Luis Hemilton, pasardhesi i ri i Shumit
Në vitin 2006, kur të gjithë ishin skeptikë,
skuadra e madhe e Meklarenit ishte
ajo që theu akullin në Formula 1 duke
sjellë pilotin e parë me ngjyrë në gjithë
historinë e këtij sporti. Ky ishte djaloshi, atëherë
21-vjeçar, Luis Hemilton. Ish-kampioni i botës në
kategorinë GP2, do të ishte shoku i skuadrës, i dy
herë Kampionit të Botës, Fernando Alonso. "Është
një ëndërr e bërë realitet. Të garoja në Formula 1
ka qenë qëllimi im qëkur kam qenë i vogël", tregon
tani Hemilton. Vërtet që nuk mundi të fitojë titullin
botëror, por Luis Hemilton i ndryshoi fytyrën
F1. Për një pilot në vitin e tij të parë në sport, kjo
është diçka e pabesueshme. Por për fenomenin
e ri 23-vjeçar të Formula 1 kjo nuk është diçka
e jashtëzakonshme, sepse ai thjesht ka treguar
atë që di të bëjë më mirë. Shtypi zien gjithandej,
ndërsa specialistët e këtij sporti e shohin si njeriun
që shumë shpejt do të shkruajë emrin e vet në
historinë e automobilizmit. Ish-kampioni i botës,
Damon Hill, u shpreh se askush nuk ka parë një
djalosh me kaq shumë talent sa Hemilton. Dhe
nëse kjo tingëllon si ekzagjerim, duke parë pilotët
që kanë garuar para Hemiltonit, këto fjalët e Hillit
janë plotësisht të vërteta. Para së gjithash, bëhet
fjalë për një kampionat botëror dhe asnjë pilot në
historinë e saj nuk ka qenë kurrë kaq afër titullit
që në sezonin e parë të debutimit. Por edhe pse
britaniku nuk mundi të fitojë, janë të shumtë ata
që mendojnë se ai e meritoi atë më shumëse çdokush
tjetër edhe pse në lojë, për të fituar titullin
ishin tre kampionë të mëdhenj. Kundërshtarët
mendojnë se ishte makina e mirë dhe jo aftësitë
ato që bënë që Luis të arrinte deri këtu, por kjo
nuk ishte meritë vetëm e makinës. Por brenda
vetes më mirë se kushdo e dinë se britaniku është
kampioni me moshë më të re në gjithë historinë e
F1 dhe pa dyshim një nga më të zotët në këtë sport.
Sot nuk mund të flitet më për skepticizëm, pas një
sezoni të shkëlqyer, Hemilton mund të krahasohet
denjësisht me gjigantët e automobilizmit si Senën,
apo Shumakerin. Po sot, nuk janë të paktë ata
që e shohin pilotin e ri si pasardhësin e denjë të
Shumit. Këto janë fjalë të thëna nga kampionë të
mëdhenj si Lauda, Mika Hakinen apo Alan Prost.
Dhe kanë vërtet të drejtë. Ambiciet e Luis Hemilton
nuk kanë fund. Dhurata dhe surpriza më e bukur
e Botërorit të vitit 2007, kërkon patjetër që këtë vit
të marrë atë që Ferrari dhe Kimi Raikones i mori
ndoshta pa të drejtë vetëm në dy garat e fundit të
një kampionati perfekt. Hemilton kërkon me çdo
ngulm që me emrin e tij të lidhet një epokë e re në
Formula 1, duke pretenduar që të bëhet më i miri i
të gjitha kohërave. "Jam aq i mirë sa mund të thyej
edhe rekordin e Shumakerit. Dëshiroj me gjithë
shpirt të jem piloti më i mirë i të gjitha kohërave,
por për këtë më duhet të punoj shumë", thotë ai.
Dhe me atë që tregoi në garat e kampionatit që
sapo u mbyll i ka të gjitha gjasat për të zëvendësuar
gjermanin shtatë herë kampion bote. Nga gabimet
vijnë mësimet dhe si vit i parë ai i ka shërbyer pilotit
të ri për të mësuar shumë gjëra të reja. E ndoshta
me rolin e liderit te skuderia anglo-gjermane, duke
pasur në krah një pilot si Heikki Kovalainen do
ta arrijë qëllimin. "Shumi është një legjendë, por
për mua Sena mbetet i pakrahasueshëm. Dua të
bëhem si ai", tregon.
Fitime marramendëse dhe shtëpia e re
Piloti britanik, 23-vjeçar që nënshkroi me
Meklarenin edhe për 5 vjet të tjera, deri në vitin
2012 dhe pas konfirmimit si pilot kryesor në skuderinë
e Ron Denis, tregon se me rritjen e madhe
të fitimeve ka vendosur të blejë një shtëpi për
prindërit e divorcuar. I ri, i talentuar e bukurosh,
britaniku ka arritur që sërish të fitojë besimin e
skuderisë Meklaren, por kësaj radhe për të qenë piloti
i parë i saj. Sipas asaj që thuhet tashmë, Hemilton
do të fitojë rreth 27 milionë dollarë në sezon.
Por pavarësisht kësaj, Hemilton, është i qartë në
atë çka kërkon të bëjë: "Nuk më duhet shumë për
të qenë i lumtur. Mercedesi më jep një makinë, orët
dhe veshjet m‘i japin falas sponsorët, e vetmja gjë
që më duhet të blej vërtet është ushqimi. Më duhet
të blej një shtëpi për babanë tim dhe tashmë më në
fund mund t‘i jap diçka si shpërblim". Por përveç
shtëpisë si shenjë mirënjohjeje për prindërit, Hemilton
ka vendosur të mendojë edhe për vete në
këtë aspekt. Sidomos tani që të ardhurat janë rritur
ndjeshëm, një shtëpi në Zvicër është zgjedhja më
e mirë. Pasuria ndërtohet pak nga pak, thotë një
proverb i vjetër, por ndryshe ndodh me pilotin e
jashtëzakonshëm që brenda një viti mund të krahasohet
me pasanikët e mëdhenj. Shtypi britanik,
që ka bërë mirë llogaritë, ka treguar se vendimi i
Hemilton për të jetuar në Zvicër më shumë sesa
largimi për motive privatësie, siç ka thënë vetë
ai, ka të bëjë me çështje që lidhen me lekët. Për
Botërorin që sapo u mbyll, shkruhet në britaniken
"Daily Mail", Luis çoi në shtëpi një milion sterlina,
por nëse kësaj shifre i shtohen përqindjet për librin
autobiografik të dalë në Britani: "MY Story" llogaria
shkon në 2.5 milionë. Sigurisht që nuk do shumë
mend që këtë vit, të ardhurat e "thesarit" të F1
do të katërfishohen. Piloti, që tashmë çlodhet në
rezidencën zvicerane, do të ketë fqinjë kampionë
të kalibrit si Shumaker, Kimmi Raikkonen dhe
ish-shokun e skuadrës Fernando Alonso. "Më
habit se sa vëmendje tregon media ndaj lëvizjeve
të mia, shtëpive të reja apo të dashurave. Shtëpia,
në kuptimin e saj më të gjerë, është ajo ku jetojnë
prindërit e mi dhe ku jam rritur. Megjithatë, nuk
mund të jesh gjithë jetën i lidhur me ta. Duhet të
jesh i zoti për të vepruar edhe vetëm. Jam shumë
i lumtur nga ideja se do të shkoj të jetoj në Zvicër,
por mos harroni se bëhet fjalë për një vendim
të vështirë. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë ajo e
të jetuarit në Londër dhe t‘i kaloja fundjavat në
shtëpitë e miqve të mi. Anglia është vendi ideal për
të jetuar. Sigurisht që lëvizja në një tjetër shtet do
të jetë pak e vështirë për familjen dhe miqtë e mi
që të vijnë të më takojnë, por e dija që në një pikë
të jetës do të më duhej t‘i përballoja vetë sakrificat.
Tani është vërtet e vështirë të administrosh
kohën, mes vendit ku jeton dhe atyre ku duhet të
zhvendosesh çdo javë për të zhvilluar gara. Gjithmonë
të ngelet shumë pak kohë për t‘ju kushtuar
njerëzve të dashur. Puna ime nuk është si gjithë
të tjerat, pasi vazhdimisht jam në udhëtim. Pastaj
kësaj i shtohet edhe fama. Sa herë që kthehem
në shtëpi takoj gjithmonë dikë që më njeh dhe
të bëhen të vështira edhe gjërat më normale. Për
shembull nuk mund të shkoj në kinema, madje
edhe kur ndaloj në autostradë për ndonjë nevojë,
nuk mund të shkoj as në banjë, sepse edhe aty më
ndjekin nga pas dhe më kërkojnë autograf". E në
fakt, Luis Hemilton, mund të konsiderohet si personazhi
më i dashur nga mediat. Ai u shpall edhe
si "Njeriu i Vitit" nga BBC dhe ngasësi më i mirë i
vitit në zgjedhjen e revistës britanike "Autosport".
Nënkampioni botëror në Formula 1, e fitoi edhe
çmimin e debutuesit më të mirë të vitit në F1.
Çmimi i ngasësit më të mirë iu dorëzua nga Viviane
Sena, motra e brazilianit të famshëm në Formula 1,
Airton Sena. "Ishte një emocion i madh. M‘u duk
sikur ishte vetë Sena që ma dorëzoi çmimin", thotë
britaniku. Por ai nuk është i preferuari vetëm nga
mediat... edhe femrat e adhurojnë "I dua fansat
e mi në të gjithë botën dhe më pëlqen kur dikush
më kërkon një foto apo një autograf".
Familja
I lindur dhe rritur në Hertfordshire, familja e
tij është me origjinën nga Trinidad dhe Tobago.
Gjyshi i tij u largua nga Trinidad për t‘u vendosur
në Britani në vitin 1954. Babai, Antoni Hemilton,
i vuri të birit emrin Luis, në nder të atletit të njohur
amerikan, Karl Luis. Ka një vëlla më të vogël
se vetja, Nikolas Hemilton, që ka lindur me një
handikap dhe është fansi i tij më i madh.
Marrëdhëniet me ish-shokun e skuadrës
"Nga ai mësova se si nuk duhet të sillet një pilot
në F1. Megjithatë, nuk i kam bërë asgjë, ai thjesht
ka qenë xheloz për rezultatet e mia. Edhe për sa u
përket sjelljeve raciste nga ana e tifozëve të Alonsos
u duhet t‘u them vetëm kaq: nuk i kam rënë në
qafë askujt", tregon ai. Por, Hemilton nuk e "qëlloi"
Alonson, thjesht ia mori "kalanë" nga brenda.
Por, tani beteja mes të dyve u mbyll, pasi spanjolli
ndoshta nuk e duronte dot faktin që një 21-vjeçar
të ishte më i mirë se ai. Arsyeja se pse nuk mund të
formonte një çift me atë që ngiste makinën tjetër
të së njëjtës skuderi, ishte sepse ndoshta nuk ishte
aq i shpejtë sa ai. Askush nuk kishte qenë më i
shpejtë se Alonso deri në atë kohë, ndaj ky djalë
plangprishës, kishte bërë që planet të ndryshonin.
E kishte të vështirë të gjente gjuhën e përbashkët
me të. Kjo ishte edhe arsyeja që spanjollit iu desh
të largohej pas një zënke dhe mosmarrëveshje
me drejtuesit e "Shigjetave të argjendta". Sepse
thjesht ishte xheloz se britaniku i ri kishte filluar
të merrte pëlqimin e të gjithëve, madje edhe të
vetë drejtuesve të skuadrës. Për më tepër, Luis, i
ka mohuar zërat se ka qenë i ati ka bërë që ofertat
të rriten shumë falë kontakteve me skuadrat
rivale. "Nuk ka pasur biseda me askënd, përveçse
me pronarët e mi. Babai im ka punuar shumë në
këtë aspekt, ndërsa unë kam punuar pa pushim
për makinën, sepse këtë vit jam përqendruar në
ëndrrën time: që të bëhem kampion bote, pasi
Meklareni është vendi ku duhet të jem dhe këtu
ndihem si në shtëpinë time", rrëfen ai.
Fëmijëria, pasioni dhe fillimet
"Kur isha i vogël isha i turpshëm deri në një
farë pike, por asnjëherë nuk kam pasur frikë për
të bërë atë që më argëtonte. Nuk jam hedhur
akoma nga aeroplani dhe të bëj çmendurira të
tjera si këto, por shumë shpejt do t‘i bëj. Jam i
lirë i qetë nga natyra dhe e vetmja, gjë nga e cila
kam frika janë merimangat. Por, shumë njerëz si
unë kanë frikë nga ato". Në vitin 1991 - kur ishte
vetëm 6 vjeç - Luis mori pjesë në një emision
për fëmijë të zhvilluar nga BBC për të folur rreth
garave. Kur ishte dhjetë vjeç, fitoi kampionatin e
parë me "Kart", dhe një ditë, që ai e quan të shënuar,
i tregoi Ron Denisit se një të ardhme do të
dëshironte të ngiste një Ferrari. "Më kujtohet se si
shkova drejt tij. Ishte shumë i zënë dhe u habita
se si kishte kohë të më dëgjonte, pasi njerëz të
këtij niveli nuk kanë kohë për askënd. Më kushtoi
pesëmbëdhjetë minuta kohë, mjaftueshëm për
t‘ia thënë të gjitha. Më kujtohet që në dorë mbaja
një fletë për të shkëputur disa autografe. U takova
me shumë njerëz, u takova me emra të mëdhenj të
sportit, po fatkeqësisht isha një vit me vonesë për
t‘i marrë një autograf Ayrton Senës. Ai kishte qenë
atje një vit më parë". Hemilton pranon se nuk ishte
i dhënë pas yjeve të F1 deri në atë moshë. "Nuk e
di pse. Nëse do të takoja Eddie Murphy ose një yll
filmi më habiste po kur vinte puna për garat me
motorë nuk mendoja kështu". Ndoshta këto ishin
mendimet e tij në fillim.
"Nisa të shija formula 1 kur isha 6 vjeç. Prindërit
e mi ishin të divorcuar dhe i kaloja fundjavat me
babin pikërisht kur në televizion jepen garat e
Formula 1. Babai im kishte nisur t‘i shihte dhe
kështu nisa të kuptoja se çfarë ishin. Kënaqesha
teksa shihja Senën tek pilotonte dhe betejën midis
Senës dhe Alain Prost, por nuk mbaj mend thuajse
asgjë nga garat e Nigel Mansell. Gradualisht nisa të
shihja gjithmonë e më shumë derisa u bëra një fans
i tmerrshëm i saj kur isha 13 vjeç", kujton.
Dashuritë
Për sa i përket jetës private, pavarësisht se sa
shumë shkruhet nëpër gazeta Hemilton nuk preferon
të flasë. Kur e pyesin se thuhet se ka lidhje
me vajzën e bosit të Meklarenit ai përgjigjet: "Kam
shumë shoqe. Në fund të fundit jam vetëm 23 vjeç
nuk mund të mendoj të martohem që tani".
Sukseset
Në vitin 2000 është kampioni evropian i "Kart
Formula A", ndërsa vitin tjetër debuton në "British
Formula Renault". Në vitin 2003 fiton titullin në
këtë kategori me dhjetë suksese në 15 gara. Shpallet
sërish kampion në "Euro Series F3, dy vjet më
pas, dhe në këtë rast dominoi krejtësisht sezonin
duke fituar 15 vende të para nga 20. Në sezonin e
vitit 2006, debutoi në serinë GP2 me "ART Grand
Prix" duke zëvendësuar kampionin Niko Rosberg.
Garat tregonin se ishte kampion i padiskutueshëm
që kishte një dashuri të madhe për makinat. Falë
fitores së kampionatit të GP2, Hemilton mori pasaportën
për të nisur rrugën e tij me Meklarenin
në vitin 2007 duke arritur rezultate të jashtëzakonshme
dhe duke u shpallur që në vitin e tij të parë
nënkampion i Formula 1. Hemilton është i pari
pilot me ngjyrë në historinë e këtij sporti