E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjuha si shkencë dhe jo si politikë

Dihet se misioni i studiuesit është të kërkojë dhe të njohë me të gjitha mjetet dhe metodat shkencore që ka në dispozicion të vërtetën mbi objektin që studion, të thellohet mbi të dhe ta pohojë atë ashtu siç i rezulton nga studimi. Si artisti që nuk mund të krijojë pa të bukurën, ashtu edhe shkencëtari nuk mund të bëjë shkencë pa të vërtetën. Kjo do të thotë që studiuesi duhet të jetë i pavarur nga paragjykime ideologjike, politike e nacionaliste të çdo lloji dhe të gjykojë vetëm mbi bazën e kritereve shkencore. Mirëpo kështu duket sikur studiuesit i kërkohet të izolohet nga mjedisi shoqëror e kulturor që e rrethon dhe të mbyllet e të krijojë në kullën e fildishtë, gjë që është e pamundur, sidomos për studiuesit e shkencave shoqërore, të cilët në punën e tyre kërkimore përveç misionit të mirëfilltë shkencor kanë edhe angazhime të tjera shoqërore, kulturore, edukative etj. Kështu që mendimi i pavarur shkencor i studiuesit në çdo vend dhe në çdo kohë, ku më shumë e ku më pak, do të ndeshet me trysni të natyrave të ndryshme që ndikojnë për ta orientuar atë drejt interesave të caktuara etnike, kulturore, politike etj., të cilat jo gjithmonë janë në pajtim me përfundimet që dalin nga kërkimet e mirëfillta shkencore, madje ndonjëherë ndikojnë në shmangien e tyre. Studiuesit, duke mos qenë krejt të pavarur nga vendi dhe koha ku dhe kur zhvillojnë veprimtarinë e tyre shkencore, duke marrë pjesë në procesin e njohjes dhe të vlerësimit të vlerave të kombit të tyre dhe të kohës së tyre, jo rrallë bien viktimë e ideologjive të ndryshme dhe i shmangen pohimit të të vërtetave shkencore, ashtu siç u rezultojnë nga kërkimet e tyre ose i orientojnë kërkimet e tyre sipas parapëlqimeve ideologjike.

Ka shumë mënyra, ka shumë faktorë që mund të ndikojnë për t‘i shmangur kërkimet dhe përfundimet shkencore nga misioni i tyre për të pohuar të vërtetën, por besoj se dy janë ato më kryesoret: ideologjitë politike sunduese dhe ideologjitë nacionaliste, të cilat sigurisht nuk janë të ndara me thikë, sepse mund të jenë të gërshetuara e të përfshira te njëra-tjetra. Të dy këta faktorë mund të çojnë në shtrembërimin e të vërtetave shkencore, ushqejnë diletantizmin dhe amatorizmin, e shndërrojnë prodhimin shkencor në publicistikë politiko-shoqërore, ose në retorikë nacionaliste. Të kushtëzosh mendimin shkencor nga një ideologji e caktuar politike, ta vësh atë në funksion të saj, do të thotë të humbasësh pavarësinë shkencore dhe të ideologjizosh shkencën. Një mendje e pavarur shkencore duhet t‘i shmanget çdo ideologjie partiake. Preokupimi i përhershëm i kërkuesit shkencor duhet të jetë, të ruajë dhe të zhvillojë vetëdijen e një kërkimi të pavarur e objektiv, duke qëndruar larg ndikimeve politike. Kështu, rezultatet e kërkimeve të tij nuk vjetrohen me ndryshimin e sistemeve politike. Kështu duhet të jetë, por për fat të keq, është një realitet i njohur që studimet shkencore, sidomos ato të shkencave shoqërore, janë lënduar nga politika në çdo kohë.

Shkalla e trysninë politike varet nga forma e regjimit në fuqi, nga sistemi politik, ndërsa shkalla e trysnisë nacionaliste varet edhe nga shkalla e emancipimit shoqëror e kulturor të komunitetit ku zhvillohet kërkimi shkencor dhe nga detyrat shoqërore që shtrohen për zgjidhje para tij.

Është jashtë çdo dyshimi se në një sistem jodemokratik, siç ishte ai që sundoi në viset shqiptare për një gjysmë shekulli, kërkimet shkencore, sidomos ato në fushën e shkencave shoqërore, ku përfshihen edhe shkencat filologjike, nuk mund të ishin të pavarura nga politika. Pushteti i kohës nuk e ka fshehur synimin e tij për t‘ia nënshtruar kërkimin shkencor synimeve politike. Sigurisht është e dobishme të bëhen analiza për të vërejtur deformimet që mund të jenë bërë për shkak të trysnisë politike, për t‘i ndrequr ato dhe për të nxjerrë mësimet e duhura që në të ardhme kërkimet shkencore të zhvillohen në mënyrë të pavarur nga ideologjitë partiake të çdo formacioni politik.

Studimet në fushën e historisë së gjuhës besoj se kanë qenë më të mbrojtura nga ideologjizimet dhe politizimet e skajshme banale për disa arsye.

Së pari, vetë fusha e kërkimeve, studimi i evolucionit historik të gjuhës, kryesisht në periudhën antike e mesjetare deri në Rilindje, nuk ka qenë afër problemeve aktuale të politikës së ditës. Problemet më themelore të kësaj fushe, si ato që kanë të bëjnë me etnogjenezën e popullit shqiptar, me origjinën e shqipes dhe autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre, me marrëdhëniet e shqipes me gjuhë të tjera gjatë shekujve etj., mund ta bënin studiuesin që të rrëshqiste më shumë drejt qëndrimeve nacionaliste, sesa drejt politizimeve të mirëfillta. Do të duhej një zell i tepruar politik i studiuesit për të futur politikën e ditës në trajtimin e evolucionit historik të tingujve të shqipes dhe të kategorive gramatikore të saj.

Së dyti, studimet në fushën e historisë së gjuhës shqipe patën një trashëgimi shkencore serioze që vinte nga shkolla gjuhësore të njohura e gjuhëtarë të shquar të gjuhësisë historike krahasuese të gjysmës së dytë të shekullit XIX e të fillimit të shekullit XX, të cilat operonin me metoda rigoroze shkencore dhe prandaj patën arritje të qëndrueshme, që ndikuan fuqishëm në zhvillimet e mëtejshme të gjuhësisë historike e të gjuhësisë së përgjithshme deri në ditët tona. Kështu që edhe studimet tona për historinë e gjuhës shqipe hynë në një hulli shkencore të çelur me dorë të sigurt.

Së treti, një rol të rëndësishëm luajti edhe faktori subjektiv; studiuesit që u morën me studimin e historisë së gjuhës shqipe gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, kur rreziku i politizimit ishte më i madh, kishin një formim shkencor të lakmueshëm, të marrë në shkolla dhe universitete evropiane të njohura, kishin një integritet qytetar, atdhetar e profesional të lartë që i mbronte dhe i ndihmonte që t‘i qëndronin trysnisë politike dhe të mos binin në nivele diletanteske. Të tillë qenë brezi i parë që vunë themelet e gjuhësisë historike shqiptare si A.Xhuvani, E. Çabej, S.Riza, M.Domi, I.Ajeti, Sh.Demiraj, B.Bokshi etj. Këta studiues të shquar sollën në gjuhësinë tonë arritjet më të spikatura të gjuhësisë historike krahasuese në studimin e gjuhës shqipe, zbatuan metoda shkencore në punën e tyre studimore dhe krijuan një traditë dhe modele që do të imponoheshin edhe për brezat e mëpastajmë. Ishte brezi i atyre studiuesve që, me gjithë kushtet e pafavorshme politike, mbajti lidhje me qendrat albanologjike të Evropës dhe me albanologë të vendeve të ndryshme të botës, sidomos nëpërmjet organizimit të konferencave albanologjike në Tiranë dhe të seminareve ndërkombëtare për gjuhën dhe kulturën shqiptare në Prishtinë dhe pjesëmarrjes në kongrese e konferenca shkencore të organizuara në kryeqytete të ndryshme të Evropës. Besoj se ka qenë mençuria, autoriteti shkencor dhe integriteti qytetar i këtyre studiuesve të shquar, të cilët edhe në kushtet e izolimit politik të Shqipërisë nga bota perëndimore mundën të mbanin dritare të hapura ndaj botës shkencore perëndimore. Janë pa dyshim edhe studiuesit e shkencave albanologjike që kanë kontribuar në krijimin e një imazhi të mirë në botë për kombin shqiptar. Siç thotë I.Kadareja: "Gjatë diktaturës gjysmëshekullore komuniste, ndërsa regjimi fitoi përçmimin e gati gjithë botës, kombi shqiptar, i mbyllur si në zhguall prej këtij regjimi, mbeti përgjithësisht i paprekur"1.

Kjo nuk do të thotë aspak që izolimi i vendit gjatë periudhës komuniste, literatura e kufizuar dhe e kontrolluar që hynte në bibliotekat tona, kontaktet e ndrojtura ose të munguara me albanologë të vendeve me të cilat Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike, ndalimi i prerë e i rreptë i çdo kontakti me studiues shqiptarë emigrantë politikë etj., nuk u kanë sjellë dëme kërkimeve filologjike shqiptare. Mjafton të përmendim se ishte i ndaluar çdo lloj kontakti me studiues të afirmuar si Martin Camaj, Namik Resuli, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja etj. N.Resuli punonte në Itali për transkriptimin dhe botimin e plotë të "Mesharit" të Gjon Buzukut, i cili doli më 1958, E.Çabej punonte në Tiranë mbi të njëjtin tekst, pa asnjë shkëmbim informacioni e mendimi me njëri-tjetrin. Botimi i E.Çabejt doli 10 vjet më vonë më 1968, por cilësisht i ndryshëm nga i pari.

Nëse hedhim një vështrim përmbledhës mbi tërësinë e studimeve për historinë e gjuhës shqipe për të parë se si qëndron raporti midis trajtimeve shkencore dhe qëndrimeve kombëtare për çështjet themelore dhe sa ka ndikuar anësia atdhetare apo romantizmi nacional në objektivitetin shkencor të tezave të mbrojtura, mund të pohohet në mënyrë të përgjithshme se studimet në këtë fushë i përshkon deviza e formuluar nga E.Çabej: "Të jemi objektivë, por jo indiferentë", e cila edhe pse duket si kontradiktore, besoj se ka qenë plotësisht e përligjur për rrethanat tona historike e kulturore. Studiuesit tanë janë përpjekur të bashkojnë objektivitetin shkencor me qëndrimin atdhetar kombëtar, por nuk kanë munguar rastet kur shkencëtari ia ka lëshuar vendin atdhetarit. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Studiuesi, sado mendjeftohtë të jetë, nuk mund të qëndrojë duarkryq kur popullit të tij i mohohet identiteti, i vihet në dyshim historia, i përçmohet gjuha dhe vlerat e tjera kulturore, i grabiten heronjtë kombëtarë dhe personalitete të kulturës. Madje është detyrë qytetare dhe atdhetare e tij t‘i mbrojë këto vlera duke përdorur argumente të shëndosha shkencore pa rënë në qëndrime nacionaliste dhe diletanteske. Dhe në përgjithësi kështu ka ndodhur me studiuesit tanë të historisë së gjuhës.

Për të ilustruar këto ide do të ndalem shkurt në tri probleme themelore: Problemi i origjinës së gjuhës shqipe, problemi i traditës së shkrimit të shqipes dhe marrëdhëniet e shqipes me gjuhë të tjera, qëndrimi ndaj huazimeve.

Problemit të prejardhjes së gjuhës shqipe dhe autoktonisë shqiptare gjuhësia jonë i ka kushtuar një vëmendje të veçantë dhe me të drejtë. Këto janë në radhë të parë probleme shkencore që lidhen me etnogjenezën e popujve të Ballkanit dhe probleme me rëndësi kombëtare, sepse janë të lidhura me identitetin tonë si popull. Midis tezave të formuluara për origjinën e gjuhës shqipe, shkencat tona historike e gjuhësore kanë mbrojtur tezën ilire në radhë të parë, sepse ajo mbështetet në argumente historike dhe gjuhësore, ndërsa teza trake vetëm në disa argumente gjuhësore; në radhë të dytë, sepse për ne kjo tezë ka edhe një rëndësi kombëtare: është e lidhur me përkatësinë etnike e territoriale të shqiptarëve, me autoktoninë e tyre në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Prandaj shkencës sonë krahas angazhimit shkencor për të ndriçuar prejardhjen e njërës prej gjuhëve të vjetra të Evropës, i takonte edhe një angazhim kombëtar për të mbrojtur të drejtat historike të popullit të saj. Në trajtimin e këtij problemi besoj se nuk ka asnjë lloj qëndrimi nacionalist, siç duan ta paraqesin disa kritikë. Madje do të thosha se synimi i shkencës sonë për ta sqaruar origjinën e popullit shqiptar e të gjuhës së tij ishte një detyrë shkencore e mirëfilltë dhe një kontribut jo vetëm për shkencën e kulturën tonë kombëtare, por edhe në historinë e përgjithshme botërore.

Studiuesi i njohur kroat, Radoslav Katičić, duke folur për etnogjenezën e shqiptarëve, midis të tjerash pohon: "Nuk ekziston vend tjetër, trualli i të cilit të jetë i lidhur më ngushtë se ky (është fjala për Shqipërinë - S.M.) me botën e vjetër ilire në vështrimin e saj më të mirëfilltë". Dhe më tej autori shton: "Prandaj kompleksi ilir në vështrimin e zakonshëm që kishte në kohën e Perandorisë romake, përbën për të gjithë popujt e Jugosllavisë së sotme (është fjala për Jugosllavinë e vitit 1972) një kapitull të historisë së tyre kombëtare. Dhe kjo jo vetëm në vështrimin gjeografik. Por në një kuptim më të ngushtë dhe në vështrimin e tij të parë, entiteti ilir përfshihet sidomos në historinë kombëtare të popullit shqiptar"2.

Në trajtimin e këtij problemi studimet shkencore serioze janë përpjekur të qëndrojnë larg trajtimeve romantike e nacionaliste dhe "folklorizmave", siç shprehen pa përgjegjësinë e duhur shkencore disa kritikë, që mendojnë se sjellin një qëndrim emancipues, modern e europianist, të orientuar nga globalizmi, kur angazhimet e qëndrimet atdhetare i konsiderojnë si të vjetruara e të prapambetura ose të bezdisshme, siç pohon I.Kadareja3. Përkundrazi shkenca jonë gjuhësore është shkëputur pak nga pak nga ngjyrimet romantike që kishte marrë problemi i origjinës së shqiptarëve gjatë periudhës së Rilindjes, duke mbrojtur tezën pellazgjike, plotësisht e përligjur për atë kohë. Madje shkenca historike gjuhësore i është kundërvënë tezës pellazgjike, duke përballuar edhe kritika nga rrethe zyrtare të periudhës komuniste që e kishin për zemër këtë tezë.

Edhe sot kanë dalë mjaft ithtarë të tezës pellazgjike në emër të mbrojtjes së lashtësisë së popullit shqiptar dhe të gjuhës së tyre dhe bëjnë presion në emër të mbrojtjes së interesave kombëtare për t‘i afirmuar si teza shkencore. Dua t‘ju kujtoj se teza pellazgjike, e lidhur me origjinën e përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve, më shumë se kujtdo tjetër i ka shërbyer politikës asimiluese greke ndaj arvanitasve të Greqisë në radhë të parë, por edhe më gjerë. Propagandimi i idesë se shqiptarët dhe grekët kanë të njëjtën origjinë dhe të njëjtin besim ka bërë që arvanitasit të mos e ndjejnë të nevojshme të bëjnë përpjekje për të ruajtur identitetin e tyre etnik e gjuhësor, ndonëse në kushtet e politikës greke e kanë pasur të vështirë.

Si përfundim i kësaj pike do të thosha se nuk më duket i mbështetur etiketimi që i bëhet tezës së prejardhjes ilire të shqiptarëve si tezë zyrtare në emër të një qëndrimi antikomunist. Ajo është në radhë të parë tezë shkencore, në radhë të dytë tezë kombëtare, por jo zyrtare. Në udhëheqjen më të lartë të shtetit komunist teza më e përkrahur ka qenë teza pellazgjike. Për këtë edhe vetë jam dëshmitar.

Një tjetër problem themelor i historisë së gjuhës shqipe ku shfaqet dukshëm marrëdhënia (baraspesha) midis trajtimit shkencor dhe angazhimit kombëtar është ai i traditës së shkrimit të shqipes. Lidhur me këtë problem në gjuhësinë tonë janë mbrojtur dy teza të ndryshme: sipas tezës më të përhapur të mbrojtur nga shumica e gjuhëtarëve (Dh.Shuteriqi, M.Domi, E.Çabej, Sh.Demiraj, I.Ajeti etj.) shqipja duhet të ketë qenë shkruar edhe para shekullit XV, kur kemi dokumentet e para, të paktën që nga shekulli XIV, duke sjellë për këtë disa argumente të tërthorta siç është dëshmia e Guljelm Adës, Marin Barletit, niveli gjuhësor i "Mesharit" të Gj. Buzukut, zhvillimi kulturor i qyteteve shqiptare gjatë mesjetës, e ndonjë tjetër. Në mbrojtjen e kësaj teze autorët e saj janë shtyrë pa dyshim edhe nga një motiv atdhetar kombëtar: të provojnë se shqipja nuk është një gjuhë e shkruar aq vonë, sepse shqiptarët nuk ishin popull pa zhvillim kulturor të hershëm. Ndoshta ka qenë motivimi atdhetar që i ka çuar këta autorë në kërkim të argumentimit shkencor.

Selman Riza përkundrazi, është përpjekur të rrëzojë tezën e mësipërme dhe të provojë se shqipja ka filluar të shkruhet në shekullin XV dhe se libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe është "Meshari" i Gjon Buzukut. Autori i kësaj teze niset nga argumentimi shkencor dhe pastaj përfundimet që dalin prej tij përpiqet t‘i motivojë edhe nga pikëpamja atdhetare kombëtare. S.Riza e ka ndjerë se teza e tij mund të jetë e kritikueshme nga ana kombëtare, prandaj për të mënjanuar çdo keqkuptim, e motivon tezën e tij edhe nga kjo pikëpamje. Ai shkruan se prirja për të paradatuar me çdo kusht fillimet e shkrimit të shqipes nuk është vetëm shkencërisht e papranueshme, por edhe kombëtarisht e shkëshillueshme, sepse duket sikur bëhet për të superkompensuar shpifjet se populli shqiptar nuk paska zhvilluar ndonjë krijimtari kulturore në të kaluarën e tij kombëtare. Kjo prirje, sipas autorit, "përbën një dëshmi, qoftë edhe të tërthortë, se ndërgjegjja e ndonjërit prej nesh ende sot e kësaj dite nuk është spastruar sa duhet nga çdo mbeturinë e kompleksit të inferioritetit kombëtar"4.

Çështja e fundit ku gërshetohet trajtimi shkencor me qëndrimin kombëtar që unë dua të prek shkurt këtu, është çështja e qëndrimit ndaj ndikimeve të gjuhëve të tjera në gjuhën shqipe. Kur lexon punimet historike që i kushtohen kësaj teme, të krijohet përshtypja se ka një reagim të vetëdijshëm kombëtar ndaj ndikimeve të huaja, sidomos kur është fjala për ndikime në fushën e strukturës gramatikore. Ky qëndrim sigurisht vjen si kundrareagim ndaj atyre studiuesve të huaj që nga njohja e pamjaftueshme e gjuhës shqipe ose të nisur nga paragjykime, e kanë mbiçmuar elementin e huaj, sidomos elementet latino-romane deri në atë shkallë sa ta quajnë shqipen gjuhë e përzier gjysmë romane. Kundërshtimi i këtij pohimi të Gustav Meyer-it nga H.Pederseni me përfundimin se ndikimi i latinishtes në fleksionin e shqipes është baras me zero, sigurisht që është provuar si i drejtë. Megjithatë përsëritja e këtij përfundimi si refren sa herë që bie fjala për ndikimin latin në strukturën gramatikore të shqipes nuk besoj se është gjithmonë i përligjur.

Është një gjë e njohur që ndikimi në fushën e fonetikës dhe të gramatikës është shumë më i vështirë se në fushën e leksikut, por jo i pamundur. Një simbiozë shumëshekullore e shqipes dhe e latinishtes është vështirë të mos ketë lënë gjurmë edhe në strukturën gramatikore të saj. Po kështu, kur flitet për romanizimin e Ballkanit e kemi pasur të vështirë të pranojmë ekzistencën e një popullsie latino-romane në qytetet bregdetare të Arbërisë mesjetare, kur është krejt e mundur që këto qytete kanë themele ilire, më pas marrin trajtë helene dhe në mesjetë kanë fytyrë romake. Po kështu, kur trajtojmë tiparet ballkanike të shqipes, të gjithë i pranojmë këto tipare, por kur vjen puna për të shpjeguar prejardhjen e tyre, ose do të përpiqemi të argumentojmë burimin e tyre në gjuhët e tjera nga shqipja, ose të provojmë se në shqipe janë zhvillime të pavarura, gjë që teorikisht do ta vinte në dyshim karakterin ballkanik të tyre.

Një farë mosbesimi dhe fobie ndaj të huajve dhe elementit të huaj në gjuhën dhe në kulturën shqiptare duket se është krijuar gjatë shekujve te ne shqiptarët në rrethanat e sundimeve shumëshekullore të pushtuesve të huaj e në mënyrë të veçantë një qëndrim gjuhësor purist e kemi trashëguar nga periudha e Rilindjes Kombëtare, kur mendohej se elementet e huaja në gjuhë dhe në kulturë cenonin identitetin kombëtar. Një qëndrim i tillë ishte krejt i përligjur në atë kohë kur rilindësit e mëdhenj po luftonin për mbrujtjen e forcimin e vetëdijes kombëtare dhe për arritjen e pavarësisë, por në kohën tonë po çlirohemi nga kjo fobi, por kapemi nga të tjera sëmundje të modës e të globalizmit, të përqafimit të çdo gjëje të huaj pa kaluar në asnjë lloj kritike shkencore për të penguar atë që është e panevojshme, madje e dëmshme dhe e papajtueshme me traditat e rrethanat tona historike e kulturore.

Mendoj se studimet tona historike për gjuhën shqipe duhen çliruar plotësisht nga ndikimet politike, mund të çlirohen ende nga disa retorizma të panevojshme kombëtariste, komente atdhetare jashtëshkencore, për të forcuar gjithnjë e më shumë metodat dhe trajtimet shkencore, por gjithsesi është ende shpejt për t‘u shkëputur tërësisht nga qëndrimet kombëtare dhe angazhimi kombëtar në studimet albanologjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›