E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi u takua me Kryeministrin grek Karamanlis. Greqia do të ratifikojë së shpejti MSA-në.

26 nëntor 2007

Athinë,

Presidenti i Republikës, Bamir Topi në vazhdën e vizitës së tij në Republikën helene, i shoqëruar edhe nga delegacioni i lartë shtetëror, zhvilloi një takim me Kryeministrin grek, Kostas Karamanlis.

Në këtë takim u vlerësua niveli jashtëzakonisht i mirë i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, u diskutua për nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve tona dhe u shpreh vullneti i përbashkët për t'i thelluar ato si në nivel politik, ekonomik dhe në fusha të tjera. Në takim u shpreh gjithashtu vullneti reciprok për t’u dhënë zgjidhje çështjeve të veçanta nëpërmjet ngritjes së komisioneve të posaçme me ekspertë.

Kryeministri Karamanlis siguroi për mbështetjen e Greqisë për Shqipërinë në rrugën e integrimit euro-atlantik dhe premtoi që shteti i tij do të ratifikojë shumë shpejt Marrëveshjen e Associm-Stabilizimit të Shqipërisë me BE-në.

Gjithashtu në pasditen e sotme, Presidenti Topi zhvilloi takime të veçanta me përfaqësues të partive parlamentare në Greqi: me Sekretaren e Përgjithshme të Partisë Komuniste së Greqisë, Aleka Papariga, me Kryetarin e Partisë Popullore Ortodokse (LAOS) Jorgos Karaxhaferri, me Kryetarin e Koalicionit të së Majtës Radikale, Alekos Alavanos dhe me Kryetarin e Partisë më të madhe opozitare greke, PASOK, Jorgos Papandreu.

Në përfundim të ditës së sotme, Presidenti Topi pati një komunikim me përfaqësues të mediave që po mbulojnë vizitën e tij zyrtare si gazeta “Elefterotipia”, “Elefteri Ora”, “VOA”, “BBC”, gazetat në gjuhën shqipe “Tribuna” dhe “Albania Press, si dhe “ATSH”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›