj më parë. Dhe nuk ka qenë farë e lehtë, ashtu siç vazhdon të jetë e vështirë deri në fund, pasi ato konkurrentë që janë eliminuar deri më tani, nuk mund të thuhet se kanë kënduar keq. Përkundrazi, kanë kënduar shumë mirë, por më mirë se ata kanë kënduar ca më të mirë. E të gjithë këta janë futur në "Ethe" vetëm për pak talent, që më pas ka ardhur duke u shndërruar në profesionalizëm të mirëfilltë.
"Punë, punë dhe vetëm punë", këtë moto janë përpjekur ta bëjnë të qartë që në fillim dhe si rregull, ai që e ka zbatuar më fort në praktikë këtë moto, edhe ka ngadhënjyer. Kjo duke gjykuar vetëm nga "pretencat" që jep juria për çdo konkurrent, ku publiku merr "lëndën e parë" për të formuar idenë e saktë se për kë duhet ta japë votën.
Të dielën e ardhshme do të jetë nata finale dhe sipas organizatorëve, kjo mbrëmje do të ofrojë spektakël të vërtetë në çdo drejtim. Që sot kanë nisur përgatitjet për të bërë të mundur realizimin e disa gjetjeve për t‘i dhënë finales madhështinë që i takon. Së bashku me tre konkurrentet, do të ngjiten në skenë dhe ata që e kanë lënë një e nga një garën, kush duke e qarë e kush duke qeshur. Do rikthehen sërish për të interpretuar dhe si kujtesë për publikun që ka votuar "pak", aq pak sa për të mos vazhduar më tej, siç Krasta ua ka thënë në fund: "Nuk vazhdon më garën...". Në këtë mënyrë, publiku, por edhe juria do të kenë rastin të shohin dhe njëherë se mos diku është bërë ndonjë "gabim". Gabim në kuptimin e një "ndëshkimi" të padrejtë që mund t‘i jetë bërë dikujt për shkak se atë natë duhet të realizosh një interpretim të shkëlqyer. Në fakt, të tilla "gabime" janë të pashmangshme dhe janë pjesë e formulës së spektaklit. Sepse, fjalën e fundit e ka publiku, por dhe për faktin se nëse dikush di të këndojë, si rregull duhet ta bëjë këtë në momentin e duhur, aty në skenë kur ia kërkon juria e publiku e jo më vonë, kur nuk vlen as mendimi i jurisë e as vota e publikut. Kjo formulë vlen dhe për një mbrëmje tjetër, atë të së dielës së ardhshme, në natën finale të "Etheve".
Por nuk do kuptohej mbrëmja e kaluar dhe pa të ftohtin e acartë jashtë dhe... brenda në sallën e TOB-it. Duke marrë shkas nga veshja e lehtë e tejet verore e një prej konkurrenteve, prezentatori Krasta pyeti ironikisht nëse kishte apo jo Ministri Kulture që të mundej ta ngrohte atë sallë?! Edhe pse Krasta u tregua mosbesues se kishte ministri (pra, nëse mund ta ngrohte atë sallë), ndoshta fjalët e tij jo tërësisht me humor, por dhe me një apel të rëndë brenda, bëhen shkas për ndezjen e asaj salle jo thjesht me dashuri të deklaruar për artin nga pozita ku nuk të ngrijnë duart!
Konkurrentët
Vijojnë garën:
Kejsi Tola - Tiranë
Marjela Billa - Tiranë
Fatlum Zeka - Prishtinë
Dorina Xërxa - Gjakovë
Dorina Garuci - Shkodër
-----------------------------
Janë eliminuar:
Himena Ymeri - Tiranë
Evin Thana - Prizren
Simona Karafili - Kavajë
Xhensila Myrtezai - Tiranë
Rezarta Smaja - Shkodër