E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermerët, pr/ligj për dëmshpërblimin

Tiranë- Partia Socialiste ka njoftuar sot se ga gati projekligjin për dëmshpërblimin e fermerëve, të dëmtuar nga fara e misrit.

Kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi sot se janë vënë tashmë në dispozicion të qytetarëve të dëmtuar për shkak të qeverisë dhe të mungesës së plotë të kontrollit shtetëror mbi farën e misrit, në ekonominë e tyre familjare, dy numra telefoni, që janë të hapur për të gjithë ata që janë të dëmtuar, për të kontaktuar me ne.

“Është qeveria që hesht, është kryeministri që vazhdon paradën e tij të shëmtuar për vepra të pambaruara, apo të cunguara nëpër fshatra dhe hesht për bukën e gojës të mijëra familjeve, që janë dëmtuar drejtpërdrejt për shkak të qeverisjes dhe nga një kompani që sot ka një monopol me rrënjë politike në treg. Partia Socialiste ka gati një projektligj për Kuvendin e Shqipërisë, që mbështet në nenin 44, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”- tha Rama gjatë një deklarate për shtyp.

Sipas tij, vetëm pasditen e djeshme, afro 100 telefonata nga Dibra, Elbasani, Fieri, Tirana, Kukësi dhe Berati, njerëzish të mbetur në mes të rrugës dhe pa bukën e gojës, të cilët janë viktimë e mungesës së ligjit dhe të kontrollit të atyre institucioneve shtetërore që duhet të garantojnë kontrollin e farërave dhe inputeve bujqësore, kanë ardhur në këto numra telefoni.

Janë mijëra familje, sipas të gjitha të dhënave, të cilat kanë humbur bukën e gojës dhe kanë dështuar në një vit ekonomik për familjen e tyre.

Sipas nenin 44 të Kushtetutës, nen ku PS-ja mbështet projektligjin e vet, çdo qytetar ka të drejtën të dëmshpërblehet për çdo dëm që vjen si pasojë e shkeljes së ligjit, e veprimit dhe mosveprimit nga ana e qeverisë.

“Jemi në kushtet kur neni 44 i Kushtetutës dhe kur përgjegjësia e drejtpërdrejtë e qeverisë, e Kryeministrit Sali Berisha, e ministrisë përkatëse të bujqësisë, nuk mund të mos adresohet, për zgjidhjen e problemit të këtyre njerëzve përmes një dëmshpërblimi të ligjshëm, që duhet të përcaktohet me ligj. Masat e këtij dëmshpërblimi, kriteret, procedurat e përfitimit financiar, janë objekt i këtij projektligji dhe e ftoj Sali Berishën të mos heshtë”- theksoi Rama.

Ai ka shtuar më tej se është turp që qeveria, e cila e ka shkaktuar këtë katastrofë familjare të mijëra njerëzve, të heshtë, të bëjë të paditurin dhe t’ju kthej kurrizin atyre që me mbjelljen e atij misri, do të mbanin familjet gjatë këtij viti.

Dëmshpërblimi financiar i menjëhershëm, në masën 100 %, në bazë të fitimit të pritshëm, për të gjithë fermerët e dëmtuar nga kultivimi i farës së misrit të paçertifikuar, është, sipas Ramës, thelbi i këtij ligji.

Ai ka sqaruar më tej se masa e dëmshpërblimit, do të jetë e barabartë me fitimin e munguar apo të pritshëm, do të llogaritet në bazë të sasisë së farës së blerë, sasisë së tokës së mbjellë, shpenzimeve të domosdoshme dhe të nevojshme për kultivim dhe rendimentin e pritshëm.

“Është detyrim i Kryeministrit dhe i qeverisë së tij. Evidentimi i dëmshpërblimit duhet të kryhet me një proçedurë vetëdeklarimi. Të gjithë të dëmtuarit duhet të vetëdeklarojnë dëmin e shkaktuar dhe fitimin e pritshëm nëpërmjet një formulari, që në bazë të këtij ligji, duhet të miratohet një orë e më parë me vendim të Këshillit të Ministrave. Vlerësimi i dëmshpërblimit, duke u nisur nga vetëdeklarimi, duhet të bëhet nga drejtoritë e bujqësisë dhe ushqimit, ku përfshihen edhe njësitë e qeverisjeve vendore, ku banon apo kultivon i dëmtuari”- tha kreu i PS-së.

Procesi duhet të kryhet pasi të shpërndahen dhe të mblidhen formularët tip, kurse procedurat e pagesës së dëmshpërblimit duhet të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Vendimi duhet t’ju bëhet i njohur të interesuarve brenda 3 ditëve pas plotësimit të kësaj procedure dhe të dëmtuarit kanë të drejtën e ankimit në gjykatë brenda 30 ditëve. Të gjitha këto dhe disa detaje të tjera të projektligjit, janë detyrim jo vetëm moral dhe politik i Kryeministrit, i Ministrit të bujqësisë dhe qeverisë, por janë edhe detyrim kushtetues e ligjor, në një vend ku asnjë qytetar e asnjë familje, që mund të pësojë dëm për shkak të qeverisë, për shkak të mungesës së kontrollit, veprimit apo mosveprimit të shtetit të mbetet i padëmshpërblyer.

“Këtë projektligj, ne do ta depozitojmë një orë e më parë, në komisionin përkatës dhe kërkojmë një orë e më parë, që ky projektligj të shqyrtohet në seancë dhe të kthehet në detyrim për qeverinë. Sepse ndërkohë që ditët shkojnë, të tjera ngjarje, të tjera lajme, debate, zhvillohen, hapen e mbyllen, ata njerëz janë me sytë nga qielli dhe nuk kanë se si të kapërcejnë vitin dhenuk kanë se si të ushqejnë fëmijët deri në vitin e ardhshëm bujqësor. Kjo është e patolerueshme për një shoqëri ku ka Kushtetutë, ligj, dhe ku supozohet se ka shtet”- përfundoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›