Federata, edhe LSI i afrohet bashkimit me PS
"Unë këtë nuk e kuptoj se si do të funksionojë dhe nuk do të thotë që jam absolutisht kundër". Kështu shprehet kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke shtuar se federimi do të funksionojë shumë mirë në një raport PS-PSD. Atëherë nuk do të kishte asgjë të keqe nëse LSI-ja më vonë mund ta pranonte këtë ide dhe të integrohej. "Por, për mendimin tim, derisa nuk e kam të qartë dhe përderisa nuk e kuptoj që si kjo mund të funksionojë, më duket një investim i kotë, pra një humbje kohe për të gjetur format dhe mënyrat", shprehet Meta. Sipas tij, askush nuk e ka penguar dhe nuk e pengon opozitën për t‘u ulur së bashku dhe për të dalë së bashku me një platformë për reformën zgjedhore si opozitë, apo me një platformë për reformën në drejtësi, apo me një platformë tjetër për çfarëdo lloj reforme apo qëndrimi politik. "Kështu që nuk mendoj se kjo është një çështje që duhet të preokupojë patjetër opozitën", vlerëson Meta. Ai këmbëngul në faktin se zgjedhjet e fundit lokale treguan që koalicioni edhe pse i ri, edhe pse ka pasur shumë tension dhe ngarkesa, në përgjithësi funksionoi dhe sidomos në qytetet kryesore. "Ajo që duhet të funksionojë më mirë për sa i takon opozitës, është pikërisht diskutimi i çështjeve, jo vetëm të lehta për t‘u marrë vesh në raport me Berishën apo me qeverinë, por edhe diskutimi dhe konsensusi edhe për çështjet që janë të vështira brenda opozitës", nënvizon Meta. Qëndrime që sipas tij vijnë për shkak të interesave që mund të duken të ndryshme, por që nuk mund të jenë aq të ndryshme në rast se ka transparencë dhe ka vullnet politik. Meta argumenton se mes opozitës predominon bashkëpunimi, sidomos për çështjet më kryesore dhe më të mëdha. "Por ka dhe përqasje do të thosha të ndryshme, apo diferenca të ndryshme, të cilat në fund të fundit nuk mendoj se janë negative", sqaron Meta.