E Diel, 1 Nëntor 2026

Polici humb 2 milionë në bingo, qëllon në ajër

VLORË- Një punonjës policie është vënë në pranga me akuzën e shkatërrimit të pronës dhe prishjes së qetësisë publike. 25- vjeçari Aleksandër Isufi është arrestuar pasi mbrëmjen e djeshme, në një lokal lojërash fati ka qëlluar dy herë me pistoletë në ajër. Efektivi ka qenë në një lokal lojërash fati në lagjen “28 Nëntori”, ku ka luajtur për disa orë. Humbja e njëpasnjëshme ka bërë që polici të reagonte dhunshëm, madje të nxirrte pistoletën e shërbimit, duke shkaktuar panik në lokal. Sipas policisë, efektivi ka humbur një shumë prej 2 milionë lekësh duke luajtur, e në inat e sipër pas kësaj ka qëlluar me pistoletë si dhe ka prishur një nga kompjuterat e qendrës. Pas kësaj ai është larguar nga lokali, ndërsa ka qenë pronari i lokalit që kabërë kallëzimin penal në ngarkim të tij për shkatërrim të pronës. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia e cila ka kryer ekspertizën e vendit të ngjarjes. Plumbat e gjetur në lokal ishin të njëjtë me ata të pistoletës së shërbimit të policit, i cili prej dy vjetësh ishte angazhuar në strukturat e forcave të rendit. Tashmë mbi efektivin që shërbente me forcat e rendit në drejtorinë e policisë rendojnë dy akuza, ajo e shkatërrimit të pronës dhe prishje të qetësisë publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›