Profesioni "careshë"
Edhe të pasurit kanë fëmijët e tyre të dashur, sidomos vajzat, duke qenë se të gjithë bashkëpunëtorët e Vladimir Putin i kanë pasardhëset e tyre vajza dhe u kanë lënë pasuri pa limit. Janë vajza baballarësh që nuk rrinë duarkryq, por merren me modë, sport, politikë, sipërmarrje (falë babait ose martesave të tyre), por që fatkeqësisht, asnjëra nuk ka mundur t‘i shpëtojë "botës së sulmeve".
E para që qëndron në krye të këtij klasifikimi është Kira Plastinin, vajza e vogël e Sergej Plastinin, themeluesi dhe presidenti i "Wimm Bill Dann", ekuivalentja ruse e fabrikës së qumështit "Parmalat". E lindur në Federatën Ruse, pa jetuar asnjë ditë nga Bashkimi Sovjetik, Kira Plastinina është vetëm 15 vjeçe dhe cilësohet si një stiliste mjaft e talentuar. Ajo zotëron 29 dyqane në Moskë dhe së shpejti ka ndërmend të hapë linja të tjera edhe në Evropë. Falë ndihmës së babait, i cili është i mirinformuar në fushën e biznesit, Kira është shndërruar nga një studente liceiste në një sipërmarrëse të etur. Për t‘i dhënë edhe më shumë famë së bijës, meqenëse ishte stilistja e një sfilate mode, ftoi në Moskë Paris Hilton si të ftuarën e nderit.
Kira zgjohet në orën 7 të mëngjesit, fillon mësimin në 8:30 dhe përfundon në 3:30, më pas shkon në punë dhe qëndron aty deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Pasi kthehet në shtëpi fillon të bëjë detyrat në orën 10:00 të mbrëmjes. A nuk mendoni dhe ju që është pak e tepruar kjo jetë për një vajzë 15-vjeçare? "Përkundrazi, mendoj se është një fat i vërtetë të punosh që në moshë të re, sepse ditën që bashkëmoshatarët e mi do të vendosin se çfarë të bëjnë, unë do të kem eksperiencë dhe nuk do të shqetësohem aspak për këtë pjesë. Më pëlqen të mendoj se si të bëhem e famshme".
Duke qëndruar sërish në botën e modës, por me disa vite më shumë është 26-vjeçarja Dasha Zhukova. Dasha ka trup prej modeleje dhe është vajza e naftëtarit dhe financierit Aleksandër Shukov. Për vite të tëra ka qenë larg kronikave rozë, ishte pothuajse e panjohur në botën e yjeve ndërkombëtare aq sa numëroheshin njerëzit që e njihnin kush ishte kur zgjodhi si të dashur një djalosh mjaft të njohur në të gjithë botën: Roman Abramoviç. Tri vite më parë, së bashku me shoqen e klasës Kristina Tang, edhe kjo një "aristokrate", vajza e manjatit David Tang, pronari i firmës së veshjeve "Shanghai Tang, e cila ka krijuar markën "Dasha&T". Produktet e saj janë xhinset, bluzat, bizhutë e plot sende të tjera. Veshjet janë të thjeshta, duke i krahasuar me çmimet e tyre që janë shumë të larta. Fitimi nga shitjet e veshjeve është premtues. Për momentin, ekskluzivitetin e markës "Dasha&T" e ka "Harvey Nichols" në Londër dhe "Fred Segal" në Los Anxhelos.
Në ndryshim nga dy vajzat e lartpërmendura, ajo që i bashkëngjitet kësaj liste, nuk është as stiliste e as modele, por adhuron sportin. Anastasia Potanina është vajza e Vladimir Potanina, miku i ngushtë dhe ortaku i Oleg Deripaska, "mbreti" i aluminit rus. Çapkënia Potanina, alergjike ndaj paparacëve dhe kronikave mondane, ishte kampionia ruse në skinë ujore. Fatkeqësisht, vitin e kaluar theu këmbën dhe u detyrua ta ndërpriste karrierën e saj dhe nisi një biznes të lidhur me sportin.
Moda, sporti dhe muzika, këto janë pasionet e Alsou Safin, vajza e Ralif Rafilovich Safin, oligarkut, pronarit të skuadrave të futbollit dhe anëtarit të Parlamentit rus. Meqë jemi tek Alsou, babai Ralif deklaroi në mënyrë elegante: "Ka qenë absolutisht investimi im më i mirë". Sot, njëzetedyvjeçarja Alsou është një nga këngëtaret më popullore të Rusisë, edhe pse shpeshherë të ngarkuarit me punë betohen se gjithçka që ka arritur është falë marketingut dhe burimeve të shpenzuara në prodhimin e videove që shoqërojnë këngët e saj mediokre. Megjithatë, suksesi dhe fama e kanë ndihmuar që të "peshkojë" edhe një burrë të mirë: Jan Abramov, mbreti i fishekzjarrëve në Rusi. Kurorëzimi i tyre, më 18 mars të 2006-ës, u cilësua nga pjesa më e madhe e gazetave rozë si "babai i të gjitha martesave mafioze". Mbi festën, paparacët nuk arritën të fotografonin asgjë, pasi gjithçka ishte organizuar në mënyrë perfekte. Burri i saj i ri, që nuk është ndonjë bukurosh i madh, po shfaqet shumë në kopertinat e kronikave rozë dhe populli rus i ‘blog‘-eve siguron se për t‘u martuar me Alou, u nda nga Ksenija Sobchak, vajza e cilësuar si "Paris Hilton e Rusisë".
Shqetësimi i saj i vetëm është të qenit e famshme. Por cila është arsyeja për të qenë kaq e famshme? Me sa duket nuk ka asnjë të rëndësishme, është thjesht fiksim. Ksenija shquhet për daljen e saj në kopertinën e çdo reviste, vajzat mundohen ta imitojnë, ndërsa gjyshet kërkojnë një këshillë për mbesat e tyre. Ksenija ka publikuar një libër, në të cilin shpjegon si të vishesh me gusto dhe veprimet që duhet të shmangësh kur je në publik dhe prezanton lëvizje të shoqërisë civile. Ajo është prezantuese e një programi televiziv mjaft të ndjekur, i cili titullohet "Star Factory" dhe stilistja zyrtare e këtij programi është Kira Plastinin. Babai i saj, që vdiq në vitin 2000 nga një aksident ajror, ishte kryetari i Bashkisë së Shën Petërburgut dhe këshilltari i parë i Vladimir Putin.
Një tjetër aristokrate e Rusisë është Masha Gaidar. Babai i saj, Jegor, që ishte Kryeministër në kohën e Boris Jeltsin, njihet në Rusi si një nga njerëzit që uli çmimet, duke lejuar që patatet dhe domatet të eksportoheshin nga jashtë me një përqindje të papërfillshme. Vajza e tij 27-vjeçare po ndjek të njëjtën rrugë si ai dhe disa vite më parë krijoi një lëvizje që kundërshton Putin e cila quhet "Da!" (Po!). Masha po përfundon një master mbi ekonominë e shteteve që varen nga nafta dhe ka organizuar së bashku me Kasparov dhe Kasjanov lëvizjen e opozitës. Gjatë manifestimit të fundit, të vigjilje të zgjedhjeve parlamentare në tetor, shmangu rrezikun e një arrestimi të mundshëm. Vishet gjithmonë me rroba sportive, ka një shikim të kujdesshëm dhe nuk flet kurrë me të panjohurit: "Në moshën 30-vjeçare një njeri duhet të ketë arritur majën e karrierës: të rinjtë rusë janë më të vendosur, sepse në Rusi nuk është përhapur ende ajo mirëqenie që ekziston në Evropë", shton ajo, më pas shpjegon: "Mendoj se një vend pune fiks është i gabuar. Nuk ka asgjë të keqe të pushohesh nga puna, madje është një mundësi më shumë për të kërkuar një punë edhe më të mirë".
Një tjetër "afariste" që i shtohet kësaj liste është 25-vjeçarja Zhanna Nemtsova, vajza e liderit të opozitës, Boris Nemtsov. Të tjera pasardhëse të politikanëve rusë para Putinit janë Ksenia dhe Anastasia Virganskaya, mbesat e Mikail Gorbaçov, Presidenti i fundit i Bashkimit Sovjetik. Si të gjitha bashkëmoshataret e tyre asnjëra nga vajzat nuk merret me politikë, por i ndjekin me shumë interes faqet rozë të gazetave. Në konferencën prestigjioze të mbajtur për luksin nga "International Herald Tribune" në Moskë në muajin nëntor të vitit të kaluar, janë marrë si shembull nga stilistja e famshme Donatela Versace si përfaqësueset më të mira të elegancës ruse.
Por Gorbaçov nuk është lideri i vetëm rus që do të lërë pas pasardhës të pasur. Edhe Nikita Krushov, lideri i BRSS-së që i tregoi botës punët e liga të Stalinit, mund të ndihet krenar për nipërit e tij në karrierë. I pari, që quhet Nikita si gjyshi ishte redaktor kulturor në të përjavshmen "Moscow News", ndërsa e dyta, Nina, është profesoreshë për marrëdhëniet ndërkombëtare në universitetin "New School University".
Zakonisht, nuk ndodh që femrat të jenë më lart se meshkujt, madje shpeshherë janë meshkujt ato që zënë postet e rëndësishme të biznesit të baballarëve, por kanë një tendencë të ngjashme: të hyjnë në telashe. Në këtë rast e kemi fjalën për djalin e Sergej Ivanov, ministri i Mbrojtjes, zëvendëskryeministri dhe pak muaj më parë pasardhësi i Putin: Aleksandër, 28 vjeç, është një nga drejtorët e "Gazprombank".
Në vitin 2006, shtypi me makinë një të moshuar që po kalonte mbi vijat e bardha. Kundrejt tij nuk u hap asnjë proces gjyqësor, sepse zyrtarisht, (edhe pse të pandehurit dëshmuan versionin e kundërt) Ivanov po udhëtonte me një shpejtësi të madhe. Aleksandër nuk është i vetmi që vëzhgohet nga drejtësia.
Sigurisht listës së gjatë të elitës ruse nuk mund t‘i mungonin vajzat e Presidentit rus, Vladimir Putin, Katja dhe Masha Putin, 21 e 22 vjeçe. Jeta e tyre është komplet e panjohur, për to dihet vetëm që janë më të gjata se babai. Fotografitë e vetme të publikuara janë kur ato kanë qenë shumë të vogla, pothuajse nuk njihen fare. Jetojnë të mbyllura në shtëpi duke mësuar me mësues privatë. I vetmi variacion në jetën e tyre ishin pushimet verore në gusht të vitit 2002. Vajza e vetme që mundi t‘i takonte ishte bashkëmoshatarja e tyre, Barbara Berluskoni. Është e vetmja që i ka parë në fytyrë.
Kira Plastinina është vetëm 15 vjeçe dhe cilësohet si një stiliste mjaft e talentuar. Ajo zotëron 29 dyqane në Moskë dhe së shpejti ka ndërmend të hapë linja të tjera edhe në Evropë. Falë ndihmës së babait, i cili është i mirinformuar në fushën e biznesit, Kira është shndërruar nga një studente liceiste në një sipërmarrëse të etur