Gjykata jep 15 ditë burg për tre të arrestuarit e "Kurum"
Është zhvilluar dje seanca e parë gjyqësore ndaj tre specialistëve të firmës turke "Kurum", të akuzuar për pakujdesi në përmbushjen e detyrave të tyre profesionale në Uzinën e Çelikut, pas ngjarjes së rëndë të pesë ditëve më parë, ku humbën jetën dy metalurgë dhe pesë kanë mbetur të plagosur rëndë. 15 ditë burg me afat ka vendosur Gjykata e Faktit në Elbasan gjatë seancës së parë të zhvilluar dje rreth orës 16:30 minuta në ngarkim të Murat Filiz, 33 vjeç, lindur e banues në Turqi me detyrë "mirëmbajtës i makinerive të fabrikës", Adem Unlu 47 vjeç, lindur e banues në Turqi, me detyrë përgjegjës i furrës së shkrirjes ku ka ndodhur ngjarja, si dhe Engjëllush Zaimi, 47 vjeç, nga qyteti i Elbasanit, me detyrë inxhinier i sigurimit teknik për fabrikën. Ata do të arrestoheshin rreth orës 23:00 të 13 janarit, pas ngjarjes në Uzinën e Çeliku, ndërkohë që në "sitën" e policisë lokale do të kalonin për t‘u pyetur mbi 20 punonjës shqiptarë dhe turq. Seanca është zhvilluar nën drejtimin e Neritan Hoxhës e Binas Sinës, prokurorë të çështjes si dhe Artur Gjermenit dhe Qani Hasës, gjykatës. Vetëm pak minuta janë lejuar mediat, por në fund është deklaruar se gjykata ka vendosur burg me afat, 15 ditë, gjer në hetimin e plotë të ngjarjes, ku do të zhvillohet seanca e dytë. Sipas prokurës, dosja nuk është ende e plotë në ngarkim të të pandehurve dhe vetëm kur ajo të përfundojë, ndaj tyre do të merret vendimi përfundimtar. Akuza ndaj të tre specialistëve, dy prej të cilëve janë shtetas turq, por që punojnë në "Kurum", mbetet "Pakujdesi në zbatimin rigoroz të masave të sigurimit teknik".