Hashashi në Lazarat, policia: Do bllokojmë të gjitha autobotet
GJIROKASTËR- Pamundësia për të asgjësuar çdo rrënjë kanabisi në Lazarat ka bërë që policia të gjejë një tjetër zgjidhje: bllokimin e autoboteve me ujë për vaditje. “Të gjitha automjetet, autobote apo kamionçina, me apo pa dokumente që do të tentojnë të furnizohen me ujë në lumin Drino apo në lavazhot në të dy krahët e rrugës nacionale do të bllokohen nga policia”,-ka qenë urdhri i lëshuar nga drejtuesit e policisë së Gjirokastrës. Operacioni policor i koduar “Siguria e jetës”, i nisur ditë më parë, përkrah disa qindra masave administrative e heqjes së xhamave të zinj nga automjetet, duket se në fokus të tijka patur goditjen e fenomenit të vaditjes së bimëve narkotike, nëpërmjet autoboteve që furnizoheshin në ujërat e lumit Drino. Në funksion të këtij qëllimi shërbejnë uniformat blu të qarkullimit rrugor, sektorit kundër trafiqeve të paligjshme, policisë së rendit si dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të vendosura në postblloqe në hyrje-daljet e fshatit problematik, por nuk mungojnë edhe rastet kur efektivat e specializuar vendosen pranë shtratit të lumit Drino të veshur me antiplumb, pikërisht për të ndaluar furnizimin me ujë të Lazaratit.Burime zyrtare të policisë së Gjirokastrës pohojnë se vetëm gjatë 6 ditëve të fundit, aksioni “Siguria e jetës” kabllokuar 6 autobote uji, 5 kamionë dhe 9 kamionçina pa dokumente, të cilët kishin cisterna metalike dhe plastike që shërbenin për transport uji në drejtim të fshatit Lazarat. Në pranga janë vendosur 3 persona, ndërsa janë shoqëruar 15 të tjerë, të gjithë banorë të fshatit Lazarat, të cilët kanë kundërshtuar forcat e policisë gjatë kontrollit të automjeteve të tyre në postoblloqet e policisë. E ndërsa deri tani, ky operacion ka bllokuar vetëm automjetet e furnizimit me ujë, paralajmërohet se në ditët pasardhëse do t’u thuhet stop edhe qarkullimit të autoboteve, edhe nëse janë me dokumente.