E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja e vajzës me sida: Shteti të na ndihmojë

Njëra nga dy vajzat binjake në Belsh ende nuk e di se çfarë do të thotë jetë a vdekje. Familja e saj përjeton për së gjalli këtë fatkeqësi. Vetëm për pak vite mund të jetojë. Kjo ka qenë deklarata e bluzave të bardha, te të cilët vajza e vogël paraqitet jo më pak se një herë në muaj. Tashmë rasti i infektimit me sida, të një vajze të vogël dyvjeçare mbetet sa prezent aq edhe publik në qytezën e vogël të Belshit. Madje, në këtë të fundit, familja Idrizi jeton që prej një viti për të qenë sa më afër shërbimit mjeskor të vajzës. Qëkurse u mësua sëmundja e pashërueshme e saj. Ikën nga fshati i Kajanit dhe u vendosën në një apartament të vogël në një godinë pesëkatëshe në qendër të kësaj qyteze, ndërtuar 20 e ca vjet më parë.

I ati është emigrant klandestin, më tepër për të siguruar pak të ardhura për ilaçet e vajzës së sëmurë, sesa për të rritur mirëqenien e tërë familjes. E ëma, përpiqet të rrisë dy binjaket, por me lot ndër sy, përkëdhel dyvjeçaren e sëmurë që tashmë e di mirë që nuk do ta ketë dhe për shumë. E tërë familja, të afërmit, fqinjët e farefisi, duket se janë "përgatitur" për një vdekje për së gjalli, por ngushëllohen me zgjatjen e jetës së saj duke intensifikuar kurat, ndërkohë që i luten Zotit, t‘i shpëtojë jetën një engjëlli të pafajshëm. Pikërisht këtu ka nisur edhe revolta e prindërve. "Të ishte e madhe e të ishte infektuar për faj të saj, do të ishte gjysma e të keqes dhe e turpit, por kur të vjen atje ku ke vajtur për t‘u shëruar, kjo nuk u falet atyre që e shkaktuan këtë sëmundje nga pakujdesia dhe papërgjegjshmëria", ka pohuar V.Idrizi, e ëma e vajzës së sëmurë. Mësohet se pesë muaj më parë ajo ka bërë një denoncim në Prokurorinë e Elbasanit. Por përveç marrjes procedurale të këtij kallëzimi, organet e drejtësisë në Elbasan, duket se nuk kanë bërë asgjë gjer tani. "Kam trokitur në dyert e prokurorisë disa herë, por më kanë nxjerrë përjashta", ka pohuar gjyshi i vajzës, Agim Dervishi. Ai bashkë me familjarë të tjerë ka kërkuar që të vihen para përgjegjësisë ata që shkaktuan infektimin e dyvjeçares që kur ishte në një moshë jo më tepër se gjashtëmuajshe. "Vetëm për pesë mijë lekë të vjetra, që unë i dhashë, m‘u sëmur vajza nga gjaku që mori", ka pohuar e ëma. Vajza, e shtruar në spitalin pediatrik të Elbasanit është trajtuar dhe mjekuar me kujdes nga personeli i këtij pavijoni, por kur i kanë thënë se duhej të merrte gjak, ka pranuar dhe ka paguar për këtë. "Nuk po kam hall se pagova lekë për gjakun e marrë apo për vizitat e bëra për sëmundjen që mori vajza ime gjatë kohës që merrte plazmën", shton e ëma e saj. Në familje dhe në farefis, jo pak kohë do të lakohej edhe e ëma si "dhuruese" e kësaj sëmundjeje. Ndoshta, thashethemet detyruan familjarët të paguajnë aq shumë për analizat në Tiranë, prej të cilave kanë dalë në përfundimin se infektimi është marrë gjatë dhurimit të gjakut në qendrën e dhurimit të gjakut në Elbasan. Në këtë të fundit është pohuar se çdo analizë pasi dhuruesi jep gjak bëhet në Tiranë dhe prej andej konfirmohet nga laboratori përdorimi i dozave të gjakut. Sidoqoftë, vajza nga zona e Dumresë, vazhdon agoninë e kësaj sëmundjeje të rëndë, por pa e ditur se çfarë ka që është e këputur, shpesh me temperaturë, ngjyrën kuqërreme rreth syve e pak puçrra në pjesën e sipërme të mollëzave të faqeve. Nesër pritet që prokurori i sapoemëruar i Elbasanit, Elion Goga, të hapë dosjen e "harruar" prej pesë muajsh, duke nisur kështu një hetim të mirëfilltë rreth kësaj çështjeje. Po nesër pritet që të paraqitet edhe nëna denoncuese, qo ndoshta do t‘i duhet të përsërisë edhe një herë denoncimin e saj rreth akuzave apo pretendimeve që ka në lidhje me infektimin e vajzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›