E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF, dakord për ndryshimin e legjislaturës

Federata Shqiptare e Futbollit ka mbështetur nismën e Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve. Këta të fundit kërkuan dy ditë më parë publikisht ndryshimin e legjislaturës në kodin penal për të shmangur korrupsionin në futboll, trukimet e ndeshjeve si dhe përfshirjen apo sponsorizimin nga grupet mafioze. Zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Lysjen Nurishmi, ka treguar qëndrimin zyrtar të institucionit. "Jemi dakord me një nismë të tillë, që do të mbështetet nga ana jonë dhe shpresojmë që shumë shpejt organet ligjvënëse të bëjnë këto ndryshime në legjislaturën përkatëse", u shpreh ai. Ndërkohë, vetë prokuroria nuk është vënë ende në punë për të zbardhur ngjarjet e fundit në futbollin shqiptar si dyshimet për shitjen e ndeshjeve apo sponsorizimet nga organizata mafioze. Ajo është në pritje të reagimeve nga palët e përfshira në këtë çështje, sidomos atë shtetërore, e cila duhet të hapë dritën e gjelbër për fillimin e hetimeve pikërisht duke ndryshuar legjislaturën. Një hetim fillestar ka nisur rreth çështjes "Tomorri", pas arrestimit të ish-presidentit të kësaj skuadre në Itali. Në bashkëpunim me palën italiane priten të mësohen detajet e tjera të kësaj çështjeje dhe si investoheshin paratë e grupit mafioz në ekipin e futbollit të qytetit të Beratit. Deri tani nuk është bërë e ditur lista e personave të përfshirë në këtë ngjarje, pasi priten udhëzime të mëtejshme nga hetuesia italiane. por pritet që shumë shpejt të fillojnë hetimet për të gjitha ndeshjet e zhvilluara nga skuadra e përfshirë në këtë çështje për të parë nëse ka pasur abuzime, trukime takimesh apo edhe sponsorizime të tjera nga kjo organizatë kriminale. Në të njëjtën kohë, po vëzhgohen me kujdes të gjitha akuzat publike që janë bërë nga drejtues të ndryshëm klubesh ndaj njëri-tjetrit për ryshfete ndaj lojtarëve. Sipas legjislaturës aktuale këto raste mund të trajtohen nga prokuroria, ndonëse ata nuk do të kenë akuzën "mashtrim sportiv", por do të konsiderohen si mitëmarrje. Vetëm me plotësimin e kodit penal për raste të tilla, atëherë prokuroria do të ndryshojë akuzat ndaj personave përgjegjës për raste të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›