"Reforma zgjedhore? Debati mediatik, i shterpë"
Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, mendon se debati mediatik për reformën zgjedhore është i padobishëm. Sipas tij, një proces i tillë nuk sjell një produkt pozitiv për punën e këtij komisioni parlamentar. Ky reagim vjen pak ditë pasi kanë filluar replikat politike mes pozitës dhe opozitës, por edhe mes vetë të majtës për preferencat zgjedhore.
Deklarata
I pyetur lidhur me debatet e fundit në gjirin e së majtës për sistemin zgjedhor dhe pragun kushtetues, një nga njerëzit më të rëndësishëm të socialistëve nuk deshi të vijojë replikat mediatike me drejtuesit e partive aleate. "Debati për çështjen e reformës zgjedhore duhet të kryhet në komisionin e posaçëm parlamentar të reformës", vlerësoi Ruçi. Ai konstatoi se tanimë afati i këtij komisioni ka skaduar dhe s‘ka një produkt konkret. "Afati i tij skadoi dhe pas kaq shumë muajsh ende nuk ka diskutuar këto probleme", sqaroi Ruçi. "Dora e hekurt" e socialistëve mendon se debatet që bëhen jashtë komisionit janë debate shterpë dhe të parëndësishme.
Komisioni
Komisioni për reformën është ngritur që në legjislacionin e shkuar, por për mungesë të konsensusit mes partive politike nuk arriti të mblidhet përveçse dy herë, duke sjellë kështu dështimin e tij. Të vënë para presionit të ndërkombëtarëve, Kuvendi më 24 shtator vendosi shtyrjen sërish të afatit të këtij komisioni edhe për tre muaj të tjerë dhe më 27 shtator anëtarët e këtij komisioni mblidhen për të rinisur punën. Që në mbledhjen e parë, sërish nisën diskutimet dhe u vu re mungesa e konsensusit mes palëve. Pas një shkëputjeje dymujore, vetëm dhjetë ditë më parë partitë politike, sërish të vendosur para presionit të ndërkombëtarëve, të cilët kishin propozuar katër modele konkrete për reformën zgjedhore, nga të cilat politika shqiptare duhet të zgjidhte një. Këtu nisën dhe mbledhjet e tryezat e para, këtë herë mes partive të vogla, të cilat zgjodhën modelin gjerman, sepse nuk prekej pragu prej 3%, por kërkesa e tyre për të pranuar këtë model u kundërshtua nga dy partitë e mëdha, të cilat mbështesnin modelin spanjoll.
Debati
Ilir Meta theksoi se LSI-ja është e angazhuar të pranojë dhe të promovojë sistemin e proporcionalit të pastër, pasi vetëm përmes këtij sistemi mund të garantohet barazia gjinore në Kuvendin e Shqipërisë. Sakaq, partitë e vogla kanë nënshkruar një draft, ku kërkojnë që Kuvendi të ketë 140 vende, por të jetë me tavan të hapur. Përfshihet një balancë 50/50% e "mandateve mazhoritare" dhe "mandateve proporcionale" dhe prag kushtetues 2.5%. Socialistët, nga ana e tyre, kanë deklaruar përmes Kastriot Islamit preferencat për sistem zgjedhor të modelit spanjoll.