E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjekje penale biznesmenit grek, dyshohet se vodhi 500 mijë euro

Një biznesmen grek do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë, pasi është denoncuar nga tre shqiptarë për mashtrim në shuma të mëdha parash. Ippokratos Andrea Liverios, 29 vjeç, lindur në Athinë dhe banues në Tiranë, është kallëzuar nga tre biznesmenë, për të cilët dyshohet se u kishte marrë nëpërmjet mashtrimit rreth 500 mijë euro gjithsej. Biznesmeni grek u kap në momentin e ardhjes së tij nga Greqia dhe po hetohet për pasuritë dhe asetet e përfituara nga mashtrimi. Në lidhje me këtë rast, Drejtoria e Policisë së Tiranës deklaroi zyrtarisht se specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar dërguan materialet në Prokurorinë e Tiranës, për konsumim të veprës penale të "Mashtrimit", ndaj shtetasit grek Ippokratos Andrea Liverios, 29 vjeç, me shtetësi dhe kombësi greke, pronar dhe administrator i firmës "Liv Hillding" shpk. "Ndaj këtij personi janë deponuar tre kallëzime penale për mashtrim në shuma të mëdha parash, me motivacionin për hapjen e një aktiviteti biznesi për t‘u bërë bashkëpronar", detajoi më tej grupi hetimor i antikrimit ekonomik. Më tej, policia tha se i sipërcituari ka vjedhur me anë të mashtrimit Vjollca Çalën, të cilën e ka mashtruar duke i marrë shumën e parave prej 200 mijë eurosh. Pas kësaj gruaje ai ka mashtruar edhe dy persona të tjerë. "Ata janë Skënder Duka, të cilin e ka mashtruar duke i marrë shumën e parave prej 145 mijë eurosh dhe Nadir Çaushllari, të cilin e ka mashtruar duke i marrë shumën e parave prej 150 mijë eurosh", detajoi zyrtarisht Policia e Tiranës. Ndërkohë, policia, që ishte vënë në dijeni të këtij rasti, kishte shpallur në kërkim shtetasin grek. "Ai u kap në momentin e ardhjes së tij nga Greqia dhe aktualisht po hetohet më tej në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës mbi pasuritë dhe asetet e përfituara nga mashtrimi. Marrja në pyetje e shtetasit grek u krye në prani të përkthyesit të ligjshëm, me vendim gjykate", deklaroi Drejtoria e Policisë së Tiranës. Po sipas tyre u krye një kontroll me imtësi në banesën e marrë me qira prej tij, ku në cilësinë e provës materiale u sekuestruan materiale me një sasi të konsiderueshme si dokumente të ndryshme. "Brenda banesës së tij policia gjeti dhe bllokoi kontratë shit-blerjeje, marrëveshje të ndryshme, fatura tërheqje dhe derdhje, karta magnetike bankash, tapi të ndryshme, certifikata pronësie të shtetasve të ndryshëm, fotokopje pasaportash të shtetasve të ndryshëm dhe shkresa të ndryshme të institucioneve", detajoi grupi hetimor. Policia tha se vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë rast.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›