WADA kthehet në Shqipëri për antidopingun
Peshëngritja shqiptare ka përfunduar përsëri në shënjestrën e kontrolleve të WADA-s, organizatës ndërkombëtare të antidopingut. Zyrtarë të antidopingut ndërkombëtar kanë zbarkuar dje në vendin tonë duke kryer testin e radhës me sportistët që pretendojnë pjesëmarrjen në Evropianin e Peshëngritjes që zhvillohet në muajin prill të këtij viti në Itali. Gjithçka është ruajtur sekret deri në momentin e fundit, aq sa peshëngritësit që i janë nënshtruar kontrollit antidoping e kanë bërë një gjë të tillë në një nga hotelet e kryeqytetit dhe jo në ambientet e Federatës së Peshëngritjes siç ka ndodhur vitin e kaluar. Ky interesim i strukturave ndërkombëtare antidoping ndaj Shqipërisë ka lindur pasi vetëm gjatë vitit 2007, tre peshëngritës shqiptarë kanë rezultuar pozitivë në këto testime. Fetije Kasaj, Miriam Lozi dhe Isa Bala, u përjashtuan për dy vjet nga aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa Endri Haxhihyseni u shpall i pafajshëm pas zhvillimit të "Provës B", duke pasur tashmë lejen për t‘u kthyer përsëri në aktivitet. Federata Shqiptare e Peshëngritjes nuk ka bërë një deklaratë zyrtare për këtë çështje, por është mësuar se ka qenë vetë kjo e fundit që ka kërkuar me ngulm që WADA të kryente testime surprizë gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që të evitohej ndonjë ngjarje e rëndë gjatë turneut ndërkombëtar ku Shqipëria synon kualifikimin në Lojërat Olimpike. Rezultimi i tre peshëngritësve pozitive gjatë kontrolleve antidoping brenda vitit 2007 ka sjellë edhe paralajmërimin e Federatës Ndërkombëtare, e cila me përsëritjen e rasteve mund të shkojë deri në pezullimin e përkohshëm të shtangës shqiptare. Meqenëse aktiviteti evropian zhvillohet në pjesën e dytë të muajit prill, WADA mund të kthehet përsëri në Shqipëri gjatë marsit për të zhvilluar një tjetër kontroll të peshëngritësve shqiptarë, nëse ka dyshime që këta të fundit vazhdojnë të kenë "kontakte" me substancat e palejuara.