Meksi: Çmimi i bukës kontrollohet nga qeveria
Qeveria dhe institucionet e saj të pavarura kanë në dorë
rritjen apo uljen e çmimit të bukës. Sipas ish-ministres
së Ekonomisë dhe anëtare e Komisionit të Ekonomisë
për PS-në, Ermelinda Meksi, shprehet pesimiste në përmirësimin
e situatë, duke parë qëndrimin indiferent të qeverisë,
ndërsa për sa i takon kompensimit, sipas saj, nuk është tjetër
veçse mashtrim i radhës.
Çfarë mekanizmash duhen përdorur për të zbutur disi rritjen
e mëtejshme të çmimeve?
Ndërsa rritja e çmimit të bukës në vend përbën shqetësim
për të gjithë konsumatorët, qeveria justifikohet se është rritur
çmimi botëror i grurit. Kjo është e pajustifikuar me atë që
po ndodh në realitet. Rritja e çmimit të bukës është shumë
më e madhe se sa ajo e çmimit të grurit në bursë. Rritja e
çmimit të grurit të importuar në muajin nëntor 2007 ishte
44.9-45%, kurse rritja e çmimit të miellit është 210%, pra 2.5
herë më e lartë. Pra ka vend për kontroll nëpërmjet institucioneve
dhe mekanizmave qeveritare për të luftuar abuzimet
dhe marrëveshjet monopol. Shteti ka përfituar nga kjo,
konkretisht 1,5 miliardë lekë më tepër se e njëjta periudhë e
një viti më parë. Këto të ardhura të shkojnë te konsumatori,
familjet në nevojë, fermerët-prodhues për të nxitur prodhimin.
Argumenti se heqja e TVSH-së do të çojë fitimin te
importuesit është i vërtetë vetëm për fazat e para, pasi më
pas çmimi bie dhe kjo ulje shkon në favor të fermerit.
Po indeksimi i pagave dhe pensioneve...?
Mendoj se politika e indeksimit dhe kompensimit përkatës
monetar, të paktën të pensioneve për efekt të rritjes së çmimit
të bukës, është një rrugë që do të ndikonte në zvogëlimin e
rreziqeve për tensione sociale dhe në frenimin polarizimin të
mëtejshëm të shoqërisë. Në ndryshim nga çmimi i bukës që
i nënshtrohet lirisht lojës së tregut dhe manipulimeve eventuale
në të, energjia dhe çmimi i saj është tërësisht nën kontrollin
e qeverisë dhe të institucioneve të saj "të pavarura".
Dyshoj se indeksimi i çmimit të shitjes së bukës dhe kompensimi
përkatës i premtuar do të jetë demagogjia e radhës - si
kompensimi për energjinë elektrike, thjesht "për të kaluar
lumin".