Socialistët i nisin protestat nga Durrësi
Socialistët kanë nisur nga qyteti bregdetar i Durrësit protestat kundër qeverisjes së keqe dhe krizave që kanë përfshirë vendin. Kryesocialisti Edi Rama dhe figura të tjera të Partisë Socialiste, u kanë bërë thirrje durrsakëve të bashkohen dhe në protestën që do të zhvillohet një ditë më pas në kryeqytet. Protesta nisi në pallatin e sportit "Ramazan Njala", për të vijuar e qetë në qendër të qytetit. Qindra qytetarë durrsakë i janë bashkuar korit të fortë protestues të socialistëve durrsakë dhe atyre të ardhur nga Tirana, duke ngritur zërin mbi krizën energjetike dhe atë ekonomike që kanë mbërthyer shqiptarët. Qirinj, gjeneratorë, bidonë bosh uji kanë qenë mjetet e përdorura në funksion të protestës. Lideri i opozitës, Edi Rama, në krah të të cilit kanë munguar drejtuesit e partive aleate, tha se viti i 17-të i qeverisjes në pluralizëm e gjen Shqipërinë në një gjendje kritike, për shkak të qeverisjes së keqe dhe politikës së vjetër e të dështuar. Rama bëri thirrje për një bashkim të të gjithë qytetarëve shqiptarë, larg përkatësive partiake, për t‘i dhënë frymë një Shqipërie të re evropiane, që ndëshkon politikën e vjetër për t‘i hapur rrugë zhvillimit. "Së bashku do të bëjmë të mundur Shqipërinë e re, moderne dhe sociale, duke bashkuar energjitë tona morale, intelektuale, fizike dhe shoqërore, përtej kufijve të partive politike, paragjykimeve që kanë mbajtur rëndom shqiptarët të ndarë në kampe, të cilat vuajnë po njësoj mungesën e dritave, mungesën e ujit, mungesën e çdo politike të arsyeshme për punësimin dhe mbrojtjen sociale të njerëzve. Ky mision është një mision përtej të majtës dhe të djathtës, kështu siç është sot e ndarë politika dhe kështu siç ajo sot i mban të ndarë njerëzit". Rama denoncoi fushatat elektorale, që rëndom janë kthyer në fushata për përfitime. "Ne kërkojmë të çlirohemi nga diktatura e korrupsionit, ne kërkojmë dritë e dituri! Shqipërisë i duhet një bashkim i ri përtej politikës së vjetër të korrupsionit dhe errësirës. Vendi ka nevojë për një udhëheqje tërësisht të re dhe tërësisht ndryshe në rrugën e evropianizimit, modernizimit dhe ngritjes së saj morale e ekonomike", vijoi Rama.