Me sytë e Pangos
Kreu i MTKRS-ës, Ylli Pango, mbetet një optimist i "pandreqshëm" kur bëhet fjalë për arritjet dhe vizionin e tij si ministër, të cilin e sheh më tepër si mision, sesa si një detyrë të lartë funksionale. Ai është i bindur në galopin e boom-it të tërheqjes turistike që po provokon Shqipëria vitet e fundit, si pasojë e një promocioni të fuqishëm në botë dhe e disa reformave në këtë fushë...
Zoti ministër, ju keni deklaruar se Shqipëria për vitin e kaluar arriti një shifër rekord turistësh në historinë e vendit tonë. Çfarë arsyesh ju shtyjnë të besoni se do ta tejkalojmë këtë shifër dhe se ky vit do të jetë vërtet viti i turizmit shqiptar?
E para, masat që janë marrë vitin e kaluar nga qeveria jonë kanë qenë të jashtëzakonshme. Janë tre vendime të Këshillit të Ministrave për lehtësimin e hyrjeve në Shqipëri, për mospagimin e taksës së makinës veçse një euro për 60 ditë. Fakti që ka pasur viza kolektive dhe hyrje dhe pa viza të fqinjëve, të gjitha këto lehtësuan jashtëzakonisht. E dyta, janë marrë të gjitha masat për të plotësuar nevojat në zonën kryesore turistike. E treta, është bërë një promocion i paparë përpara. Këtu përfshihet uebsajt-i (faqja në internet) i parë i turizmit shqiptar me mbi 500 faqe. E dyta, spotet shqiptare në mediat ndërkombëtare, nga të cilat janë transmetuar dy dhe tani është një i tretë në rrjetin e mirënjohur televiziv CNN. E treta është promovimi i turizmit edhe llojeve të tjera, sikurse ai i 40 haneve: turizmi malor, shpallja e 10 tureve të Shqipërisë, lançimi i turizmit kulturor, që e ka lidhur turizmin e vjetshëm shumë edhe me parqet arkeologjike, me Butrintin, me Apolloninë, me Shkodrën. E rëndësishme ka qenë që, përveç kësaj janë prodhuar materiale të tipit promocional të reja, fletëpalosje, libërtha xhepi, të cilat tani së shpejti do t‘u shpërndahen edhe agjencive turistike dhe operatorëve turistikë privatë. Dhe, ç‘është më e rëndësishmja, ne kemi marrë pjesë në një panair të rëndësishëm ndërkombëtar si ai i Londrës dhe së shpejti do të shkojmë edhe në Berlin. Interesi ka qenë i jashtëzakonshëm nga mediat britanike. Kemi pasur konferenca intensive për shtyp. Pra, promovimi është bërë në një masë të gjerë dhe do të thosha që Shqipëria është bërë gjithnjë e më e njohur në hartat turistike. Me këtë shpjegohet që revista e mirënjohur "National Geographic", AOL, "The Times", gazeta të tjera të njohura dhe agjenci të tjera e kanë shpallur Shqipërinë si një destinacion turistik shumë interesant, si më karakteristiku për ujërat, pra më tërheqësi për ujërat. "National Geographic" e ka cilësuar ofertën shqiptare si "best low cost", pra si destinacioni më i mirë me kosto të ulët. Një tjetër media e njohur e huaj e ka shpallur Shqipërinë si një nga 30 vendet në botë me arkeologjinë më interesante. Pra, gjithnjë e më tepër jemi njohur në hartat turistike. Do të thosha se edhe kuadri ligjor i përfunduar, mundësia që kemi krijuar dhe tërheqja që u është bërë investitorëve që kanë ardhur me shumicë për të investuar, pra të gjitha këto na shtyjnë të themi se përderisa vitin e kaluar patëm 1 milion turistë të huaj dhe 1 milion e njëqindmijë shqiptarë që vinin nga emigracioni, për këtë vit e kemi deklaruar që do të kemi 2 milionë të huaj. Pra një rritje progresive e madhe. Tani detyra jonë është të dimë ta përballojmë këtë fluks të jashtëzakonshëm. Kemi nisur që tani përgatitjet për pikun e sezonit turistik, sepse tani sezon turistik kemi gjithë vitin.
Disa vëzhgues shprehen se turistët e vetëm të huaj që vizitojnë Shqipërinë janë kosovarët dhe shqiptarët nga Maqedonia. A ka ndonjë shifër të dhënë që edhe evropianoperëndimorët e preferojnë vendin tonë?
Nëse shikojmë totalin e vizitorëve të huaj, mbi 50 për qind janë kosovarë dhe nga Maqedonia. Gjysma tjetër vijnë nga Mali i Zi, nga Serbia, Greqia, Italia, Britania e Madhe dhe nga Franca. Pra kemi 92 për qind të të huajve të ardhur nga Evropa. Amerikanë janë 5 për qind dhe aziatikë 2 për qind. Këtë vit kemi parashikuar të na vijnë shumë turistë amerikanë dhe jemi lidhur me agjenci amerikane të turizmit. Shpresoj që 2008-ta të regjistrojë një bum edhe për sa u përket turistëve që do të vijnë nga Amerika dhe nga Azia. Në formë tjetër, në totalin prej 1 milion vizitorësh të huaj të vitit 2007, kosovarë janë 31 për qind, të ardhur nga Maqedonia (kryesisht shqiptarë) 24 për qind, nga Mali i Zi 11 për qind, Italia 9 për qind, Serbia 7 për qind, nga Greqia dhe Britania e Madhe (secila) 6 për qind. Këto janë shifra të sakta, sepse janë matur në bazë të sistemit ndërkombëtar TIPS, në bashkëpunim me një organizëm statistikor ndërkombëtar të quajtur ICITAP. Misioni ICITAP është një mision që po instalon në rrjet kompjuterësh në të gjitha pikat e kalimit kufitar (deri tani 15 pika) të Shqipërisë. Ai punon në bashkëpunim me Departamentin e Emigracionit në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Në këtë sistem TIPS gjithsecili mund të hyjë dhe të verifikojë me emra, adresa të gjithë vizitorët që kanë hyrë në Shqipëri. E kam këtu adresën në internet: 192.162.10.1TIPS.al/htl. Për të pasur akses në rrjet jepet një autorizim, në bazë të ligjit. Di që ai është dhënë gjerësisht për të gjithë ata që janë të interesuar të marrin të dhëna për hyrësit. E kanë marrë mjaft agjenci, operatorë turistikë privatë.
Ka interes, zoti ministër, por ka dhe shumë hedhurina e plehra në pikat tona turistike...
Turizmi është duke ecur mirë, por problemi i plehrave është vërtet problem i madh. Çfarë po bëjmë këtë vit? Është ngritur një grup pune, i përbërë nga dy persona për çdo ministri. Janë katër ministri të përfshira: Ministria e Mjedisit, e Turizmit, e Brendshme dhe Ministria e Transporteve. Ky grup prej tetë vetash ka filluar punën. Janë përgatitur edhe një seri spotesh publicitare për sensibilizim. Gjithashtu Kryeministria, nën drejtimin e së cilës ka nisur kjo punë, ka përgatitur spote. E kemi marrë seriozisht, edhe pse porosia e Kryeministrit ka qenë e hapur dhe e prerë. Këtë vit ne duhet që numrin e madh të turistëve ta përballojmë duke u kujdesur që turizmi nga bum të mos na kthehet në bumerang, pra të vijnë turistët dhe pastaj të mos na kthehen më, duke ndikuar dhe te shumë të tjerë, për shkak të problemeve me pastrimin dhe rregullimin si duhet të territorit. E theksoj, jemi duke marrë masa të jashtëzakonshme këtë vit.
Një media ju konsideroi personazhin e javës sepse kthyet në Butrint, në këtë perlë arkeologjike tonën, disa shtatore që i përkisnin. Çfarë ka ndodhur?
Kjo është një histori që fillon me përpjekjet e përbashkëta të arkeologëve shqiptarë dhe atyre grekë, por në planin politik e rëndësishme është që marrëveshja u arrit me ministrin homolog Vulgarakis në takimin tonë në Olimpia në qershor të vitit 2007. Pasi u morëm vesh për kthimin e statujave, filluan procedurat përkatëse. Duhet të dini që ne kemi një Qendër të Inventarizimit të pasurive tona kulturore, ku çdo pasuri është e inventarizuar, dokumentuar, ka dosjen e vet elektronike(file), numrin e vet. Pasi u dërguan të gjitha materialet përkatëse, më në fund, kolegu homolog Liapis më dha sihariqin që mund të shkojmë t‘i marrim statujat. Në Akropol, në muzeun e ri të Akropolit, që ende nuk është inauguruar (unë pata kënaqësinë të isha ministri i parë i huaj që e vizitoja) me ceremoni mu dhanë të dyja statujat, e Artemisit dhe Apollonit, të cilat, sikurse e kanë thënë edhe mediat, u vendosën në Butrint. Njëra prej tyre u bashkua edhe me kokën, e cila gjendej në Butrint. Me homologun grek Liapis kemi folur, por edhe me atë italian jemi në një linjë, që të punojmë që edhe objekte të tjera të pasurisë e trashëgimisë kulturore të vendeve tona, të cilat janë marrë e grabitur në forma të ndryshme në të kaluarën, të kthehen në vendin e origjinës.
Ǒdo të bëhet me Kakomenë zoti ministër...?
Kakomeja, për mendimin tim, ka një zgjidhje për sa i përket anës ligjore. Në bazë të dokumenteve që vijnë edhe nga koha e Mbretit Zog, banorët e Nivicës nuk e kanë fituar gjyqin. Ndërkohë ata kanë vazhduar ta konsiderojnë tokën si kompensim nga Ligji 7501 dhe e kanë kërkuar këtë në Gjykatën e Vlorës apo të Gjirokastrës. E rëndësishme është që ky problem pronësie i zgjidhur nga cilido krah sjell menjëherë investimin e fuqishëm në bashkëpunim me ClubMed në Kakome. Duhet që puna atje të fillojë sa më shpejt. Investitori shqiptar i lidhur me ClubMed është në procedurat e kërkimit të lejes. Pret aprovimin e lejes nga qarku. Me marrjen e kësaj lejeje unë mendoj që puna duhet të fillojë.
Ju vajtët në nëntor të vitit të kaluar në Kolumbi. Kaq larg duhet shkuar për të sjellë turistë të huaj në Shqipëri?
Në Kolumbi u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Turizmit(OBT), e cila është një strukturë e Kombeve të Bashkuara. Pra është asambleja numër një e turizmit botëror. Shqipëria është një vend anëtar i OBT-së dhe duhet të marrë pjesë në këtë mbledhje, ku bëhen zgjedhjet dhe ne votojmë edhe për organet drejtuese të OBT-së. Mbledhja e asamblesë është dhe një forum ku hidhen kandidaturat për mbajtjen e sesioneve të ardhshme evropiane të turizmit. Unë kam ndërmend që ne të aplikojmë për të zhvilluar këtu te ne një asamble evropiane të turizmit, nëse do të jetë e mundur që në vitin 2009. Konkurrenca është e fortë, por ne tani i kemi kushtet. Mendoj që edhe vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të OBT-së, zotit Frangiali në Tiranë këto dy ditë do t‘u vlejë mjaft objektivave tona. Ne do t‘i tregojmë atij këto dy ditë perlat tona turistike dhe potencialin e jashtëzakonshëm turistik të vendit. Kolumbia ka qenë një eksperiencë shumë e veçantë për mua, për faktin se ky vend, duke pasur problemet e mëdha të kartelit të drogës, ka pasur në turizëm një lloj barriere për një kohë të gjatë. Ministri i atjeshëm i Turizmit i kishte premtuar Presidentit të atij vendi se do ta organizonte asamblenë botërore të turizmit si shenjë kthese dhe për të përmirësuar imazhin e vendit. Është një model edhe për ne, për imazhin tonë, që e kemi ndryshuar fuqishëm në këtë periudhë, por kemi akoma shumë për të bërë. Kolumbianët në këtë asamble botërore kishin shpalosur tërë bukuritë e vendit të tyre, plus anës procedurale. Mund të them se ky ishte evenimenti më i rëndësishëm ndërkombëtar ku unë kam marrë pjesë si ministër i Turizmit. Ishte eksperiencë edhe mënyra se si ata e organizuan këtë eveniment. Këtë eksperiencë do ta zbatojmë edhe në pritjen që do t‘i ofrojmë zotit Frangiali këto ditë dhe për aktivitetet e ardhshme.