E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga punonjëses së gjendjes civile në Ishëm

Shpërdorimi i detyrës dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare ka çuar në prangosjen e punonjëses së gjendjes civile të Ishmit. Ndonëse punonjëse e administratës vendore, ajo ushtronte të drejtën e një punonjësi të Ministrisë së Jashtme, kundrejt shpërblimit, për t‘u mundësuar lehtësi procedurash ishmakëve. Një shpërdorim i pastër me detyrën është hetuar prej disa muajsh në heshtje nga agjentët e antikrimit ekonomiko-financiar të Durrësit, të cilët pasi kanë siguruar prova në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit kanë organizuar aksionin për arrestimin e 38-vjeçares Shpresa Mirdita. Ndërkohë, nën hetim të lirë për të njëjtën çështje janë dhe disa shtetas. Në gjendje të lirë po hetohen Shpëtim Mema, 29 vjeç, Afrim Kajmaku, 28 vjeç, Fatmira Mema, 23 vjeç, Bujar Kulla, 45 vjeç, si dhe shtetasja rumune Juliana Mihalcea (Kajmaku), 30 vjeçe. Në emër të tyre ishin certifikatat e lëshuara nga e arrestuara që mbanin pullën e Ministrisë së Jashtme. Rumunia, prej disa vitesh, është banore në Ishëm, pas martesës me një banor të zonës edhe ai nën hetim. Pesë personat janë nën hetim, pasi dyshohet se këta do të përdornin certifikatat e lëshuara nga Mirdita. Sipas burimeve zyrtare të policisë, e arrestuara Shpresa Mirdita, me profesion ekonomiste e lartë, ka kryer falsifikim të akteve të gjendjes civile. Ajo është nën hetim, pasi dyshohet se ka shpërdorur detyrën, duke lëshuar certifikata të falsifikuara, të cilat më pas përdoreshin si dokumente për paraqitjen në ambasada. Në dokumentet e lëshuara prej saj, nuk janë vendosur pullat e gjendjes civile, por ato që përdoren vetëm nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Përdorimi i këtyre pullave e ka shndërruar thuajse në një përfaqësi diplomatike Komunën e Ishmit, duke u siguruar banorëve të zonës një procedurë të përshpejtuar, veçanërisht ata që ishin të interesuar për të udhëtuar jashtë vendit. Burime nga policia thanë se po hetohet për të zbardhur të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale të sigurimit dhe lëshimit të certifikatave të falsifikuara për arsye përfitimi. Kundrejt këtij shërbimi, përfituesit janë ndjerë me fat, pa kuptuar se ishin përfshirë dhe vetë në një veprimtari të paligjshme. Grupi hetimor po heton edhe mbi implikimin e përfituesve, pasi paraprakisht dyshohet se ata janë pjesë e një mashtrimi të pastër. Burimet thanë se janë shpërndarë shumë certifikata false, ndërsa po hetohet për të zbardhur identitetin e përdoruesve të tjerë dhe implikimin real të tyre në këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›