E Diel, 1 Nëntor 2026

FIFA, luftë të hapur basteve ilegale

Bota e futbollit ka filluar një luftë të ashpër për të mbrojtur integritetin e saj nga milionat e dollarëve që qarkullojnë në bastet ilegale dhe dyshimet për trukimin e ndeshjeve në sportin më të dashur të rruzullit tokësor. Për këtë arsye, FIFA ka ndërtuar Agjencinë e Mbrojtjes nga Rezultatet e Dyshimta, "Early Warning System GmbH", e cila ka si qëllim të mbrojë futbollin nga ndërhyrja e mafies aziatike që kërkon trukimin e rezultateve. "Në vit vihen baste për më shumë se 100 miliardë euro", shpjegon Volfgang Feldner, shefi i strategjisë në EWS. "Ne kemi përgjegjësi për ndeshje në krahina të ndryshme, nuk dihet asnjëherë se ku do të ndodhë manipulimi i radhës".

Gjatë muajve të fundit ka pasur raporte të vazhdueshme mbi përpjekjet për manipulimin e futbollistëve afrikanë, kontrolle të befasishme në kompanitë e basteve afrikane dhe baste me shuma të mëdha në ligat e vogla evropiane. FIFA vendosi që duhej vepruar për të mbrojtur këtë lojë nga korrupsioni, pasi pësoi goditje të forta gjatë skandaleve të Gjermanisë, Italisë dhe Brazilit. "Ato ishin katalizatori. Ne e kuptuam se duhej të ishim të sofistikuar po aq sa edhe pala kundërshtare", tregon zëdhënësi për shtyp i FIFA-s, Andreas Herren. EWS, e themeluar gjatë vitit të kaluar dhe e punësuar nga FIFA për të mbikëqyrur bastet në futboll, ka punësuar mbi 200 bastvënës dhe kompani bastesh në të gjithë botën, ndërsa kërkon partnerë të tjerë për të shkëmbyer informacione, pa harruar të shfrytëzojë raportime nga gazetarët, policët, zyrtarët e futbollit dhe lojtarët. Gjatë Botërorit 2006, burimi i më shumë se 90% të të ardhurave të FIFA-s, kjo organizatë vuri në punë një program testues për të siguruar që të 64 ndeshjet nuk do të prekeshin nga manipulime. EWS po monitoron më shumë se 900 ndeshje kualifikuese për turneun e vitit 2010, ndërsa do të vazhdojë kontrollin edhe gjatë zhvillimit të këtij Botërori. FIFA ka bërë të qarta se 90 ndeshjet e zhvilluara deri tani kanë qenë të pastra, por kjo nuk do të thotë se manipuluesit nuk kanë provuar të trukojnë këto takime. Gjithçka është bërë më problematike pas fillimit të kualifikueseve aziatike, një kontinent ku bastet janë bërë argëtimi i masës, ashtu si përpjekjet për trukimin e rezultateve. Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Ronald Nobël, ka bërë të qartë se kompanitë ilegale të basteve janë në funksion të mafies së drogës, trafikut të qenieve njerëzore, prostitucionit dhe mitëmarrjes. "Është e pamundur të ndalosh bastet. Por gjëja më e mirë në sportin me skuadra është se në fushë janë 22 futbollistë, katër gjyqtarë, dy stafe teknike, zëvendësuesit. Është një numër i madh personash që duhen përfshirë nëse dëshiron të trukosh ndeshjen. Sa më shumë njerëz përpiqesh të korruptosh, aq më të mëdha janë shanset që të zbulohesh", tregon Herren. "Një person nuk mjafton, duhet të korruptosh të paktën 3-4 lojtarë për të siguruar rezultatin e një ndeshjeje. Ndeshjet mbi të cilat ne kemi dyshime nuk janë kurrë ato të rëndësishmet, pasi janë shumë të shtrenjta për t‘u manipuluar", shpjegon zëdhënësi i UEFA-s, Uilliam Gajard.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›