Tragjedia në Metalurgjik, vdes edhe metalurgu i dytë
Janë shuar shpresat për jetën e metalurgut elbasanas që u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit për kurimin e tij. Veli Jahja, 57 vjeç, ka ndërruar jetë në mëngjesin e djeshëm, edhe pse ndërhyrja e specialistëve të Spitalit Ushtarak ishte sa profesionale, aq dhe e shpejtë, që nga momenti i dërgimit të tij në këtë spital. Jahja u shtrua rreth orës 22:00 të 13 janarit, pas një aksidenti të rëndë që kishte ndodhur në furrën kryesore të Uzinës së Çelikut në Metalurgjik, ku firma turke "Kurum" punon me koncesion që prej dhjetë vjetësh. Aksidenti do të përfshinte të paktën gjashtë metalurgë me plagë të rënda, ku njëri prej tyre, Xhavit Ndërgjoni, do të ndahej nga jeta rreth dhjetë minuta pas mbërritjes në spitalin kirurgjikal të Rrethit të Elbasanit. Sipas burimeve spitalore të Tiranës mësohet se metalurgu Jahja kishte rreth 65% të trupit të djegur gjatë aksidentit, por, edhe pse kura e përdorur ndaj tij ishte tepër intensive, nuk u bë e mundur kthimi i tij në jetë. Jahja kishte mbi 30 vjet punë në metalurgji dhe dy vjet më parë kishte mundur të punësonte edhe të birin 25-vjeçar, paga e të cilit harxhohej vetëm për të vëllanë që ishte i sëmurë. Pas vdekjes së tij, tre fëmijë kanë mbetur në mëshirë të fatit, pasi edhe metalurgu, pasardhës i të atit, Tani, tashmë është shkurtuar nga puna për shkak të mbylljes së kësaj uzine. Varrimi i tij bëhet sot në orën 14:00, ku pritet që kortezhi të shndërrohet në një protestë të heshtur të rreth 500 metalurgëve që punojnë në firmën turke "Kurum". Sidoqoftë, gjatë ditës së djeshme, kamionët e ngarkuar me skrap nga shumë rrethe të vendit nga Kosova dhe Maqedonia, vazhdonin të vinin në metalurgjik, paçka se furra kryesore e shkrirjes, tashmë ka dalë jashtë pune.
Kryetari i Sindikatës së Uzinës së Çelikut, edhe pse nën trysninë e pronarëve turq, dje ka folur gjatë për vështirësitë e punës së metalurgëve, si dhe për ardhjen pa asnjë vlerë të dy niveleve të inspektorateve të punës në këtë uzinë. Gjon Ndoci, kreu i Sindikatës Kimi-Metalurgji në Uzinën e Çelikut, ka deklaruar se krerët e Inspektoratit të Punës nga Elbasani dhe Tirana kanë ardhur në këtë uzinë si "kofini pas të vjelave" dhe se urdhëresat e tyre për mbylljen e uzinës ishin krejt pa vlerë. "Dy institucionet që kontrollojnë Kodin e Punës, morën vendim për mbyllje, sikur të thuash se një i vdekur duhet vrarë", ka pohuar me ironi dhe revoltë Ndoci. Ai ka shpjeguar se pas avarisë së rëndë, e para e kësaj shkalle në Metalurgjik, nuk bëhej fjalë më për mbyllje, pasi deklarimi i saj u bë që në momentet që shpërtheu, për të cilën duhen të paktën 10 milionë dollarë që të rindërtohet. "Unë i bëj apel qeverisë shqiptare, që të paktën të niset nga kjo ngjarje për të rishikuar moshën e pensioneve të metalurgëve, pasi asnjë prej nesh nuk arrin kurrë të gëzojë qoftë dhe pagesën e parë të pensionit në moshën 65 vjeç të përcaktuar nga shteti ynë", ka deklaruar kreu i sindikatës. Sipas tij, shumica e metalurgëve me përvojë, kanë rreth 30 vite punë mes tymit dhe flakës, mes pluhurit dhe gazrave, dhe që të gjithë janë me sëmundje profesionale të pashërueshme që mbi të gjitha, efektet e tyre shkurtojnë jetën e çdo metalurgu. Sipas tij, mësohet se janë rreth 500 metalurgë të punësuar në dy uzinat e "Kurum", por vetëm 330 veta kanë kontratë kolektive që mund të përfitojë në pagesë të mbylljes së përkohshme. Të tjerët me kontrata sezonale dalin automatikisht të papunë. Ndërkohë, mbetet ende i pashpresë investimi nga ana e firmës turke për ndërtimin e furrës, pavarësisht se një pjesë e pajisjeve për furrën e re, kanë kohë që kanë ardhur në mjediset e firmës.