E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderohet me Medaljen e Artë të Parlamentit të Republikës së Greqisë.

27 nëntor 2007

Athinë,

Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Republikën e Greqisë, Presidenti i Republikës dhe delegacioni zyrtar që e shoqëronte është pritur nga Kryetari i Parlamentit, Dimitris Sioufas. Më herët Presidenti Topi, i shoqëruar edhe nga delegacioni i lartë zyrtar shqiptar, vendosi një kurorë në shenjë nderimi tek Monumenti i Ushtarit të Panjohur ku u prit nga Zëvendësministri i Mbrojtjes, Konstantinos Tasulas, i cili përfaqësonte Qeverinë greke.

Gjatë takimit Kryetari i Parlamentit, Sioufas e ka vlerësuar vizitën e Presidentit Topi në tokën helene si nje dimension të ri për marrëdhëniet e miqësisë e bashkëpunimit mes Shqipërisë e Greqisë e në këtë kuadër z. Sioufas i ka dorëzuar Presidentit Topi Medaljen e Artë të Parlamentit të Greqisë, një vlerësim që i jepet personaliteteve të huaja më të larta për merita të veçanta.

Pas takimit Presidenti Topi dhe kryetari i Parlamentit të Greqisë Siufas janë shprehur për mediat

Presidenti Topi:U takuam sot me Kryetarin e Parlamentit grek me të cilin biseduam çështje mjaft të rëndësishme që i interesojnë dy vendeve tona në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit të marrëdhënieve. E falenderova Kryetarin e Parlamentit për gjithçka ka bërë për forcimin e kësaj miqësie dhe besoj kontributin e tij konkret në disa çështje që nuk ka qenë thjesht politike, por edhe ekonomike, si çështja e energjisë.

I kushtuam shumë rëndësi dialogut parlamentar. Diskutuam për mbështetjen që Greqia i jep Shqipërisë në sfidën për integrimin euro-atlantik, mora premtimin që edhe Parlamenti grek do ta ratifikojë së shpejti Marrëveshjen e Stabilizim-Asoccimit, në mënyrë që Shqipëria të futet përfundimisht në mënyrë të konsoliduar në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.
Biseduam për çështje të minoritetit, që patjetër do të shkojë drejt standardeve europiane në trajtimin e tyre, për çështje të emigracionit shqiptar në Greqi, për tema të tjera të rëndësishme të cilat ne mendojmë se do të zgjidhen nëpërmjet funksionimit të grupit të ekspertëve.
Shpresoj që shumë shpejt Kryetari i Parlamentit të jetë me një vizitë në Shqipëri, me një ftesë që ka nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, i shoqëruar besoj nga një grup parlamentarësh që ta bëjmë sa më të gjerë nivelin e bashkëpunimit, që për hir të së vërtetës sot është në momentin më të mirë, në pikën më të lartë. E falenderoj Kryetarin për mikpritjen, për fjalët mjaft të mira dhe për predispozicionin e vazhdimit të këtij bashkëpunimi.

Kryetari i Parlamentit të Greqisë, Sioufas: Shkëmbyem mendime për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe konstatuam se edhe në nivelin politik edhe në atë parlamentar marrëdhëniet tona gjenden në nivel të mirë, nivel i cili mund të bëhet akoma më i mirë dhe në këtë drejtim do të bëjmë çdo përpjekje për të rikonfirmuar çdo herë se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, Greqisë dhe Shqipërisë, janë marrëdhënie miqësore, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe së bashku do të zgjidhim probleme të përbashkëta për zhvillimin e dy vendeve.

Greqia është investitori numër një në Shqipëri dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por të dy vendet bashkëpunojnë edhe në kuadrin e komunitetit energjitik të Ballkanit dhe po ashtu në gjirin e organizatave të tjera rajonale. Greqia mbështet rrugën euro-atlantike të Shqipërisë dhe synon që me Presidentin e ri, të cilit i uroj një mandat të suksesshëm, të avancojnë dhe të zgjidhen edhe ato probleme që kanë mbetur pezull që kanë të bëjnë me minoritetin grek në Shqipëri

Presidenti Topi: Dëshiroj që përpara mediave ta falenderoj edhe për nderin që më bëtë zoti Kryetar duke më dhënë “Medaljen e Artë të Parlamentit me kokën e Perikliut”. Është një moment i paharrueshëm për mua si shenjë i marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›