E Diel, 1 Nëntor 2026

Furgoni bie në humnerë, shpëtojnë mrekullisht 3 vetë

Qafë-Kërrabë, furgoni rrokulliset në 300 metra lartësi. Pasagjerët hidhen nga makina

ELBASAN-Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme, kur një furgon me tre pasagjerë ka dalë nga rruga dhe është rrokullisuar për rreth 300 metra, duke rënë në humnerë. Fatmirësisht të tre personat që ishinnë furgon kanë mundur të dalin gjatë rrokullisjes së tij, duke pësuar dëmtime që nuk rrezikojnë jetën e tyre. Aksidenti është regjistruar në afërsi të karburantit në fshatin Petresh në segmentin e Qafë Krrabës. Sipas dëshmitarëve që kanë parë aksidentin, furgoni me targa PG 51 06 B ka tentuar të parakalojë, por i është prerë rruga nga një kamionçinë me targa të Pogradecit e cila është larguar nga vendi i ngjarjes. Mjeti i aksidentit drejtohej nga shtetasi Kreshnik Gjona, 23 vjeç, me banim në fshatin Shkozë të Tiranës dhe së bashku me të ndodheshin edhe vëllai i tij dhe Erion Çela 21 vjeç me banim në Pogradec.Furgoni mësohet se ka qënë me shpejtësi dhe si pasojë ka dalë jashtë rruge dhe rrokullisja për shkak të territorit ka bërë që pas 300 metrave lartësi furgoni të përfundojë i copëtuar. Të lajmëruar për aksidentin, menjëherë janë nisur drejt Qafë Kërrabës, dy patrulla të policisë rrugore dhe një autoambulancë. Sipas policisë, të dëmtuarit kanë shpëtuar nga aksidenti fatal pasi kanë mundur të dalin nga mjeti gjatë rrokullisjes, pasi në të kundërt gjithçka do të ishte kthyer në një tragjedi të vërtetë. Sipas ekspertëve të policisë rrugore, një ndër shkaqet ka qënë shpejtësia tej normave të lejuara dhe parakalimi i ndërprerë nga një kamionçinë. Ky segment konsiderohet një ndër më të rrezikshmit pasi është e vetmja pjesë e drejtë ku mund të parakalohet dhe tejkalohet shpejtësia. Sipas mjekëve, gjendja e të dëmtuarve, pasi kanë marrë mjekimin është jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›