Lorik Cana: Jam krenar për pavarësinë e Kosovës
Lorik Cana ka deklaruar se ndihet krenar për pavarësinë e Kosovës. 17 shkurti është shndërruar në një ditë historike dhe ka shënuar lindjen e shtetit më të ri në Evropë. Në një deklaratë të shkurtër të dhënë për agjencinë franceze të lajmeve, "AFP", kapiteni i Olimpik Marsejës, që është edhe një prej shtyllave kryesore të Kombëtares shqiptare, nuk e ka fshehur gëzimin për këtë ngjarje të shumëpritur. "Shpallja e pavarësisë është diçka që më bën krenar, më lumturon pamasë, pasi e kemi pritur prej shekujsh", tha 24-vjeçari. "Kjo ngjarje duhet t‘i shërbejë Kosovës për të ecur përpara. Duhet të pranoj se jam i lumtur për familjen time, që ndodhet atje. Mendoj se njerëzit e meritonin. Unë jam shumë krenar për ardhjen e pavarësisë".
Ashtu sikurse të gjithë kosovarët që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre, dita e djeshme është ndjerë edhe nga Loriku, që është një ndër lojtarët më të spikatur me origjinë shqiptare dhe tashmë pëlqehet edhe nga skuadrat më të mëdha në Evropë. I lindur në Prishtinë, në korrik të vitit 1983, Cana është larguar nga vendlindja e tij kur ishte vetëm 9 vjeç (në vitin 1992). Shkak është bërë situata e tensionuar në rajon dhe luftërat që shënuan ndarjen e ish-Jugosllavisë. Në atë periudhë futbollisti u transferua në Zvicër, ku ndodhej familja e tij dhe brenda pak kohësh fitoi statusin e azilantit politik. Në vazhdim të deklaratës së tij, mesfushori nuk e ka fshehur dëshirën për të qenë i pranishëm në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, për të festuar ashtu sikurse mijëra bashkëkombësit e tij. "Do të më kishte pëlqyer të kisha qenë prezent atje (në Kosovë) të dielën, por kishte disa gjëra të rëndësishme që duhej të bëja me Marsejën", deklaroi Cana, duke iu referuar takimit që skuadra e tij zhvilloi me PSG-në.
Kombëtarja
Pavarësia e Kosovës ka vënë në dyshim të ardhmen e Kombëtares shqiptare të futbollit. Data 17 shkurt ka shënuar lindjen e një shteti, që ashtu sikurse çdo vend tjetër i pavarur do të ketë simbolet e tij, jo vetëm në arenën politike, por edhe në atë sportive. Kjo do të thotë që shumë shpejt federatat kosovare do të aderojnë në organizmat ndërkombëtare dhe do të jenë aktive në të gjitha aktivitetet me ekipet përfaqësuese. Ky ndryshim do të ndjehet më së shumti në Kombëtaren shqiptare të futbollit, ku luajnë një numër i madh kosovarësh, të cilët janë shtylla të rëndësishme të skuadrës. Prej kohësh Cana, Dallku, Curri, Beqaj e të tjerët kanë bërë të ditur se pas shpalljes së pavarësisë do të dalin me një vendim të përbashkët rreth të ardhmes së tyre. Sipas të gjitha gjasave, ata do të përfaqësojnë Kosovën, një fakt për të cilin çdo shqiptari do t‘i bëhej qejfi, por që faktikisht do shënonte largimin e "boshtit" të përfaqësueses kuqezi.