E Diel, 1 Nëntor 2026

Programi i PS-së, "Qemal Stafa", i hap dyert shoqërisë civile

Fondacioni "Qemal Stafa" inicioi dje një proces intensiv konsultimi me përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të pavarur, intelektualë dhe akademikë. Ky aksion ka për synim pasurimin e procesit të hartimit të programit të ri të PS-së me ekspertizën dhe kontributin e kualifikuar të asaj shtrese të shoqërisë, që në këto vite, njëlloj si qytetarët e thjeshtë, është ndjerë e lënë në hijen dhe presionin e vendimmarrjes. Sipas drejtorit ekzekutiv, Saimir Tahiri, fondacioni do të të zhvillojë një seri tryezash tematike, ku bashkëbisedimi me grupet e interesit, me ekspertë dhe intelektualë të pavarur do të përmblidhet në Qëndrimet Tematike, të cilat do të hartohen në përfundim të çdo tryeze. Do të trajtohen disa çështje të cilat janë konsideruar me rëndësi themelore për programin e ri të PS-së. Të tilla si reforma e sistemit makro-ekonomik dhe sistemit fiskal; reforma e sistemit të drejtësisë, prioritetet e politikës së jashtme dhe reforma e trupit diplomatik; menaxhimi i procesit të Integrimit Evropian; politika sociale, me një përqendrim të veçantë te çështjet e punësimit; siguria publike dhe zhvillimi i territorit. Në përfundim të këtij procesi do të hartohet Libri i Rekomandimeve, i konceptuar si një përmbledhje analitike e situatës së deritanishme për secilën nga fushat. Sakaq, kryetari i socialistëve, Edi Rama, i pranishëm në takim, vlerësoi se është koha për një program që ndan me thikë, në mënyrë drastike, radikale, të djeshmen nga e nesërmja. "Objektivi ynë është ta shkruajmë programin me disa faza dhe pa asnjë dyshim faza e parë dhe themeli i programit nuk mund të mos jetë konsultimi i gjerë popullor me qytetaret dhe qytetarët shqiptarë në të gjitha skajet e Shqipërisë", vlerësoi Rama. Sipas tij, në fund programi qeverisës i një partie dhe përkatësisht programi ynë shkruhet nga pak duar, por këto pak duar do të punojnë mbi mendimet, sugjerimet, idetë e dhjetëra mijëra njerëzve. "Sepse unë mbroj mendimin që një nga mungesat themelore të këtyre 17 viteve dhe një nga boshllëqet më të mëdha të politikës së vjetër të së shkuarës në qeverisje, ka qenë mungesa e një programi qeverisës si një instrument për të realizuar objektivat", u shpreh Rama. Ai insistoi se programi i socialistëve duhet të jetë një program përtej së majtës dhe të djathtës. "Duhet të jetë një program, i cili duhet të konsiderojë faktin e thjeshtë se Shqipëria që kemi përpara syve, Shqipëria që kemi rrotull nesh, Shqipëria që pavarësisht nëse gjatë këtyre 17 vjetëve ka qeverisur e majta apo e djathta, ka vazhduar në vijimësi dhe vazhdon të lëngojë në plagë", insistoi Rama. Në takimin e djeshëm ishin të pranishëm përfaqësues të shoqërisë civile si: Altin Hazizaj, Sazan Guri, Andrea Stefani, Artur Zheji, Skënder Minxhozi etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›