Princ Vidi: Ju rrëfej Shqipërinë e viteve 1913-1914
Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm të kësaj rubrike historike, nëpërmjet kujtimeve të princit gjerman Vilhelm Vid, njeriut i cili mbretëroi për gjashtë muaj me radhë në Shqipëri në fillimin e dekadës së dytë të shekullit të kaluar, u njohëm me politikën e fuqive të mëdha ndaj shtetit të ri shqiptar të porsaformuar dhe atmosferën që mbizotëronte në Shqipërinë e viteve 1913-1914. Bashkë me këto kujtime të cilat janë përkthyer nga Instituti i Historisë në Tiranë në vitin 1966, sipas librit "Denkschrift uber Albainian" (Memorandumi mbi Shqipërinë), që Vidi botoi në Gjermani pas Luftës së Parë Botërore, në numrin e djeshëm publikuam edhe disa shkrime nga shtypi shqiptar i vitit 1913, i cili përcolli me një interes të madh ardhjen e princ Vidit në Shqipëri.
(vijon nga numri i kaluar)
Kujtimet e Princit Vilhelm Vid
Me ndihmën e saj ay (Esad Pashaj), okupoi shpejt gjithë Shqipërinë e Mesme. Veç kësaj atë e ndihmuan prona e madhe në Tiranë dhe rrethet dhe me këtë partija e tij e madhe lokale, si dhe pasuria personale dhe paraja e Montanegrinasve. Ay urrehesh prej gjithë parisë tjetër Shqiptare. Banorët e Shqipërisë së Mesme qenë shumë të pakënaqur me regjimin e tij, por në parandjenjën e fuqisë absolute, ay emëroi veten shef ekzekutiv të senatit për Shqipërinë e Mesme. Ay mori njëherësh një qëndrim armiqësor kundra Ismail beut dhe kërkoj, të zgjeroj, bile me luftë sferën e influencës së tij përkundrejt atij. Për t‘ju dhënë shkas njerëzve të tij për me veprue kundra qeverrisë shqiptare në Vlorë, në sferën e së cilës banonin gati ekskluzivisht muhamedanë, ay pretendoj se ata qenë për një princ krishter, kurse ay do të kujdesej që të vinte në Shqipëri një princ mysliman. Kështu ay shkaktoj, vetëm për të zgjeruar pushtetin e tij personal, që shqiptarë muhamedanë, sidomos ata të qarkut të Elbasanit, të luftonin njëri tjetrin. Një farë opozite midis Shqipërisë së Mesme dhe asaj të jugut qe krijuar që para ardhjes sime. Një vent pa kufij të caktuara mirë, kërcënuar prej çdo ane prej armiqsh shumë më të fortë dhe të armatosur mirë; përbënin disa distrikte të përçarë; sundue dhe mbajtur nën zgjedhë prej disa notabelve egoiste dhe ambiciozë; por me një popull që përvëlohesh për liri, pamvarësi dhe zhvillim shoqëror dhe zhvillim paqësor. Kjo qe Shqipëria aty nga fundi i vitit 1913. Sistemi i vjetër turk i korruptimit, i tiranisë dhe intrigave, nuk mund të ngelte pa gjurma gjatë sundimit shekullor turk. Paraja dhe interesat personale krijuan në vend një parti greke, turke, italiane dhe austriake; vetëm serbët dhe malazezët qenë dhe mbetën armiq të urryer për të gjithë. Shqiptarët altruistë dhe me ndjenja patriotike qenë ata me kulturë, të cilët patën jetuar dhe studiuar në vende të huaja dhe atje kishin parë dhe njohur edhe dobin dhe avantazhet e nji administrimi shtetnor të rregullt për një popull (ndoshta mbi 1 milion shqiptarë rrojnë jashtë). Ata përfaqësuesit e inteligjencës shqiptare, formonin bërthamën e lëvizjes së pamvarësisë kombëtare. Simbas origjinës ata i përkisnin gati ekskluzivisht fiseve t‘anës detit ose banorëve të qyteteve. Atje ata kishin influencë dhe prestizh. Në hinterlandin (buqësia, malësorët), populli u jepte shoqërim të pakufishëm familjeve në konsiderim, më të pasura dhe më me shumë tokë. Gati krejt analfabetë, populli i hinterlandit u besonte pa kufi gjithë zërave dhe përshpëritjeve që jepeshin gojarisht. Se edhe vetë Esad Pashaj nuk dinte të lexonte as të shkruante, vetëm emrin e tij qe në gjendje me shumë mundime të shkruante. Si një djalosh i ri, të cilit, prej vdekjes së prindërve të tij, i mungon pa papritmas dora ledhatuese drejtuese dhe edukuese dhe tash i jep shenja lirie me pranga të këputura, por se ay ende nuk merr vesh duke frenuar veten të përdorë me masë, plot plane dhe ideale për një të ardhme të lumtur - ky qe shteti i ri shqiptar. As kurrkund as një bashkim, pa ndërmarrje të përbashkëta, përkundrazi përçarje, një përplasje interesash personale në kundërshtim me njëra tjetrën, dhe prap gjithkund fara për vepra të mëdha, fillesa për një shtet të fuqishëm indipendent. Gjendja e Shqipnisë në fillim të vitit 1914 mund të barazohet mirë në një portret të historisë gjermane, interesimin, kohës pa imperator, të tmerrshëm të cilëve ju dha fund prej Rudolfit të Hamburgut. "Deri në caktimin e princit të ri, veprimtaria e zyrave të deritashme vendase si dhe ajo e gjindarmërisë do të kontrollohej prej komisionit ndërkombëtar", kështu tingëllojnë simbas vendimeve të Londrës kompetencat e komisionit internacional. Më 17 tetor 1913 ay mbajti mbledhjen e parë të vet. (Mbi rrethanat në Shqipëri dhe mbi veprimtarinë e komisionit ndërkombëtar nji pasqyrë të përpiktë). Prej qeverive të shumta lokale pak nga pak u kristalizuan katër si më të rëndësishme, të cilat zgjeruan dhe pranuan influencën e tyre. Ded Coku nuk mund të qëndronte më në Lezhë dhe në Ulqin, mbasi beu Bid Doda u kishte shtrirë dorën këtyre dy qyteteve dhe vetë fisi i tij kishte refuzuar bindjen. Ay nuk donte të kishte për prijës dikë të shkallës së vet. Për këtë arsye ata iu drejtuan N/kolonelit anglez Phillips në Shkodër dhe ju lutën për vendosjen e administratës nënë udhëheqjen ndërkombëtare. Mbas pranimit të komisionit ndërkombëtar, kryesinë mbi këtë rajon e mori një oficer austriak, italjan dhe anglez. Qysh atëhere Prenk Bib Doda nuk u shfaq më në ato anë. Në Shkodër dhe rreth e përqark, mbante rendin kryetari i detashmentit ndërkombëtar N/koloneli anglez Phillips. Gjithë gjendja në veri të Shqipërisë lejonte supozimin, se marrja e pushtetit prej anës së princit të ri nuk do të shkaktonte ngatërresa. Krejt e kundërta qe gjendja në Shqipërinë e Mesme dhe të jugut.
Esad Pasha dhe Ismail Qemali kundër njëri-tjetrit
Esad Pashaj dhe Ismail Qemali luftonin ashpër dhe intrigonin me çdo mënyrë njëri tjetrin. Esadi si më i rëndësishëm dhe më i rrezikshëm prej të tjerëve, kërkonte të zgjaste sferën e pushtetit të tij deri n‘Elbasan. Nëpërmjet dhuratash dhe premtimesh ay ja dolli mbanë me e zgjeru gjithmonë e më shumë influencën e tij të partizanëve dhe të fare e fisit të vet. Përkundrejt komisionit ndërkombëtar ay nuk u tregua kurrë armik i tij, ai i rrëshqiste si ndonjë ngjalë, gjithmonë ay siguronte lojalitetin e tij, ay ish gjithnji gati me i shërbye Evropës dhe princit të ri. Qysh atëhere si mbas lajmeve, sjellja e tij shkatoj dyshim se ay bante lodër të dyfishtë dhe se mendonte vetëm për pushtetin e tij t‘arthshëm. Përkundrazi influenca e Ismail Qemal beut në jugë sa vinte po binte poshtë. Atij i mungonte, në kundërshtim me Esad Toptanin, i cili mund të mbështetej në trupat e shpëtuara prej Shkodre, n‘ato të rekrutuara rishtazi, fuqia militare e nevojshme. Sidomos e ndjeshme qe mungesa e një pushteti unik qeveritar në çështjen e muhaxhirëve. Prej tokave të dhëna Serbisë dhe Greqisë, shumë emigrantë qenë hedhur në Shqipëri. Sidmos në Dibër dhe Elbasan ndodheshin me shumë (me mijra), të cilëve u mungonte edhe sendi më i nevojshëm dhe që kishin nevojë të ngutshme për ndihmë. Qeverija austriake dhe italjane, dhe ajo angleze, dhuruan ndihma financiare dhe uniforma, që t‘ju ndihmonte interesave të vendit. Të ardhurave doganore në Durrës u kish vënë dor Esad Pashaj, atyre të Vlorës Ismail Qemali. Qemali një pjesë të të ardhurave doganore i vuri në dispozicion për të ndihmuar muhaxhirët dhe për formimin e trupit të gjindarmërisë. Esad Pashaj refuzoi kategorikisht të japë prej kësaj shume botore diçka për këto të dyja, në këtë kohë shpenzimet më të ngutshme të vendit. Edhe oficerët hollandezë, të cilët qenë ngarkuar, në vend të oficerëve svedezë që qenë marrë në fillim për këtë parasysh, me ngritjen e një gjendarmërie ndërkombëtare dhe kësaj detyre i kushtuan energji dhe zell, jo që nuk ndihmuan në Shqipërinë e Mesme prej Esadit, por përkundrazi atyre u shkatojshin vështirësinat më të mbëdha. Ay e pengoi veprimtarinë e tyre duke njoftuar se ay kish formuar tashmë gjindarmërinë e vet shqiptare. Sidomos çqetësuese qe gjendja në Shqipërinë e Jugut, Greqia nuk kish zbrazur ende tokat e okupuara shqiptare. Banda të shumta të udhëhequra prej oficerëve të pensionuar grekë (me gjith se jo hapët), punonin për revoltimin e këtyre tokave. Gjatë veprimtarisë së vet, Komisioni Ndërkombëtar e kishte konstatuar se mënjanimi i të dy sunduesëve, Esad Pashajt dhe Ismail Qemal beut, qe një konditë e domosdoshme për qetësinë e brendshme shqiptare dhe për pranimin e fronit prej një princi të ri. Ay e dinte se çdukja e Esad Pashë Toptanit dhe Ismail Qemalit qe pjekur si mbas mendimit të tij, njerin, pse ay mund të forcohesh shumë, tjetrin, pse ay e kish falimentuar. Këtë vendim e forcoj edhe më tepër pjesëmarrja e të dyve në komplotin e dështuar të Turqve të Rinj, i cili donte të vendoste si regjent në Shqipëri gjeneralin turk Izet Pashanë. Tek Ismail Qemal beu komisioni ndërkombëtar ja arrijti qëllimit për ta detyruar atë të japë dorëheqjen si president të "qeverisë provizore" për të cilën ay qe krejt i paaftë, kurse Esad Pashaj, pa u mërzitur vazhdoj të sundoj si "shef ekzekutiv i Senatit për Shqipërinë e Mesme". Komisioni ndërkombëtar qe në përgjithësi një pjellë shumë e pafat. Në të vërtetë ay përfaqësonte 6 fuqitë e mbëdha, por nuk kish në asnjë mënyrë pushtet ekzekutiv. Në masë të vogël u manifestuan edhe tek ay gjithë kundërshtimet, që ekzistonin midis Triplialenacës dhe dubëlaleancës t‘ë asaj kohe në çështjet e mbëdha politike. Kur triplialeanca, para së gjithash Gjermania dhe Austro-Ungaria, dëshironte dhe përpiqesh për një zhvillim të rrethanave që do të kish për drejtim një shtet të pavarur shqiptar uniform dhe të fortë, dubëlaleanca (Franca-Rusia), qe për një dobësim sa më të madh të brendshëm dhe të jashtëm të Shqipërisë, që kështu Serbija dhe Montenegroja të mundeshin të zmadhonin shtetet e tyre, Veç kësaj vinte dhe kundërshtimi midis Austro-Ungarisë dhe Italisë, të cilët që të dy konstatonin me sy ziliqar rritjen e influencës të tjetrit në Shqipëri. Gjith kjo nuk mund t‘i shpëtonte syrit të vërejtshëm të një shqiptari. Kjo rrëzoj poshtë jo vetëm prestigjin e komisionit ndërkombëtar, por edhe atë të fuqive të mbëdha. Kjo rënije e prestigjit e fuqive garantonjëse qe krimbi brejtës, i cili e hante palcën e kurrizit lules së re shtetnore. Si do të qe në gjendje prici i ri, potenca dhe buroja e të cilit varesh vetëm prej prestizhit të fuqive të mbëdha, prej frikës dhe vullnetit të tyre të fortë, të mbajë rendin në një vend të përçarë dhe të parregull, kur që të dyja qenë varrosur që në fillim? Për atë që do të hedhi një vështrim prapa, për atë konteksiteti është i kjartë: vështrimi mbi realitetin e mospërmbushjeve të premtimeve prej anës së fuqive të mbëdha, tregon se vetëm plotësimi i tyre mund të bënte të mundur zgjidhjen e detyrës në ...
Komenti i gazetës "Përlindja e Shqipëniës" për ardhjen e princ Vidit
"Gëzimi në Shqipni për zgjedhjen e Mbretit"
Caktimi i princit gjerman, Vilhelm Vid, nga ana e fuqive të mëdha për të ardhura në krye të shtetit shqiptar, u prit mjaft mirë dhe me një entuziazëm të jashtëzakonshëm në të gjithë Shqipërinë. Kjo gjë duket qartë edhe nga shtypi shqiptar i asaj kohe, i cili i bëri një jehonë të madhe ardhjes së Vidit në Shqipëri. Lidhur me këtë, gazeta "Përlindja e Shqipniës" në një kryeartikull të saj të datës 7 dhjetor të vitit 1913, midis të tjerash shkruante: "Sot kemi gëzimin e math që, bashkë me lajmet e mira për të ndarin e kufijve të jugës në një mënyrë mjaft të drejtë për kombin shqiptar, të vemë në gazetë edhe fytyrën bujare e Madhësisë së Tij, Ëilhelm de Ëied. Dihet se qysh të gjitha fuqitë e mëdha , duke u përkujdesuar më shumë nxehtësi për të mirën e paskëtajme të popullit shqiptar, u gjendën shpejt me një mëndje për t‘ia dhënë Princit de Ëied fronin e Shqipënisë. Qeverria e Përtashme u lajmua sakaq për këtë shënim të Evropës dhe e morri lajmin e mirë me gjithë gëzimin që ndjehet kur vjen sihariqi i pritur që shumë kohë me padurim. Gëzimin e vet, Qeverria e përhapi me të shpejtë në të gjitha viset që gjenden nën sundimin e saj. Të gjithë e pritën lajmin me gëzim aq të madh sa s‘tregohet dhe dëftyen këtë gëzimin në një mënyrë të shkëlqyeshme. Në tanë kazanë e Beratit, t‘Elbasanit, të Shkodrës e në viset e tjera, popullsia, në zjarrin e gëzimit, bani mbledhje për të aklamuar e për të uruar Atë që është shënuar që ta bajt Shqipninë të lumtur. Këto mbledhjeje q‘u banë nder të gjitha viset ku munt, sot, Shqiptari t‘a tregojë lirisht ndjenjën e vet, provojnë plotësisht lumtësien që ndjen, në këtë ditë, kombi ynë duke e parë fatin e vet të venduar në duar që do të dinë t‘a sigurojnë lutësinë. Kjo zgjedhje fatmire bani të këmbehet në gëzim hidhërimi i gjertanishëm i zemrave shqiptare. Populli shqiptar i cili me një gëzim e siguri të pafundme, e ve, fatin e vet në duar mbretënore të Madhësisë së Tij Ëilhelm de Ëied, me dëshirë të pakufishme, dëshiron që t‘a shohë sa më shpejt e sa ma mirë afër të parin e vet. Shumica e telegrameve që morri Qeverria nga gjithë vendet ku u banë mbledhjet e popullit për të akllamuar Atë që do të mbretërojë mbi nipat e luftëtarëve të Kastriotit, Madhësinë e Tij Ëilhelm de Ëied, provojnë ma tepër se sa lark janë prej së vërtetës ata të pakët keqëdashës të kombit shqiptar, të cilët me kurrnjë arsye e kurrnjë të vërtetë, thanë se zgjedhja e Princit Ëief do të mos pëlqehet në shumë vise të Shqipnisë nga shkaku i fesë. Ato që u thanë në mbledhjet e popullit, dëftejnë me plotësim se askujt në Shqipënie nuk i vete mëndja në ndryshimin e fesë kurrë dhe ma fort, ahere kur asht puna për të mirën e përgjithëshme të Shqipnisë, Musulmanët e të krishtenët, Gegë e Toskë, të gjithë u gjetën në një mëndje e plot gëzim, së bashku thirrën: RROFTË MBRETI YNË ËILHELM - RROFTË FËMIOJA MBRETËRORE.
Komentet e shtypit shqiptar të kohës për pritjen e princit
"Princ Vidi dhe delegatët e Shqipërisë"
Sipas asaj çka shkruhej në shtypin shqiptar të kohës, vendimi i fuqive të mëdha për caktimin e princ Vidit në krye të shtetit shqiptar të porsaformuar, u prit me një entuziazëm të paparë nga mbarë populli shqiptar. Pas kësaj, për pritjen e princ Vidit u caktuan edhe delegatët nga të gjitha krahinat e vendit që do të shkonin në qytetin e Durrësit dhe t‘i uronin atij mirëseardhjen. Lidhur me këtë bën fjalë edhe një artikull i shkurtër i botuar në gazetën "Përlindja e Shqipëniës" i datës 14 dhjetor 1914, ku
nën titullin "L. e Tij Princi Wilhelm de Wied e delegatët e Shqipnies" midis të tjerash shkruhet: "Sikundër kemi lajmënuar në numrat e parë të fletës s‘onë, gjith Qeverrit e Mëdha, në një mëndje, me anën e kancelarit të Gjermanisë, banë të njohur vendimin e tyne që froni i Shqipnisë t‘i epët L. Tij Princit Wilhelm de Wied. Mbi këtë lajm Qeverria e lajmëruar, mori të gjitha masat që populli, nga çdo vent i Shqipnisë të dëftejë mendimin e tij për këtë zgjedhje kaq të lumtur. Nga të gjitha anët, në çdo qytet e katund, lajmi fatbardh u prit; Zgjedhja e Evropës u pranua me shumë kënaqësi e me shumë lavdërim prej popullit shqiptar. Passi Shqipnia e tregoi kaq mirë mendimin e vet mbetej çështja e delegatëve që duhet të venin për të shtruar përpara L. T. Princit, zgjedhjen e popullit. Por duke qenë se L. T. nuk asht përgjigjur zyrtarisht Qeverrive të Mëdha për poltisjen e kurorës së Shqipënies, dërgimi i delegatëve mbetet gjer në ditën kur të epet përgjigjia, e cila pritet me kaq dëshirë të madhe dhe që, nuk ka dyshim, s‘do të vonohet".