E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e Butrintit, shtyhet rikonstruksioni për në shtator

Rruga për në Butrint do të vazhdojë të jetë e frikshme dhe e vështirë për t‘u kaluar nga dy automjete, pa u ndalur njeri prej tyre në shkëmbim. Investimi i përfolur qysh vitin e kaluar për rikonstruksionin e saj është shtyrë përtej sezonit veror 2008, duke mos i kontribuar atij në këtë arterie me qarkullim të dendur sa nisin muajt e pranverës. Burime të mirinformuara nga ish-ndërmarrja e rrugëve, e transferuar së fundi në Qarkun Vlorë, thanë se projekti që parashikon sjelljen e rrugës nga Kanali i Çukës në Butrint në gjerësinë 8 metra, është në përfundim, por ende nuk ka marrë miratimin e duhur. Fundi i muajit mars mendohet se do të jetë koha kur projekti do të jetë gati për zbatimin. Por në mes janë procedurat e tenderimit, të sigurimit e miratimit të fondit të nevojshëm. Për të gjitha këto nevojitet një kohë disamujore, ndërsa do të ketë nisur sezoni veror dhe atëherë është koha më e papërshtatshme për të kryer investimin.

Kështu, vetëm për verën e vitit 2009 duhet shpresuar që do t‘u jepet fund udhëtimeve të frikshme dhe të vështira, kur drejtuesve të automjeteve u duhet të ecin edhe njëqind metra mbrapsht, për të bërë të mundshëm kalimin e atij që vjen përballë. Duke udhëtuar në këtë segment has në përkujtimore dhe lule, gjë që mjafton për të kuptuar se sa jetë njerëzish dhe aksidente ka kushtuar ngushtësia e saj dhe se sa e rrezikshme është të ulësh sadopak kujdesin në udhëtim. Por këto ditë është mësuar se gjithçka është shtyrë për në shtator, ndërkohë që rehabilitimi në 4 kilometrat e para të kësaj rruge, në segmentin Sarandë-Kanali i Çukës, vazhdon me kompletimin me ndriçim e trotuare, duke i dhënë karakteristikat e një shëtitoreje që zgjatet përtej qytetit të Sarandës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›