E Diel, 1 Nëntor 2026

Korça, qendra muzeore pa ndërtime

Qyteti i Korçës është ndër të paktët qytete në vendin tonë që nuk është prekur nga ndërtimet pa leje. Madje, qendra e qytetit është ruajtur me fanatizëm, duke e bërë ende tërheqës këtë zonë. Në një intervistë dhënë për gazetën "Shqip", kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, tregon për zgjerimin e qytetit, restaurimin e kalldrëmeve dhe investimet që priten të bëhen gjatë tre viteve në vazhdim.

A do të zgjerohet Korça me ndërtime të reja, do të ketë tkurrje apo zgjerim të saj?

Bashkia e Korçës për vitin 2007 ishte një nga bashkitë që ka zhvilluar më shumë mbledhje KRRT-je në rang republike. Nuk mbajtëm dosje në sirtar, por i trajtuam të gjitha aplikimet për leje ndërtimi. Korça nuk është një qytet me kërkesa agresive ndërtimesh, siç ndodh në qytete të tjera me një bum kërkesash të tilla dhe me interes të lartë ndërtimor. Korça nuk është një qytet që është rritur në popullsi, por, në fakt, ka ndodhur e kundërta, është tkurrur dhe zvogëluar. Ne kemi menduar të zhvillohet turizmi në shtëpi i fundjavës, që padyshim bashkë me gjallërimin e aktiviteteve kulturore dhe të traditës do të çojë në thithjen e njerëzve dhe hapjen e bizneseve të reja.

Çfarë është planifikuar për zonën industriale, për të cilën është folur që të kthehet në një zonë urbane? Sa lehtë mund të pajiset biznesi i ndërtimit në këtë rast me leje?

Tashmë e kemi kthyer zonën industriale në një zonë banimi. Kam marrë pjesë në një mbledhje të KRRTSH-së, ku është trajtuar propozimi ynë për ta kthyer një pjesë të zonës industriale brenda zonës së unazës së qytetit, që tashmë është degraduar dhe nuk shërben më si e tillë, propozim i cili është miratuar. Pas miratimit të këtij propozimi nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës, bashkia hartoi një studim për rrjetin rrugor. Kemi zgjidhur për gjithë këtë zonë rrjetin rrugor me një projekt dhe kemi nisur të japim lejet e ndërtimit për banesa kolektive, qendra komerciale etj., në zonën industriale. Bashkia ka bërë një studim me një rrjet rrugor në një zonë prej 18 ha dhe u është hapur rruga ndërtuesve për të ndërtuar, madje një pjesë janë në prag të përfundimit jo vetëm të pallateve të banimit në këtë zonë industriale, por edhe të bizneseve të reja. Një tjetër zonë atraktive për biznesin e ndërtimit është përfshirë në një studim me një sipërfaqe prej 25 mijë metër 2, për të cilën i kemi kërkuar qeverisë që këtë truall t‘ia kalojë bashkisë, pasi është truall shtetëror, por nuk është transferuar në pronësi të institucionit. Është premtuar që transferimi i pronave do të ndodhë shumë shpejt dhe kjo do t‘i hapë rrugë projektit për ndërtimin e një lagjeje të re në qytetin e Korçës, një lagje e cila do të jetë padyshim më modernia në qytet, ku do të ketë krahas banesave kolektive, edhe qendra të mëdha tregtare, biznese, institucione kulturore etj.

Ku do të ndërtohet kjo lagje e re?

Kjo lagje do të ndërtohet në afërsi të parkut "Rinia", përballë këtij parku e rrugës kryesore dhe është një zonë shumë e kërkuar nga ana e ndërtuesve e bizneseve edhe për shkak të pozicionit. Ne po tentojmë që ta përqendrojmë zhvillimin ndërtimor në zonat më të preferuara. Nuk do të inkurajojmë apo zhvillojmë ndërtimin në çdo cep të qytetit, por do të orientojmë ndërtimin në mënyrë më të integruar, në zona të cilat kanë edhe interes për atraktivitetin e qytetit dhe për klientelën e ndërtuesve dhe të interesuarve për këto ndërtime. Plani rregullues është një projekt shumë i rëndësishëm, që ka filluar dhe do të përfundojë brenda vitit 2008 dhe që padyshim do të japë një përgjigje dhe do të krijojë hapësirat e nevojshme për zhvillimin urban të qytetit.

Por, në rast se biznesi është i interesuar për të ndërtuar në atë që quhet zona e qendrës historike apo muzeore që ka qenë e bllokuar? Si është parashikuar zhvillimi urban apo ndërtimi në këtë zonë?

Qyteti i Korçës ka një qendër historike dhe një zonë që quhet ansambli urbanistik arkitektonik tradicional. Qendra historike është një qendër muzeore, që përfshin bulevardin "Republika", lagjen 3 e 12 dhe pazarin e vjetër të qytetit. Qendra historike ruhet me politika konservuese dhe ndërtimet e reja në të janë shumë të kufizuara me një rregullore që përcaktohet nga bashkia dhe kalon përmes Institutit të Monumenteve të Kulturës. Për të ndërtuar në këtë zonë, për çdo ndërtim duhet marrë paraprakisht miratimi i Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Monumenteve të Kulturës dhe më pas çelet rruga me miratimin e lejes së ndërtimit nga ana e bashkisë.

Deri në sa kate mund të jetë një ndërtim në këtë zonë?

Lartësia maksimale e një ndërtimi në këtë zonë duhet të jetë 9-10 metra, që do të thotë se një ndërtim duhet të jetë deri në tre kate. Në planin rregullues të qytetit parashikohet dhe se ku do të rritet qyteti. Të gjitha politikat dhe planet e bashkisë, por edhe të sektorit privat, do të ishin pa vlerë në rast se nuk mendohet më parë që Korça të jetë një qytet që rritet dhe për këtë duhet të përcaktohet edhe se ku do të rritet qyteti. Perspektiva, në fakt, e qytetit ku mund të rriten e zhvillohet është zona mbi qytet, që do të thotë pjesa e kodrave të qytetit. Këtu mund të ndërtohet një zonë si qyteti ri i Korçës, që do të harmonizohet me qytetin e vjetër. Në qoftë se do të japim një hapësirë të re për ndërtimin e lagjeve të reja në këtë zonë, do të kemi mundësi dhe do të jetë më e lehtë për të ruajtur të pacenuar atë pjesë që e përmendëm si zonë historike dhe ansambël nga ndërtimet intensive. Kodrat mbi qytet kanë qenë dikur mushkëria e qytetit të Korçës, por sipërfaqet janë privatizuar dhe të gjitha u janë kthyer ish-pronarëve.

Atëherë, si mund të zgjidhet ndërtimi pa prekur pronarët?

As vetë pronarët në këtë zonë, edhe pse të interesuar aktualisht, nuk mund të ndërtojnë dot, pasi në planin rregullues kjo vazhdon të jetë një zonë e gjelbër. Por, nga ana tjetër, as vetë bashkia nuk i pyllëzon dot më. Që të mendojmë që për një periudhë shumëvjeçare bashkia do të jetë aq e fortë financiarisht sa të blejë të gjitha pronat në kodër nga pronarët, kjo është një utopi. Prandaj duhet gjetur një formë e ndërmjetme, që edhe të kënaqë interesat e pronarëve për ta vënë pronën e tyre në eficensë, por, nga ana tjetër, edhe për të interesuarit e tjerë për ndërtime dhe interesin e qytetit për të krijuar hapësira të gjelbëruara.

A do të rikthehen kalldrëmet në rrugicat e qytetit, në një kohë që një pjesë e lagjeve janë shtruar me një kalldrëm të ri dhe pjesa tjetër ka mbetur bosh?

Korça në të gjithë qendrën historike dhe në ansamblin arkitektonik tradicional ka rrugicat me kalldrëme. Kalldrëmi i vjetër i Korçës nuk mund të rikthehet më në të gjithë sipërfaqet. Kalldrëmi i mëparshëm ka qenë me gur lumi, për të cilin mungojnë sot specialistët, por ajo që është më e rëndësishme është fakti se ky kalldrëm nuk është më sot i përshtatshëm në një realitet të ri, ku numri i makinave është rritur shumë dhe ku këto zona të qytetit, edhe pse janë brenda një zone të mbrojtur, janë një pjesë tërheqëse për investitorët privatë, apo ata që ndërtojnë një banesë. Padyshim që ka kufizime, por këtu lejohen ndërtime të reja. Kjo do të thotë se ne nuk mund ta evitojmë dot futjen e makinave në këtë zonë dhe këtë nuk e përballon dot një kalldrëm i tipit të vjetër. Në fakt ka një të vërtetë. Deri më sot nuk ka një qytet në Evropë që të ketë një sipërfaqe kaq të madhe kalldrëmi. Ky kalldrëm është vetën në zonat e qendrave historike, të cilat janë në konservim dhe kryesisht për këmbësorë apo në funksionim si shëtitore dhe si të tilla mundësojnë ruajtjen e sipërfaqeve të kalldrëmit, pasi nuk ka zhvillim ndërtimor intensiv. Kjo nuk do të thotë se jam kundër kalldrëmeve në lagjet e vjetra të qytetit, por duhet të ndërgjegjësoj publikun se mbajtja e një kalldrëmi është një kosto shumë e madhe për bashkinë. Gjykohet nga qytetaria, por edhe nga ana e specialistëve dhe nga ana jonë si institucion, se këto sipërfaqe përbëjnë realisht identitetin e qytetit të Korçës dhe duhen ruajtur.

Kur mund të realizohet kjo?

Jo vetëm gjatë këtij viti, por gjatë këtij trevjeçari projekti më i rëndësishëm është ai i kanalizimit të ujërave të qytetit. Kjo do të thotë se rrugët do të çahen për shtrimin e rrjetit dhe nuk mund të investohet më parë në kalldrëm. Ky projekt kap një shifër prej 35 milionë eurove. Qeveria shqiptare, në marrëveshjen e tetorit me qeverinë gjermane për investimet e huaja, ka pranuar këtë investim, nga të cilat është siguruar tashmë fondi 15 milionë euro. Projekti parashikon jo vetëm sistemin e ri të kanalizimeve në të gjithë qytetin, por edhe rehabilitimin e rrugëve kryesisht të lagjeve të vjetra dhe bllokut të ri të sportit dhe te xhamia e re. Projekti do të paktën tre vjet të përfundojë dhe ne po bëjmë presionin tonë institucional që të respektohen afatet e kontratave dhe bashkë me qeverisjen qendrore dhe bashkëpunimin e huaj do të jemi qyteti i parë që do të arrijmë standardet evropiane në drejtim të infrastrukturës fizike, të ujësjellës-kanalizimeve.

Ikja

Emigrantët

"Interesi për ndërtimet ka rënë, pasi edhe vetë korçarët nuk kanë pasur besim se qyteti i tyre mund të zhvillohej në të ardhmen. Një pjesë e mirë e qytetarisë nuk e ka parë të ardhmen në këtë qytet. Korça është një qytet që ka 15 mijë emigrantë, një pjesë e mirë e të cilëve janë stabilizuar në vendet ku kanë emigruar dhe e kanë të pamundur të kthehen. Në këtë këndvështrim, Korça në vitet e fundit ka pasur një rrjedhje, që e ka tkurrur si qytet dhe kjo reflektohet edhe në kërkesën e ulët për apartamente banimi apo ndërtime".

Tërheqja

Investimet

"Korça i ka të gjitha avantazhet për të qenë një qytet në rritje dhe jo në tkurrje. Ajo që po bën bashkia përmes të gjitha projekteve të veta, është që të kthejnë në radhë të parë besimin që Korça është qyteti i së ardhmes dhe prosperitetit dhe për këtë ka projekte jo vetëm për të thithur studentët që mbarojnë studimet në vende të tjera, por edhe për të ofruar mundësi punësimi dhe për t‘u bërë qytet atraktiv turistik, që nga ana e saj do të ofrojë fronte të lira pune, më shumë mundësi për biznesin, që do të krijojë lehtësi në shërbim të këtij biznesi. Shtimi i mundësive për biznes, punësim dhe rritje ekonomike, në mënyrë direkte do të reflektohet në rritjen e kërkesës për ndërtime".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›